Urdhëresë për kontrollin e bashkive që po vendosin taksa në kundërshtim me ligjet
Kryeministri Berisha ka lëshuar dje një urdhëresë të prerë, që të gjitha tarifat dhe taksat e pushtetit vendor të mos jenë më shumë se 10 për qind e nivelit të përcaktuar në ligjin “për taksimin e biznesit të vogël”. Gati verifikimi për bashkitë në shkelje ligjore, ku spikat kusaria e Bashkisë së Tiranës
TIRANE - Kreu i qeverisë Sali Berisha zhvilloi dje një mbledhje urgjent me të gjithë ekspertët financiarë të kabinetit të tij përfshi dhe ministrin Ridvan Bode, për të marrë masa urgjente mbi ngritjen e taksave vendore nga krerët e bashive dhe komunave në vend. Berisha ka urdhëruar ministrin e Financës që të marrë masa të menjëhershme për mos ngritjen e taksave dhe lënien e tyre në nivelin 10%, të përcaktuar nga ligji “për taksat e biznesit të vogël”.
Kryeministri zhvilloi një konsultë të gjerë me ministrin e Financave, Ridvan Bode dhe me zyrtarë të lartë të këtij sektori, lidhur me zbatimin e direktivës së tij për kufizimin e abuzimeve që qeveritarët vendorë po bëjnë në kurriz të biznesit të vogël me tarifat dhe taksat e përkohshme, me të cilat po rrisin barrën mbi këtë biznes që përballon gjeneratën kryesore të punësimit në vend.
Në këtë konsultë, kryeministri dha orientim të prerë se të gjitha tarifat dhe taksat e përkohshme, të marra së bashku, nuk do të mund të jenë më shumë se 10 për qind e nivelit të përcaktuar me ligj “për taksimin e biznesit të vogël”. “Tendenca e taksimit të biznesit të vogël, në një kohë kur qeveria ka pakësuar me 50 për qind barrën fiskale për këtë biznes dhe në një kohë kur, për shkak të krizës ekonomike botërore, vendet po ulin taksat, është e rrezikshme për punësimin dhe mbarëvajtjen e biznesit në vend”, nënvizoi kreu i ekzekutivit Berisha në takimin që pati me ministrin e Financës Ridvan Bode.