Investimet e huaja, besim i sipërmarrësve ndaj një Shqipërie të stabilizuar dhe në rritje të shpejtë
Berisha inauguron në Balldre të Lezhës fillimin e punimeve për ndërtimin e fabrikës së çimentos, një investim që kap shifrën e 200 milionë eurove
Investimet e huaja në vend po njohin rritje të shumëfishtë, duke i dhuruar vendit mundësi të arta për t’u kthyer në superfuqi ekonomike dhe industriale në rajon, në kushtet kur e gjithë bota vuan pasojat e rënda të krizës ekonomike. Reformat e kabinetit “Berisha” dhe krijimi i një klime favorizuese për biznesin dhe investimet janë fryt i investimit madhor në zonën e Lezhës, me ndërtimin e fabrikës së çimentos, e cila së bashku me investimet e qeverisë në këtë zonë, kapin shifrën e 2 miliardë eurove
Leonard Quku
Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje në prani të Ambasadorit Italian Saba D’Elia, deputetëve të Lezhës dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor, fillimin e punimeve të fabrikës së re të çimentos, në Balldre. Kreu i qeverisë e vlerësoi këtë investim madhor, duke e konsideruar si dëshmi të një marrëdhënieje intensive me Italinë mike, dëshmi e një besimi të madh të sipërmarrësve italianë dhe atyre botërorë ndaj Shqipërisë. Shefi i ekzekutivit tha se ky është një rezultat i politikave të drejta ekonomike që ka ndjekur kjo qeveri. “Kjo është një ditë e madhe për Lezhën dhe mbarë Shqipërinë. Në një hark kohor më pak se 3 muaj nga dita në të cilën u firmos marrëveshja me kryeministrin e Italisë, z.Silvio Berluskoni, në Tiranë, “Kolacem Albania” fillon punën për ndërtimin e fabrikës së çimentos në Balldre. Kjo është dëshmi e një marrëdhënieje intensive me Italinë mike, është dëshmi e një besimi të madh të sipërmarrësve italianë dhe atyre botëror ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, së pari, për përpjekjet e jashtëzakonshme që qeveria ime ka bërë për krijimin e klimës sa më të favorshme për biznesin. Por nga ana tjetër, dua të theksoj se, ky është një rezultat i politikave të drejta ekonomike që ka ndjekur kjo qeveri, gjë e cila ka bërë që në qiellin tonë të ketë re me shi ose me borë, por të mos ketë re të stuhisë ekonomike evropiane dhe botërore. Investimi i kompanisë Kolacem prej 200 milionë eurosh në komunën e Balldrenit është një antidot i shkëlqyer për t’i mbajtur larg ato re nga Shqipëria”, u shpreh kryeministri Berisha.
Duke vlerësuar rëndësinë e investimeve në fushën e çimentos, kryeministri tha se Shqipëria, tani dhe në vitet që vijnë, do të jetë kantieri më i fuqishëm i ndërtimeve në Ballkan. “Në këtë vend është një rrjet rrugor i tëri për t’u rindërtuar, janë mbi 400 diga, hidrocentrale të reja për t’u ndërtuar, janë pothuajse qindra kilometra tunele, tashmë jo të kuptimit të vjetër, por tunele për të çarë malet dhe shkurtuar distancat, tunele për të rritur fuqinë energjetike të ujërave tona. Janë me mijëra e mijëra platforma të turbinave të erës, për t’u ndërtuar në kodrat e Balldrenit dhe mbarë vendit”, vuri në dukje kreu i qeverisë. Kjo ngjarje e madhe, vijoi kryeministri, ndodh në prag të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, anëtarësim i cili do të rrisë në mënyrën të paparë besimin e kombeve të qytetëruara te Shqipëria dhe shqiptarët. Kreu i qeverisë i shprehu Ambasadorit D’Elia, mirënjohjen e madhe për qeverinë dhe vendin mik Italinë, për solidaritetin dhe mbështetjen e madhe që i kanë dhënë gjatë këtyre viteve aspiratave të shqiptarëve për liri, dinjitet dhe integrim. Ndërkohë, kryetari i komunës Balldren, Gjekë Cali, u shpreh se krahas këtij investimi, kompania Kolacem ka investuar edhe asfaltimin 830 metra linearë rrugë, ka ndërtuar një kopsht për fëmijët në fshatin Gocaj dhe ka akorduar 3 bursa studimi për studentë të familjeve në nevojë. Ai vlerësoi se reforma e ndërmarrë nga qeveria për decentralizimin e pushtetit vendor dhe kalimin e pronave në administrimin e këtij pushteti, i ka dhënë këtij të fundit një rol shumë të rëndësishëm për sa u përket investimeve. Nga vet buxheti i komunës Balldren, theksoi ai, është parashikuar një fond prej 80 milionë lekë, veçanërisht për ndërtime rrugësh.
Ambasadori D’Elia: Marrëdhëniet Shqipëri-Itali janë shumë të veçanta
Ambasadori italian, D’Elia, vlerësoi se “marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë janë shumë të veçanta në të gjitha fushat”. Veçanërisht, ai theksoi mbështetjen që Italia i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik, e cila do të afirmohet në 4 prill me anëtarësimin e vendit në NATO”, tha D’Elia. Duke u ndalur në nivelin e shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë, ambasadori italian tha se Italia zë 34 për qind të këtyre shkëmbimeve.
200 milion euro do të kushtojë fabrika më e re e çimentos projektuar nga Kolacem Albania që do të ngrihet në komunën Balldre të Lezhës. Një investim që do të angazhojë më shumë se 700 vetë në ndërtimin e stabilimentit. Ndërkohë, kompania Kolacem ka investuar edhe asfaltimin e 830 metra linearë rrugë, ka ndërtuar një kopsht për fëmijët në fshatin Gocaj dhe ka akorduar 3 bursa studimi për studentë të familjeve në nevojë.
Për komunën dhe banorët e zonës investimi duket se sjell një perspektive të re lidhur me punësimin. Colacem është një nga prodhuesit dhe shpërndarësit më të rëndësishëm të çimentos në Itali. Autoritetet nënvizuan disa herë rëndësinë e një investimi të tillë si garanci për më shumë investime të huaja në vendin tonë.