Kallëzimi penal, sepse Ina Rama ka shkelur ligjin
Reagon kreu i PR-së Fatmir Mediu, ndaj kryeprokurores
Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka pranuar të sqarojë pozicionin e tij, pak ditë pasi në cilësinë e deputetit njoftoi përmes avokatit të tij kallëzimin penal ndaj kryeprokurores Ina Rama dhe kreut të grupit hetimor të çështjes “Gërdeci”, Sokol Stojani, për akuzën e nxjerrjes së akteve dhe të dhënave sekrete të hetimit. Mediu deklaroi se Prokurorja ka shkelur ligjin dhe ka urdhëruar vartësit e saj si Stojani të shkelin ligjin. “Së pari ka bërë publike fakte të hetimit dhe ka bërë interpretim të njëanshëm të tyre, e cila vjen ndesh me Kodin e Procedurës Penale, neni 103. Ina Rama jo vetëm ka bërë kërkesën për heqjen e imunitetit tim me vendim politik, por dhe ka shkelur qëllimisht ligjin duke synuar që të realizojë qëllimin e saj kriminal në dëmin tim dhe të maxhorancës”, tha Mediu. I pyetur nëse kallëzimi penal ndaj Ina Ramës i bërë ditë më parë përbën një presion ndaj organit të akuzës, ish–ministri u përgjigj se “nuk e bëj aspak për presion ndaj prokurorisë, por është kjo prokurore, e cila në mënyrë të vazhdueshme ka nxjerrë të dhëna në media gjysëm të vërteta dhe mashtrime me qëllim kriminal që të krijojë një opinion kundër meje si dhe të justifikojë qëllimin e saj jo ligjor por politik”. “Asaj prokurorie i është bërë presion në mënyrë të vazhdueshme që të shmang hetimin dhe të akuzojë ish-ministrin e mbrojtjes, dhe për këtë arsye e bëra kallëzimin dhe prita deri sa dosja të shkonte në gjykatë. E përsëris ky nuk është një presion, sepse çështja ime me prokurorinë është në gjykatë, por respektimi i ligjit është detyrë për këdo”, u shpreh Mediu. Këto deklarata të ish-ministrit Mediu vijnë në një kohë kur dosja “Gërdeci” pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë në 4 maj.
Godo: Hetimet e Prokurorisë, tendencioze dhe me prapavijë politike/Presidenti i Nderit i Partisë Republikane, Sabri Godo e ka quajtur tendencioz dhe me prapavijë politike hetimin e ndërmarrë nga prokuroria për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu. I ndodhur në Lezhë për të diskutuar rreth kandidaturave të Partisë Republikane në këtë qark, Godo është shprehur se Mediu ka marrë të gjitha përgjegjësitë morale për tragjedinë e Gërdecit, dhe është i gatshëm të përgjigjet edhe ligjërisht. “Mediu nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore për këtë ngjarje të rëndë dhe se kjo është një lojë politike e prokurorisë. Mirëpo, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka respektuar fshehtësinë e hetimit dhe se nuk ka hetuar ashtu siç duhet për këtë çështje”, tha Godo. Ndërkaq, duke iu referuar thirrjeve të kreut të opozitës Edi Rama për një bashkim përtej së majtës e së djathtës, Godo theksoi se kjo alternativë nuk i ofron vendit zhvillim dhe vazhdimësi në reforma. Sipas tij, Rama me sloganin e tij përtej së majtës dhe së djathtës, po bën një thirrje pa sens dhe që nuk ofron asgjë. Përsa i takon angazhimit të së djathtës në zgjedhje, Godo tha se një bashkëpunim i frytshëm mes forcave të qendrës së djathtë, është garanci për një mandat të dytë të mazhorancës në zgjedhjet e 28 qershorit.