E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama drejt zgjidhjes përfundimtare me LMN

Diçka po lëviz brenda Partisë Socialiste. Vullkani eruptiv Edi Rama është gati për larjen e hesapeve me të cilësuarit si opozitarët e opozitës. çdo humbje kohe, i rrezikon përfaqësimin në sytë e botës. Fushata e linçimit pritet të nisë, pasi sot ai është më i fortë se dje, sepse pasja në krahun e djathtë të një intriganti 24 karatësh si Gramoz Ruçi (politikisht një fosile e mbetur në qarkullim nga nomenklatura e vjetër komuniste), i lejon denigrimet në forume. Kuptohet se e tashmja politike e PS po risjell të kaluarën. Një ves për t’u stigmatizuar dhe jo një virtyt për t’u adhuruar në këtë Parti. Natyrisht, ky është regresi që vjen prej pseudo-progresit edvinian, kinse Politike e Re. Kreut të PS i mungon freskia, habia për të pasur ide, dhe është i zaptuar krejt prej zilisë dhe xhelozisë paranojake sepse dikush mendon ndryshe nga I Papranueshmi.
Ndërkaq, pak nga pak po i jepet jetë kurthit ekzistencial të egoarkut Rama kundër fraksionit majtist LMN, e cila manifestohet qartë në rezultatet e anketimit në
bazën socialiste për të ndryshuar disa nene të Statutit. Megjithatë ingredientët e kësaj pusie janë tepër banalë, për të mos thënë se ngjasojnë me metodat e Sigurimit, ku elementët poli-agjentë kishin qëllime kundërrevolucionare dhe vetiu shpartalloheshin nëpër plenume partie.
Mirëpo gjithçka është gati. Në projektin përfundimtar të grupit të punës, që është ngritur për ndryshimet në statutin e PS-së, nuk është përfshirë paketa e propozimeve të përgatitura pak muaj më parë nga Lëvizja për Mendimin Ndryshe. Ato që paraqiteshin si çështje delikate siç ishte edhe kërkesa primare e nenit 28, që kryetari i partisë të jepte dorëheqjen në rast humbjeje të zgjedhjeve është në dorë të kryetarit Edi Rama. Dinamika politike është e dënuar të mungojë derisa kohë më të arta do të vijnë. Disidenca intelektuale bëhet e pamundur pasi trajtohet si “abnormalitet” fenomeni i pasjes së një alternative, të një vizioni, ç’ka i mungon realisht opozitës shqiptare.
Izolimi i kompanisë Blushiste është në hapat e para. Burime të pacilësuara të PS kanë hedhur në tregun e sondazheve anonime se rreth 77 përqind është përgjigjur kundër legalizimit oponencës kolektive. Sipas ALUIZNI-t të PS i bie që bashkimi nuk bën fuqi, individi bën magji. Formula e re edviniane për të nihilizuar çdo qelizë racionaliteti, pasi kërkon të irracionalizojë politikën në PS dhe ta zgjerojë në kuvend. Teoria e re e disidencës politike është gjetja e solipsizimit vetjak dhe kjo është arma kryesore e lejuar me statut për të anatemuar Shefin e Madh, dhe nga ky i fundit e ka më të lehtë të “ngrijë” separatistin e organizimit politik.
Vullneti i pamasë i militantëve ka fituar betejën kundrejt arsyes intelektuale në Partinë Socialiste. Sipas zakonit, kongresi do të hakërrehet ndaj zakoneve prapanike dhe mediatike të LMN. Draft-statuti i ri i “Politikës së Re” pritet të shpallë formalisht në Kongresin e prillit centralizimin e pushtetit brenda partisë në duart e një njeriu - kuptohet ai është Edi Rama. Me këtë statut totalitar nuk ka më mendim Ndryshe, por kurdisje të sahatit mendor me atë të faradizimit të mendimeve siç u ka ndodhur pallateve në Tiranë, pra një konformizëm dhe një njësim të ideve politike poshtë lyerjes demokratike. Në kësisoj rastesh, neutralizimi i mendimeve është zgjidhja përfundimtare dhe për fat të keq Edi Rama është pikërisht iniciatori.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›