Ligji i SHISH, të enjten në seancë plenare

PD: Amendamentet, sipas modelit të vendeve të NATO-s dhe BE-së
Komisioni Parlamentar i Sigurisë pritet të shqyrtojë sot nen për nen projektligjin për Shërbimin Informativ të Shtetit. Komisioni i Sigurisë Kombëtare, në cilësinë e komisionit përgjegjës, organizoi dje, një seancë dëgjimore për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998, Për Shërbimin Informativ të Shtetit, të ndryshuar”. Në këtë seancë deputetët dëgjuan hartuesit e këtij projektligji, përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave, si dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror, nëpërmjet Drejtorit të këtij Shërbimi, ku u njohën në hollësi me punën e tyre të përbashkët. Oratorët bën të njohur se këto ndryshime demokratike bëhen të nevojshme për shkak të sfidave me të cilat përballet SHISH, qoftë në nivel lokal, qoftë në atë global, për mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe në përputhje me strategjinë kombëtare të sigurisë. Ndryshimet që propozohen zgjerojnë dhe saktësojnë detyrat e SHISH kundër terrorizmit, trafikut të armëve, lëndëve narkotike, trafiqeve të paligjshme, krimit të organizuar, korrupsionit të personave që kanë funksione publike, etj. Duke u mbështetur në përvojën e sotme të vendeve anëtare të NATO-s dhe BE, këto ndryshime respektojnë standardet demokratike dhe rritin transparencën e këtij institucioni ndaj publikut, duke ftuar, për herë të parë, edhe opozitën të japë mendimin e vet për emërimin e Drejtorit të SHISH. Por, për fat të keq, në këtë mbledhje, opozita nuk mori pjesë, edhe pse Leoanrd Demi kontaktoi personalisht me Gramoz Ruçin për rëndësinë që ngërthen ky projektligj dhe që kolegët opozitarë duhet të japin kontributin e tyre konkret. Në këtë seancë dëgjimore morën pjesë ekspertë nga Institucionet ndërkombëtare (përfaqësues të misionit OBDAT, si dhe përfaqësues të misionit EURALIUS të Bashkimit Evropian). Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka vendosur që sot të diskutojë projektligjin nen për nen dhe të marrë vendimin përkatës. Duke përfituar nga ky rast, deputetët e shumicës ftojnë, edhe një herë, kolegët opozitarë të zënë vendet e tyre në Komision Sot është seanca e fundit e shqyrtimit të draftit ligjor, pasi të enjten ai kalon në Kuvend për të marrë votat e deputetëve. Partia Demokratike shprehet se ligji nuk ka asnjë amendament antikushtetues, siç kanë pretenduar disa qarqe të ngushta me opozitën. Mazhoranca argumenton se ligji është hartuar nga ekspertët më të mirë SHISH në bashkëpunim me ata të qeverisë. Polemikat më të ashpra erdhën si rezultat i kokëfortësisë së treguar nga pala opozitare, të cilët edhe pse nuk morën pjesë në asnjë prej seancave të diskutimit në komisionin e ligjeve, reaguan në distancë, duke shprehur “pakënaqësi” ndaj këtij ligji pa i hedhur qoftë edhe një sy të vetëm draftit, i cili pritet që pas dy ditësh të marrë votat e duhura në Kuvend.
...