I dërguari special i OSBE-së, vlerëson reformat integruese të qeverisë

Berisha: “Pranojmë amendamentet e opozitës sipas rekomandimeve dhe parimeve kushtetuese”
Kreu i qeverisë Sali Berisha i konfirmoi të dërguarit special të OSBE-së, qëndrimin e shumicës parlamentare për draftin e depozituar nga opozita në Kuvend. Gjatë një takimi të zhvilluar dje në Kryeministri shefi i qeverisë bëri një përshkrim të situatës politike në vend duke vënë theksin tek propozimet për kompromis që mazhoranca i ka ofruar opozitës, të cilat përfshijnë hetimin dhe hapjen e kutive nga Prokuroria mbi bazë të provave, shqyrtim bilateral të çdo çështjeje, me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me gjyqësorin, si dhe pranimin e të gjitha amendamenteve të propozuara nga opozita, sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR dhe KiE, duke respektuar parimet kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare.
Berisha bëri një ekspoze të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare të fokusuara në plotësimin e kritereve dhe standardeve të kërkuara për realizimin e projekteve më madhore për shqiptarët, integrimin në BE dhe liberalizmin e vizave. Në këtë kontekst, Berisha nënvizoi rëndësinë e arritjeve të standardeve më të larta në procesin zgjedhor, të cilat u konkretizuan në zgjedhjet e qershorit 2009, zgjedhje të certifikuara edhe nga komuniteti ndërkombëtar.
Në vijim të takimit, kryeministri Berisha vlerësoi rolin e Kazakistanit si vendi kryesues i OSBE-së për vitin 2010, në qetësimin konflikteve të ngrira në zonën e OSBE-së.
Konstantin Zhigalov falënderoi kryeministrin Berisha dhe qeverinë për mbështetjen që i ka dhënë Kazakistanit për kryesimin e OSBE-së si dhe për bashkëpunimin me Prezencës e OSBE-së në Shqipëri. Zhigalov i shprehu vlerësimet kryeministrit Berisha, për arritjet në reformat dhe në zhvillimin e madh të vendit në të gjitha fushat, si dhe e përgëzoi atë për arritjen e qëllimit madhor për Shqipërinë, anëtarësimin në NATO duke uruar sukses edhe në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Kryeministri Berisha shfrytëzoi këtë takim për t’i transmetuar përshëndetjet e tij më të përzemërta Presidentit të Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev dhe duke shprehur kënaqësinë për një vizitë të Tij në Shqipëri.
Konstantin Zhigalov i bëri me dije kryeministrit Berisha mbi organizimin e Samitit të OSBE-së në Astana, duke i përcjellë kryeministrit Berisha ftesën për të marrë pjesë në këtë eveniment të rëndësishëm, i cili pritet të zhvillohet në fund të këtij viti, ftesë të cilën Kryeministri Berisha e pranoi me shumë kënaqësi.
Kreu i qeverisë gjeti rastin t’i shprehë mirëseardhjen Zhigalov dhe anëtarëve të delegacionit dhe falënderoi për ndihmën dhe mbështetjen që OSBE i ka dhënë Shqipërisë nëpër vite, veçanërisht në proceset e demokratizimit dhe të reformave zgjedhore, procese të cilat kanë qenë një ndihmë e rëndësishme në rrugën e Shqipërisë për anëtarësim në NATO dhe në BE.
Në këtë takim i Dërguari Special i Kryetarit në Detyrë të OSBE-së shoqërohej nga Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bosch.
Zhigalov garanton Metën për kandidaturën e Shqipërisë, si kryesuese e OSBE-së në 2014
I dërguari special i kryetarit të OSBE-së, Konstandin Zhigalov, deklaroi gjatë një takimi me Zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta, se palët politike duhet të fillojnë nga puna për hartimin e reformës së re zgjedhore.
Zhigalov vlerësoi nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe OSBE-së dhe njohu Zëvendëskryeministrin Meta me prioritetet e Kazakistanit gjatë kryesimit të OSBE-së, ku spikat ndihma për stabilizimin e Afganistanit dhe mbajtja e një Samiti të krerëve të Shteteve anëtare të OSBE-së në fund të këtij viti.
Nga ana e tij Zëvendëskryeministri Meta theksoi se “këtë vizitë e konsiderojmë si një sinjal të rëndësisë dhe mbështetjes që Kryesia juaj i jep Misioneve të OSBE-së në konsolidimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor në Ballkanin Perëndimor”. Në këtë kuadër, Meta shtoi, “Shqipëria vlerëson rolin e Pranisë së OSBE-së në Shqipëri dhe është e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin me të, në përputhje me nevojat dhe prioritetet strategjike të vendit”.
Zëvendëskryeministri Meta gjithashtu shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të mbështetur prioritetet e Kazakistanit, si dhe çmoi vëmendjen që Kryesia i kushton stabilizimit të Afganistanit dhe informoi Zhigalov për kontributin që jep Shqipëria në kuadër të ISAF.
Duke u ndalur tek oferta e Shqipërisë për marrjen e Kryesisë së Radhës së OSBE-së në vitin 2014, Zëvendëskryeministri Meta theksoi se ajo përbën një prioritet shumë të rëndësishëm të politikës së jashtme të Shqipërisë. “Kandidatura jonë mbështetet në përkushtimin e palëkundur ndaj vlerave të OSBE-së dhe në zbatimin e vazhdueshëm të detyrimeve dhe normave të Organizatës”, shtoi Meta.
Me tej, Meta informoi për përgatitjet që po ndërmerr Ministria e Punëve të Jashtme për të siguruar një kryesim të suksesshëm të Organizatës.
Zhigalov nënvizoi se Kazakistani mirëpret kërkesën tonë dhe siguroi se do të gëzojë mbështetjen e vendit të tij, në momentin e marrjes së vendimit, gjatë mbledhjes së radhës së Këshillit Ministerial të OSBE-së, që do të mbahet në Vilnius në fund të vitit 2011.
Në fund të bisedës Meta dhe Zhigalov shprehën bindjen se kjo vizitë do t’i shërbejë thellimit të marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kazakistanit në të gjitha fushat, në veçanti në ekonomi, energjetikë, miniera dhe shkëmbime tregtare.