OSBE: Opozita të marrë pjesë rregullisht në Kuvend, thyerja e bojkotit rruga e duhur

OSBE shprehet se opozita shqiptare nuk duhet të mjaftohet vetëm me thyerjen e bojkotit, por të marrë pjesë rregullisht në punimet e Kuvendit. Këtë deklaratë ka dhënë dje i dërguari special i Kryetarit në detyrë të OSBE-së, Konstandin Zhigalov, gjatë takimeve të zhvilluara me krerë të lartë të qeverisë dhe politikës në vend. Zyrtari i lartë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë konsideron të domosdoshme zgjidhjen e shpejtë të situatës politike dhe inkurajon faktorët në vend për të nisur nga puna hartimin e reformës zgjedhore. “Nga ana jonë, si kryesi e radhës e OSBE-së jemi shumë të kënaqur që Partia Socialiste zuri vendet e saj në Parlament. Në këtë kuptim, ne përshëndesim gatishmërinë e shprehur nga të dyja palët për të marrë pjesë në komisionin hetimor parlamentar. Natyrisht sipas kuptimit tonë kjo është një çështje e brendshme që u takon forcave politike të vendit për t’a zgjidhur atë, por bashkëpunimi parlamentar është i domosdoshëm dhe ne si OSBE jemi të gatshëm që të ndihmojmë në rast se një gjë e tillë na kërkohet. Gjithashtu, ne mendojmë se ka rëndësi vazhdimi dhe zhvillimi i reformave politike si edhe i reformës zgjedhore në vendin tuaj në zbatim të rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it”, u shpreh Konstandin Zhigalov. I Dërguari Special i OSBE-së, Konstantin Zhigalov ka ardhur në Shqipëri në kuadër të një vizite që Kryesia Kazake e OSBE-së po zhvillon në disa vende të Ballkanit Perëndimor.
...