Buxheti i 2010 konfirmon si prioritete rrugët, pagat dhe pensionet

Kryeministri Berisha përgënjështron propagandën bolshevike të së majtës për krizë ekonomike dhe konfirmon se politika e re e shkurtimeve buxhetore nuk do të prekë projektet për investimet në rrugë të reja si dhe për një rritje tjetër të pagave dhe të pensioneve
Kryeministri Sali Berisha garanton të gjithë shqiptarët për rritjen e mëtejshme të pagave dhe pensioneve dhe njëherazi përqendrimin e investimeve në infrastrukturën rrugore. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, kreu i qeverisë u shpreh për vazhdimin e politikës progresive ndaj pagave dhe pensioneve. Berisha tha se qeveria do të shënojë kthesë edhe në drejtim të ngushtimit të deficitit buxhetor. Kjo në kuadër të një politike kursimi që megjithatë, siç theksoi kreu i ekzekutivit nuk prek investimet në infrastrukturë, reformën e qeverisë, për moshën dixhitale dhe mbi të gjitha rritjen e pagave dhe pensioneve. “Parashikimet që ka bërë Ministria e Financave do të përmbahen plotësisht. Ne në këtë vit do të shënojmë pa cenuar aspak interesat e qytetarëve shqiptarë duhet të shënojmë një kthesë të vërtetë në përpjekjen tonë për të ngushtuar deficitin buxhetor dhe për të ecur në drejtim të bllokimit të borxhit. Nuk është se unë personalisht ndaj ndonjë shqetësim serioz për borxhin, se kur je borxhli i mirë, nuk ke pse i druhesh borxhit dhe ne jemi borxhlinj të mirë, jemi kualifikuar të tillë. Mirëpo ka një problem, përqindja e borxhit ndaj prodhimit të brendshëm është një nga treguesit që kompanitë e retingut të sistemit financiar dhe bankar të vendit e përdorin më shumë. Retingu në vetvete apo klasifikimi ka rëndësi shumë të madhe për sektorin privat edhe për qeverinë ka por qeveria është më pak problematike, pasi rëndësi të madhe ka sektori privat, i cili do të detyrohet, që në një reting të pafavorshëm të marrë hua me interesa të pafavorshme. Ndaj edhe kjo politikë ashpërsie që ndërmerr qeveria frymëzohet dhe udhëhiqet para së gjithash nga interesat e mëdha të sektorit privat, të nxitjes së investimeve të huaja, të nxitjes së punësimit dhe të fuqizimit të ekonomisë së tregut. Por ne kemi përcaktuar si përparësi, nuk do të prekim investimet në infrastrukturë, në moshën dixhitale dhe tek burimet njerëzore, rrogat dhe pensionet do të rriten, siç kanë qenë të parashikuara”, deklaroi kryeministri Berisha. Gjatë mbledhjes së grupit kuvendor demokrat kryeministri paralajmëroi se në pak ditë, do të merret vendimi për dëmshpërblimin shtëpi më shtëpi të të gjithë banorëve në zonat e përmbytura. “Këto ditë ne marrim vendimin për dëmshpërblimin e plotë të të gjitha zonave të përmbytura. Dëmshpërblimi do të jetë i plotë, shtëpi për shtëpi dhe Qarku i Shkodrës ka bërë vlerësimet, mendoj me përgjegjësi të madhe. Një çështje e fundit, që kishte mbetur, u zgjidh edhe ajo, pasi ishte problemi për një sasi të konsiderueshme lavatriçesh, por qeveria do t’i qëndrojë fjalës që ka dhënë. Do të ç’dëmtohen ato që janë dëmtuar, kudo. Edhe në Maliq po të ketë të dëmtuar, sa janë të dëmtuar, Qarku po punon, ne u qëndrojmë plotësisht detyrimeve tona”, u shpreh më tej, kreu i qeverisë Berisha. Rrugët rurale, 400 milionë dollarë për ndërtimin e tyre Kryeministri Sali Berisha informoi dje për përpjekjet e qeverisë shqiptare në ndërtimin e infrastrukturës rurale. Kreu i qeverisë u shpreh se në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, i cili do të jetë dhe promotori kryesor apo institucioni kryesor përgjegjës për ndërtimin dhe rindërtimin e rrugëve rurale të vendit, janë disponibël 400 milionë dollarë. “Shuma të tjera janë në proces e sipër. Qeveria ka marrë vendim që në FSHZH të atashohet dhe ndërtimi i ujësjellësve jo të mëdhenj vendorë. Pra duke qenë se Fondi për ndërtimin dhe rindërtimin e rrugëve po ecën me sukses të madh, atëherë gjykuam që pranë këtij institucioni, të atashojmë edhe një pjesë të mirë të fondeve për ujësjellësit e vegjël dhe lokalë, në mënyrë që t’u përgjigjemi më mirë dhe më shpejt nevojave të komuniteteve për ujë të pijshëm”, tha kryeministri. Krahas këtij fondi prej 400 milionë, tha Berisha, Drejtoria e Rrugëve dhe Ministria e Punëve Publike, bashkë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, po shqyrtojnë mundësinë e teknologjive të reja të përdorura për rrugë ndër fshatçe, ose brenda fshatit. Teknologji që përdoren gjerësisht në Gjermani, Zvicër dhe vendet më të zhvilluara të Evropës, që lejojnë mundësi ndërtimi më të shpejtë dhe me një kosto më të arsyeshme, gjë e cila e bën edhe me optimist programin tonë për realizimin e tij, i cili synon, që nga çdo fshat i vendit në qendër të komunës, të mund të zbritet për 15-20 minuta dhe nga këto qendra komuna në rrugën kombëtare të mund të zbritet me të njëjtën kohë. Shefi i ekzekutivit deklaroi se qeveria është njësoj e vendosur, si në ndërtimin e akseve të mëdha, duke veçuar pas autostradës Tiranë-Elbasan, Boshtin e Jugut, për të cilin kryeministri tha se shumë shpejt do t’i paraqitet qytetarëve të këtij qarku. “Një projekt tashmë i përfunduar, projekt që shkurton vetëm në 42 kilometra distancën Memaliaj - Berat, pra në më pak se gjysmë ore dhe që është i përllogaritur me kosto dhe me të gjitha shpenzimet; në Elbasan paraqitëm projektin e autostradës Tiranë - Elbasan, apo segmenti i parë i Boshtit të Jugut; po përfundon projekti, duhet të kishte përfunduar, por kanë dalë disa probleme, projekti i rrugës së Arbrit, Ura e vashës Tiranë”, tha Berisha, në komunikimin e përjavshëm me deputetët demokratë.
...