E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Shqipëria ka shënuar transformime të mëdha falë reformave të qeverisë

18-04-2011 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit, njëkohësisht nënkryetarja e PD, Jozefina Topalli vijon prezantimin e kandidaturave të “Aleancës për Qytetarin” në komunat dhe bashkitë e qarkut të Shkodrës

Në vijim të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit Kryetarja e Kuvendit, njëkohësisht Nënkryetare e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli zhvilloi takime intensive në fshatra, komuna dhe bashki të qarkut të Shkodrës. Ajo prezantoi kandidatët për kryetar komune në Hajmel z.Lekë Bibaj, në Mnel Vig z. Pjetër Lleshi, në bashkinë e Vaut të Dejës z. Gjon Marku, në komunën Ana e Malit z. Arben Ceni, në komunën Dajç z. Arben Gjuraj, si dhe në bashkinë Velipojë z. Nikollë Marku.
Në të gjitha takimet e zhvilluara Kryetarja e Kuvendit evidentoi arritjet e këtyre viteve dhe transformimet e mëdha që këto komuna, ashtu si pothuajse e gjithë Shqipëria, kanë përjetuar falë reformave të suksesshme që qeveria Berisha dhe mazhoranca kanë çuar përpara.
“Para pak vitesh, tha Kryetarja Topalli, këtu në Velipojë s’kishte dritë, s’kishte ujë, s’kishte rrugë, s’kishte ujësjellës, s’kishte kanalizime, s’kishte argjinaturë, s’kishte perspektivë, s’kishte turizëm, s’kishte rrugë që të sillnin atë që ka sjellë Rruga e Kombit. Jo vetëm këtu në Velipojë, por në fakt kudo, në çdo cep të Shqipërisë që unë shkoj, në çdo fshat, në çdo komunë, në çdo qytet,  në çdo bashki, unë gjej një Shqipëri ndryshe. Ne prekim një Shqipëri ndryshe. Ne kemi bërë një Shqipëri ndryshe. Ne kemi trasnformuar vendin tonë. Ne i kemi dhënë perspektivë vendit tonë. Ne i kemi dhënë zhvillim vendit tonë. Ne i kemi dhënë rritje ekonomike vendit tonë. Ne u kemi dhënë rritje pagash qytetarëve tanë. Ne u kemi dhënë rritje pensionesh qytetarëve tanë. Ne kemi bërë shkolla të mira, moderne, me kompjuterë, me internet për fëmijët tanë, për vajzat tona, për djemtë tanë. Nga veriu deri në jug, në çdo cep të Shqipërisë kemi bërë të mundur të ketë infrastrukturë moderne. Ne kemi bërë të mundur që të dyfishojmë buxhetin. Ne kemi bërë të mundur që të jemi anëtarë të NATO-s, kemi bërë të mundur lëvizjen pa viza. Ne kemi bërë të mundur që të shpresojmë që në 2017-ën Shqipëria të jetë një vend i zhvilluar”- u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Krahas projekteve të shumta të realizuara gjatë këtyre viteve, zonja Jozefina Topalli garantoi mbështetjen e saj në vazhdimin dhe realizimin e projekteve të tjera të zhvillimit të të gjitha zonave të qarkut të Shkodrës.
“Ne kemi projekte të tjera edhe më të mëdha. Një pjesë prej tyre janë në proces. Nuk do të kursejmë asgjë, asnjë investim, asnjë financim për të bërë çdo gjë, çdo shërbim për të cilën komunat tuaja kanë nevojë ”- u shpreh zonja Jozefina Topalli.
Duke u bërë thirrje banorëve të komunave të Shkodrës për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 8 majit, Kryetarja e Kuvendit dhe Nënkryetarja e PD-së u kërkoi banorëve që të mbështesin kandidatët e “Aleancës për qytetarin” dhe projektet e tjera ambicioze që PD ka për këto zona.
“Unë me këtë rast i kërkoj secilit prej zonjave dhe zotërinjve që janë këtu, por edhe atyre që nuk janë këtu, miqve tuaj, kushërinjve tuaj, të afërmve tuaj, atyre që ju njihni dhe që i besoni, që të votoni për kandidaturat e “Aleancës për Qytetarin”, të votoni për Partinë Demokratike. Të bëjmë të mundur realizimin e projekteve tona të zhvillimit, të bëjmë të mundura investimet dhe të bëjmë realitet atë që secili prej jush e ëndërron për familjen e vet, për shtëpinë e vet, për fëmijët e vet, për fshatin e vet, për komunën e vet”- nënvizoi zonja Jozefina Topalli.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›