“Edi Rama është abuzues me pushtetin e tij dhe po krijon alibinë për humbjen e zgjedhjeve ët radhës”

Kandidati i dorëhequr për postin e kryetarit në PS, Arben Malaj konfirmon sot tërheqjen e tij nga kandidimi
TIRANE – “Edi Rama është abuzues me pushtetin e tij dhe po e ndërton karrigen e tij politike dhe garën brenda PS-së, si garë midis armiqsh, kur në fakt jemi koleg”.
Kështu e ka vijuar dje serinë e akuzave kandidati i dorëhequr për postin e kryetarit në Partinë Socialiste, Arben Malaj.
Duke e konsideruar garën politike brenda PS-së, si një garë armiqsh, Malaj konfirmoi se “pas një konsulte me miq dhe mbështetës të PS është tërhequr nga kjo garë”.
Në vijim të akuzave të tij, të nisura që pas përfundimit të Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS-së i cili zhvilloi punimet dy ditë më parë, kandidati për kryetar i kësaj partie, Malaj lëshoi një sërë akuzash për kryetarin në detyrë, Edi Rama duke thënë se “Partia Socialiste ka nevojë për një frymëmarrje të re”.
Duke e cilësuar garën politike brenda PS-së, si një garë armiqsh, Malaj konfirmoi tërheqjen nga kjo garë duke shtuar se “të hënën do komunikojë zyrtarisht vendimin e tij për tërheqjen nga kandidimi”.
“I kërkoj ndjesë medias, për mënyrën se si Kongresi u kufizoi transparencën e cila është pjesë e misionit tuaj. Kërkoj ndjesë për atë fjalim aq denigrues që kryetari në ikje (të paktën moralisht është i ikur), drejtoi aq shumë akuza ndaj medias të vendit të tij dhe nuk afroi një opsion se si media ndihmohet të jetë sa më e pavarur dhe që ajo të plotësojë misionin e saj fisnik”, tha Malaj.
Sipas tij “në gjithë fjalimin e tij, Rama nuk tha asnjë fjalë për atë që mund të bënte më mirë si lider i PS-së. Në fjalimin e tij nuk kishte vetëm agresivitet në raport me mazhorancën, por ai fjalim ishte i bazuar me një frymë armiqësore brenda vetë PS-së“, vijoi Malaj.
Një lider i tillë me një pushtet absolut dhe që nuk merr përgjegjësinë e humbjes, sipas zotit Malaj “është një investim i keq për këtë vend”.
“Nëse Rama do të kishte marrë përgjegjësinë të qartësonte çfarë ne nuk bëmë mirë dhe jo thjesht çfarë bëri keq Berisha, do të kishte vend për një konkurrim, por nuk mund të konkurosh me një njeri që në bindjen e tij është një lider me pushtet absolut”, tha më tej Malaj.
Sipas tij “Rama është abuzues me pushtetin e tij dhe po e ndërton karrigen e tij politike dhe garën brenda PS-së, si garë midis armiqsh, kur në fakt jemi koleg. Unë ndiej përgjegjësinë të paktën mos t’i japim atij aksesin të krijojë alibinë e radhës për humbjen e tij që për fat të keq do të jetë humbja e socialistëve. Ai humbi një garë morale dhe ne dëgjuam fjalimin e një lideri i cili pasi nuk fiton dot një palë zgjedhje parlamentare dhe pasi kalon në opozitë shumicën e njerëzve të ndershëm të këtij vendi, tashmë është i gatshëm të bëjë një luftë armiqësore midis kolegëve të tij të PS-së“, tha më tej Malaj.
Deputeti i Partisë Socialiste Arben Malaj, reagoi edhe për deklaratën e kreut të PS, Edi Rama, sipas të cilit nuk ishte në dijeni të tërheqjes së Malajt nga kandidimi.
“Nuk kam dijeni për tërheqjen e Malajt. Nëse është e vërtetë do më vinte keq. Ky proces është i rëndësishëm”, u shpreh Rama dje para gazetarëve.
Pas këtij deklarimi të Ramës, Malaj deklaroi se, “Edi Rama gënjen për tërheqjen sepse kjo i është thënë në sy, ballazi pas fjalimit në Kongres, duke sqaruar fare mirë se do të tërhiqem”.
Malaj tha se ia kishte komunikuar në sy Ramës tërheqjen që pas fjalës që kryetari në detyrë mbajti në kongres.
Në argumentin e lënies së garës, Malaj tha se nuk mund të vazhdonte në një frymë armiqësie të nxitur nga fjala e Ramës në Kongres. Ai ka njoftuar se sot do të ketë një konferencë shtypi bashkë me mbështetësit e tij ne Partine Socialiste për të dhënë të gjitha argumentet për largimin nga gara dhe për situatën pas Kongresit të Jashtëzakonshëm.