“Kongresi i PS-së, i të 40-ve të Ramës dhe kongresi i zero-alternativës”

Flet Ferdinand Xhaferri
TIRANE – Partia Demokratike deklaroi se censura ishte standardi i vetëm në kongresin e një ditë më parë të Partisë Socialiste. Ferdinand Xhaferrit në emër të selisë blu e cilësoi mbledhjen e forumit më të lartë të socialistëve, si të 40-at e Edi Ramës.
“Dje nuk u zhvillua kongresi i PS. Dje u mbajt kongresi i të 40-ave të disfatës elektorale të Edi Ramës. Censura është i vetmi standard që ka instaluar Edi Rama në PS. Të gjithë pamë se si mercenarët e Edi Ramës kërcënuan kundërshtarët e tij politikë, se si mercenarët e Edi Ramës kërcënuan edhe gazetarët. Elementi i dytë që u vu re: është për të ardhur keq, por dje u mbajt kongresi i zero-alternativës. Për gjithçka u fol dje në kongresin socialist, por vetëm për alternativë nuk u tha asnjë fjalë. Elementi i tretë që u vu re: votimi i fshehtë është shpallur në kërkim në PS. Elementi i katërt: për demokracinë e brendshme, alternativën e shpalosi përfaqësuesi kryesor i politikës së re, Gramoz Ruçi”, e komentoi kongresin e PS Ferdinand Xhaferri .
I pyetur e se kur do të mbahet kongresi zgjedhor i Partisë Demokratike, ndërsa ai u përgjigj se partia e tij është ende në festë dhe nuk ka nevoje për kongres.
“Ne jemi në festë. Kuvendin e PD e shprehën qytetarët shqiptarë në 28 qershor që e ricikluan zotin Berisha për një mandat të dytë si kryeministër”, tha Xhaferri.