E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama, frikën për t’u përballur me Sali Berishën, e quajti ‘politikë e re’”

Megjithëse Partia Socialiste ka arsye dhe detyrim të njohe dhe të respektojë meritat e gjithë secilit pa përjashtim, sot Partia Socialiste nuk ka mundësi t’u japë shqiptarëve atë për të cilën ata e votuan: ndryshimin. Ne nuk i fituam zgjedhjet dhe nuk kemi mundësi ta ndryshojmë Shqipërinë. Kjo është e trishtueshme për secilin prej nesh. Nuk ka sot socialist të lumtur në mes tonë. Shpresa dhe mundi ynë për një Shqipëri më të mire, nuk u kthye dot në një mundësi për të qeverisur Shqipërinë. Ne jemi në opozitë... Dhe pyetja që çdo shqiptar ka drejtuar drejt nesh sot është vetëm një: Pse nuk fituat? Ne jemi të detyruar të përgjigjemi. Ky kongres është vendi ku duhet të përgjigjemi, kjo është dita. Në se nuk e bëjmë siç duhet, do na kthejnë krahët, sepse shumica prej tyre e dinë të vërtetën. Ata kane votuar, ne kemi numëruar. Ata kane humbur, ne nuk kemi fituar. Ata kanë shpresuar, por Sali Berisha qeveris... Meqë këto ditë ka pasur nga kolegët shumë pikëpyetje në lidhje me zgjedhjet unë dua tju shtroj disa pyetje miqtë e mi, në radhë të parë për të sqaruar të vërtetën për të cilën kam më shumë nevoje se për gjithçka. Dikush ka thënë se komisionerët tanë u shiten. Unë ju pyes. Kush prej nesh u shit? Dikush ka thënë se komisionerët tanë dhe numëruesit ishin të paaftë. Unë ju pyes kush prej nesh ishte i paaftë? Dikush ka thënë se komisionerët tanë numëruan gabim votat tona? Unë ju pyes kush numëroi gabim. Dikush ka thënë se kutitë u ndryshuan? Unë ju pyes cilat kuti dhe kush prej nesh kishte detyrimin ti mbronte ato...? Nxjerrja e se vërtetës është një detyrim për vendin dhe jo vetëm për ne socialistët. Por në se e ndërtojmë alibinë tone mbi shpifjen për qindra socialistë të pafajshëm atëherë kemi bërë një krim tjetër në të cilin unë nuk mund të marr pjese dhe të cilin e refuzoj. Të akuzosh të tjerët për të fshehur një problem do të thotë të shtosh edhe një problem të ri. Dhe unë mendoj se ne po i shtojmë Partisë Socialiste një problem të ri. Duke dashur të mbrojmë një njeri që nuk pranon të vërtetën po hedhim baltë mbi Partine Socialiste. Ne na mungojnë gati 25 mije vota për të ardhur ne pushtet dhe unë nuk mund të bindem se 25 mije vota janë zhdukur nga kutitë tona. Diferenca jone me te djathtën është sot 25 mije vota dhe kjo diference sipas meje ka disa arsye qe nuk lidhen vetëm me cilësinë dhe deformimet e zgjedhjeve. Kjo më bën të mendoj dhe ta kërkoj të vërtetën edhe diku tjetër. Unë besoj se dështimi elektoral nuk lidhet vetëm me deformimin e votës. Besoj se ka edhe arsye te tjera për te cilat nuk mund te heshtim. Nëse heshtim, kemi bërë një gabim që do të na kushtoje shume ne te ardhmen. Unë mendoj se ne nuk fituam edhe për shkaqe qe varen nga ne dhe vetëm nga ne. Besoj se një nga shkaqet ishte dobësia e koalicionit tone dhe për këtë nuk mund t’ua vëmë gishtin as komisionerëve dhe as numëruesve. Nuk janë ata përgjegjës qe koalicioni ynë pati pese parti dhe koalicioni i djathte pati 17 parti te cilat mblodhën ne total me shume vota se ne. Kush i premtoi Partisë Socialiste se do ta bashkonte të majtën në vitin 2005. Ky njeri nuk ishte as komisionerë dhe as numërues por ishte Kryetari i Partisë Socialiste. Njeriu që bëri këtë premtim na dha garanci deri ditën e fundit se ne nuk kishim arsye të kërkonim koalicione me te gjera, sepse votat tona ishin te mjaftueshme. Koha provoi se ai jo vetëm e kishte gabim por se ishte edhe i paaftë për të bërë parashikimin e duhur. Ky njeri rrëzoi për shkaqe të dobëta të gjitha urat që bashkonin të majtën duke ia bërë të pamundur Partisë Socialiste të kapërcente hendekun e votave që e ndante nga e djathta. Sot ka shume njerëz qe ankohen për këtë gjë nën zë, por kjo është pikërisht dita për ta kthyer zërin tonë në kor. Unë mendoj se ne nuk fituam edhe për shkak të paqartësisë se programit tone dhe për cilësinë e tij nuk u zotua asnjë komisioner dhe asnjë numërues. Programin fitues e mori përsipër Kryetari i Partisë Socialiste i cili takoi popullin për dy vjet rresht duke premtuar të hidhte në letër të gjitha mendimet dhe nevojat e tij. Unë ju pyes sot ku është ky program? A ka ndonjë delegat, qoftë ai anëtar partie, kryetar, sekretar, kandidat apo çfarëdo i cili mund te me tregoje programin e partisë? A ka ekzistuar ky program dhe nëse po kush e ka? Dhe nëse dikush e ka në formën e një letre apo të një broshure me të cilën mund të bënte fushate ne lagjen apo ne fshatin e tij, çfarë thoshte ai program për rrogat, për varfërinë, për pensionet, për energjinë, për ujin, për bujqësinë, për administratën, për ekonominë, për taksat, për rrugët, për ujësjellësat, për të rinjtë, për të moshuarit, për gratë, për të pastrehët, për të papunët, për shtetin e se drejtës, për integrimin, për veriun dhe për jugun, për malësinë dhe bregdetin, për vizat, për reformat dhe në fund të fundit për Shqipërinë. Për të gjithë ata që duan të mbrohen unë ju jap vetëm këtë ngushëllim: ne kishim fjalë por nuk kishim program dhe a e dini pse? Sepse Edi Rama tha: programi quhet Edi Rama. Por me sa duket Shqipëria nuk donte një njeri por një parti. Shqipëria nuk donte vetëm një parti por një koalicion. Shqipëria nuk donte një fjale por një premtim. Me vjen keq ta them por këto ne nuk i kishim. Ne folëm por nuk premtuan. Ne folëm por nuk u zotuam. Ne folëm por nuk bindëm. Ne akuzuam por nuk gjykuam. Ne thamë si prishet por nuk thamë si rregullohet. Ne treguam sëmundjen por nuk gjetëm ilaçin. Ne i thamë Shqipërisë qe nuk do qeverisesh as nga një parti, as nga një program, as nga një ideologji por nga një njeri. Në këto zgjedhje Shqipërisë i mungoi e majta dhe ne kemi detyrimin ti kthejmë vendit atë që i mungon. Një parti e cila nisej nga ky program dhe nga kjo ide do ta kishte shume me te lehte ballafaqimin elektoral. Ne do ishim me te furnizuar me ide, me projekte dhe argumente. Sigurisht edhe kryetari i partisë sonë do ta kishte më të lehtë të dilte në debat me kundërshtarin duke e mundur në duel. Edhe ata që duan ta mbrojnë me çdo kusht Edi Ramën, besoj se nuk ia falin dot, që në emër të Partisë Socialiste, në emër të ndryshimit nuk doli në debat publik me Sali Berishën. Mendoj se kjo është e pafalshme dhe pyetja ime është pse nuk e kërkoi këtë debat. Nëse me pyesni unë mendoj se ai kishte frike. Votuesit e kuptuan se Sali Berisha nuk mund të mundej duke dale çdo dite te dera e partisë, por vetëm ballë për ballë. Edi Rama nuk e bëri këtë dhe friken e tij e quajti politike e re. Bota prodhon për ditë politikane të rinj të cilët kërkojnë dhe arrijnë ti mundin politikanet e vjetër duke i ftuar dhe duke i mundur ne duel. Ne rastin tone kjo nuk ndodhi. Por edhe nëse kishte frike, apo pasiguri, këtë gjë duhet ta konsideronte një detyrim. Një detyrim për ti dhënë kurajë Partisë Socialiste dhe shoqërisë e cila e bën diferencën mes kundërshtarëve kur ata ndeshen dhe jo kur ata rrinë në qoshe të ringut. Kush prej nesh mendon se është normale që kandidatët të dilnin nëpër debate dhe sigurisht mirë bënë dhe kryetari i partisë të mos bënte të njëjtën gjë? Kjo kurajë e domosdoshme për një lider i mungoi Kryetarit të Partisë sonë. Për të gjithë ata që besonin se Edi Rama e mund Sali Berishën, ky ishte çasti për ta provuar këtë gjë. Në të kundërt ai jo vetëm qe nuk doli në debat publik në emrin tonë, por as nuk kandidoi, dobësi që shumë nga ne besojnë se ka ndikuar në sigurinë e fushatës sonë. Shqiptarët menduan se mungesa e kandidimit ishte një parathënie e humbjes. Kandidimi ishte një detyrim te cilit kryetari i Partisë Socialiste iu shmang dhe kjo nuk i kushtoi vetëm atij por gjithë Partisë Socialiste. Kryetari i Partisë Socialiste dha përshtypjen se parlamenti dhe deputetet janë një gjë e panevojshme gjë që në disa raste e ka thënë. Por pse duhet te votonin shqiptarët për deputetet e Partisë Socialiste, kur kryetari i tyre refuzonte me bezdi të ishte njeri ndër ta? Edi Rama i tha partisë që drejtonte: Ju jeni të majte, por unë nuk jam. Ju jeni politikane, por unë jam qytetar. Ju jeni politike e vjetër, por unë jam politike e re. Ju doni te kandidoni, por unë nuk kandidoj. Ju dilni ne debat, por unë nuk dal. Ju numëroni, unë fitoj. Ndërsa sot po i thotë: ju numëruat keq dhe unë prape fitoj... Fjala e mbajtur nga rivali i Edvinit ne kongresin e djeshem, e cila u censurua nga "gorillat" qe kishte ngarkuar Rama per te intimiduar mediat dhe fjalen e lirë brenda Kongresit

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›