E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapaciteti turistik i Bregut është 30 herë më i madh nga ai që shfrytëzohet sot

Kryeministri Berisha vijoi turni e inaugurimit për fillimin e punimeve në disa akse të rëndësishme që lidhin rrugën e bregut në jug me pjesën bregdetare. Kështu, Jala, Dhërmi dhe Palasë do të kenë së shpejti rrugët e reja të brendshme, por kjo sipas kryeministrit Berisha nuk duhet të shikohet nga banoret si një tokë e premtuar për ndërtimet pa leje pasi në të kundërt paralajmëroi ai ligji do të veprojë me të gjithë forcën e tij.



Rruga e plazhit Palasë


Kryeministri Berisha vizitoi dje disa fshatra të Bregut të Jonit, ku inauguroi fillimin e punimeve për ndërtimin e disa rrugëve të rëndësishme që zbresin drejt detit. Kryeministri Berisha shoqërohej në këtë vizitë nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi dhe drejtues të pushtetit vendor. Fillimisht, Kryeministri Berisha u ndal në Palasë dhe inauguroi fillimin e punimeve për rrugën e plazhit Palasë, investim me vlerë 10 milion euro. Projekti i rrugës, që fillon në Palasë dhe shkon deri në Kakome dhe në Shën Vasil, përfshin 8 rrugë të shkurtra që lidhin fshatrat e kësaj zone me bregun, me gjatësi të përgjithshme prej 25 kilometra.


Kryeministri Berisha e konsideroi ndërtimin e kësaj rruge shumë të rëndësishme, pasi ajo përmirëson ndjeshëm infrastrukturën jo vetëm për komunitetin lokal, por edhe për turistët që zgjedhin bregun e Jonit për të kaluar pushimet.


Kryeministri Berisha u shpreh se, “ky sjell një përmirësim jashtëzakonisht të rëndësishëm të infrastrukturës për komunitetin lokal dhe për turistët e panumërt që vijnë për të kaluar pushimet në bregun e Jonit. Këto rrugë do të përfundojnë përpara fillimit të sezonit të ardhshëm turistik dhe pushuesit e panumërt që frekuentojnë Bregun do të gjejnë vitin e ardhshëm një Breg me infrastrukturë shumë më moderne dhe shumë më të përshtatshme”.


Ndërtimi i kësaj rruge, theksoi Kryeministri, është një premtim i dhënë që po mbahet. “Ne kemi premtuar se do të asfaltojmë çdo rrugë që zbret drejt detit dhe ne këtë po bëjmë”, u shpreh midis të tjerave Berisha.


Kryeministri Berisha tha se e njëjta platformë që ekziston për rrugët do të zbatohet edhe për furnizimin me ujë të pijshëm.



Rruga e plazhit Jalë


Rruga e plazhit Jalë, ka një gjatësi 5 kilometra dhe vlerë investimi 210 milion lekë.


Gjatë inaugurimit Kryeministri Berisha u shpreh se, “gabojnë shumë rëndë ata që ndërtojnë në Breg pa leje. Ligji do të veprojë në të gjithë zonën turistike dhe në të gjithë vendin”.


Më tej kreu i shtetit tha ndër të tjera se, “kjo rrugë, që të çon në një nga perlat e brigjeve shqiptare, në Jalë, e bën këtë zonë lehtësisht të arritshme nga turistët vendas e të huaj. Qeveria e mbrojti Jalën, që e kishte ngërthyer mafia me të gjitha tentakulat e saj dhe e reklamonte në Evropë si pasurinë e saj. Tani pasuria është e zotëve të vet, është e komunitetit dhe nuk do mundet askush, në mënyrë absolute, të pushtojë qoftë edhe një metër katror pa lejen e autoriteteve vendore”.


Kryeministri Berisha bëri apel që të gjitha ndërtimet në këto zona të jenë në respektim të ligjit, duke ruajtur e mbrojtur jo vetëm zonat turistike të vendit, por të gjithë territorin nga ndërtimet pa leje.


“Dua të theksoj se gabojnë shumë rëndë ata që ndërtojnë në Breg pa leje. Ligji, vijoi Kryeministri, do të veprojë në të gjithë zonën turistike dhe në të gjithë vendin. Ne kemi bërë një ligj shumë të mirë për të mbrojtur territorin dhe për t’u dhënë mundësinë të gjithë qytetarëve të ndërtojnë pa asnjë lloj shqetësimi. Ndaj u bëj thirrje që t’u referohen ligjit. Plani urbanistik i qeverisjes vendore, që do të bëhet në përputhje me masterplanin e hartuar nga qeveria shqiptare, i jep mundësi zhvillimit më të shkëlqyer të Bregut dhe në interesin më të madh të komunitetit që jeton këtu”, u shpreh në fund të fjalës së tij Kryeministri Berisha



Rruga e plazhit Dhërmi


Gjatë vizitës në Bregun e Jonit, Kryeministri inauguroi fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës së plazhit Dhërmi, me gjatësi rreth 15 kilometra dhe vlerë investimi 69 milion lekë. Pas ceremonisë së inaugurimit, Kryeministri Berisha siguroi se Dhërmiu do të ketë një infrastrukturë tërësisht të re. Kryeministri i kërkoi Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve të bëjë projektet e rrugëve që kanë mbetur, në mënyrë që e gjithë zona e Bregut të ketë urbanizim të plotë, pasi ajo shfrytëzohet në çdo skaj të saj nga turistët.


“Ne duhet ta urbanizojmë tërësisht këtë zonë dhe kjo duhet të bëhet mundësisht para sezonit të ardhshëm turistik,” u shpreh Kryeministri.


Në bashkëbisedim me autoritete e pushtetit vendor, Kryeministri Berisha kërkoi përmirësimin e furnizimit me ujë. Sikundër po veprojmë me rrugët, ne, tha Kryeministri duhet të ndërtojmë edhe ujësjellës në çdo fshat të zonës, pasi ato janë qendra shumë të rëndësishme turistike.


Duke u ndalur në iniciativën më të fundit të qeverisë për të siguruar kredi të buta për rritjen e kapaciteteve akomoduese për pushuesit, Kryeministri Berisha tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme që vetë banorët të zgjerojnë mundësitë e tyre pritëse, duke shtuar, aty ku munden, një kat apo një dhomë.


“Kapaciteti turistik i Bregut është 30 herë më i madh nga ai që shfrytëzohet sot. Vetëm Lukova ka 50 kilometër bregdet. Ndaj duhet të rrisim kapacitetet e banimit. Një nga mënyrat më të mira e të shpejta është që vetë banorët të zgjerojnë kapacitetet e shtëpive të tyre. Sikundër bashkisë së Himarës, Lukovës, Ksamilit, Sarandës qeveria do t’u disbursojë shumë shpejt fondet për të bërë planet urbanistike të rregullimit të tyre, ku do të përcaktojnë zonat e ndërtimit. Por, natyrisht, kjo kërkon një farë kohe, ndërsa plani për të ndërtuar një dhomë apo një kat më shumë është më i shpejtë”, u shpreh Kryeministri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›