Pazaret e drogës, ekzekutohet me thikë 27-vjeçari shqiptar
ITALI - Një 27-vjeçar shqiptar është gjetur i masakruar me thika dje në Kazerta të Italisë. I riu ka qenë në agoni të plotë kur është vënë re nga një patrullë policie, ndërsa dërgimi me urgjencë në spital nuk ia ka shpëtuar jetën. Dyshimet e para të policisë janë se autorët e vrasjes kanë qenë shqiptarë që kishin konflikt me viktimën për probleme të trafikut të lëndëve narkotike. Mësohet se konflikti që ka përfunduar me plagosjen e rëndë dhe çoi në vdekje Xhevahir Malajn, ka ndodhur për motive të prishjes së pazareve të drogës, pasi ai njihej nga policia italiane si një person me precedentë të shumtë penalë. Duke cituar burimet policore, agjencitë italiane të lajmeve pohonin se Xhevahir Malaj ishte gjetur i plagosur rëndë me armë të ftohta në orët e para të mëngjesit të djeshëm. "Një emigrant shqiptar, Xhevahir Malaj, me precedentë të shumtë penalë për përfshirje në shpërndarjen e lëndëve të jashtëligjshme është gjetur në agoni në orët e para të mëngjesit të sotëm nga një patrullë karabinierësh në provincën e Kazertës", pohonin dje burimet mediatike italiane. Bëhet e ditur se 27-vjeçari kishte një plagë të rëndë dhe të thellë të krijuar nga mjete prerëse në brinjën e majtë. Menjëherë ai është transportuar në reanimacionin e spitalit të Kazertës. Por për shkak të plagës së rëndë dhe humbjes së madhe të gjakut Malaj nuk ka mundur t'i bëjë ballë vdekjes. Mësohet se menjëherë pas ngjarjes karabinierët kanë nisur hetimet për të identifikuar agresorin që ka qëlluar mbi shqiptarin. Sipas burimeve bëhet e ditur se dyshohet se agresori që ka goditur me thikë mbi trupin e shqiptarit nuk ka qenë i vetëm. Policia nuk e ka pasur të lehtë as identifikimin e vetë viktimës Malaj. Kjo, për shkak se ai është ndaluar disa herë nga forcat e rendit, për arsye të përfshirjes së tij në shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe paraqiste identitete të ndryshme. Sipas burimeve policore të vendit fqinj, shqiptari është qëlluar nga bashkëkombës të tij. Dyshohet se grindja ka lindur për shkaqe që kanë lidhje me pazare të trafikut të lëndëve narkotike. Trupi i 27-vjeçarit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në spitalin Kazertës, ndërsa hetuesit po punojnë për ngritjen e pistave të para hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe të motiveve të saj. Forcat e policisë kanë bërë disa kontrolle banesash dje në zonën ku ndodhi ngjarja, ndërsa kanë marrë në pyetje disa emigrantë që kanë pasur kontakte kohët e fundit me viktimën e ngjarjes. Deri në orët e mbrëmjes policia nuk kishte emra konkretë personash të dyshuar për autorësinë e krimit, ndërsa precedentët penalë të viktimës janë bërë shkak për dyshime se ngjarja ka ndodhur si pasojë e ndonjë konflikti për larje hesapesh. Karabinierët po verifikojnë edhe aktivitetin e vetë viktimës, pasi dyshohet se disa implikime të tij që mund të kenë lidhje me ngjarjen e djeshme, janë ende të paqarta për policinë.