E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimi i Bashkisë së Tiranës, sektorët më të zhvilluar të industrisë së lehtë



Emanuela Sako

Bashkia e Tiranës ka kryer një studim të detajuar për sektorët më të zhvilluar të industrisë së lehtë në kryeqytet. Sipas studimit, industria e lehtë në rajonin e Tiranës është sektori i industrisë prodhuese më i zhvilluar për sa i përket kontributit që jep në shkallë vendi. Njëkohësisht është një element i rëndësishëm për punësimin e mjaft personave të kualifikuar, apo me nivel të ulët arsimor, sipas ndarjeve përkatëse. Specialistët e Bashkisë së Tiranës kanë përcaktuar në përqindje të gjithë aktivitetin e industrisë së lehtë që prodhohet në Tiranë, në krahasim me atë në shkallë vendi.
Studimi
Nga studimi janë përcaktuar sektorët më të zhvilluar të industrisë së lehtë, ku vendin e parë e zë prodhimi i birrës me 78 për qind, ndërsa vendin e dytë e zë prodhimi i vajit me 76 për qind. Në një renditje të saktë të të dhënave del se: prodhimi i birrës me 78 për qind; prodhimi i vajit me 76; prodhimi i pijeve alkoolike dhe freskuese me 61 për qind; prodhimi i sallamrave me 50 për qind; prodhimi i konservave të perimeve dhe frutave me 49 për qind; prodhimi i miellit me 44 për qind; prodhimi i qumështit me 18 për qind. Sipas specialistëve të Bashkisë, zhvillimi i kësaj industrie në Qarkun e Tiranës kushtëzohet në masën më të
madhe nga lehtësirat e zhvillimit të biznesit në kryeqytet. Këto kompani dhe industri si dhe performanca e orientuar drejt sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme me përqendrimin e tyre në tregti dhe shërbime, përfaqëson karakterin modern të qytetit dhe rajonit të Tiranës. Sipas Bankës së Shqipërisë në Tiranë janë vendosur 80% e sipërmarrjeve me kapital të huaj apo të përbashkët si dhe filiale, degë apo zyra përfaqësimi të shumë kompanive të njohura multinacionale. Fluksi i investimeve të huaja direkte në shoqëritë e huaja mund të vendosen sipas procedurave të ngjashme me ato që kërkohen për kompanitë shqiptare.
Punësimi
Përveç zhvillimit të industrisë, fakt i rëndësishëm është hapja e vendeve të punës për të gjitha kategoritë e qytetarëve. Në këta sektorë mund të punësohen një pjesë e personave me kualifikime të ndryshme dhe në sektorët përkatës, si dhe persona që nuk posedojnë arsimin e lartë. Kryeqyteti ka 226.000 forca pune dhe ofrohen rreth 23% të forcave të përgjithshme të punës në vend. Forcat e punës në Qarkun e Tiranës përbëjnë rreth 31% të popullsisë së vendit. Në studim theksohet se në Tiranë gjenden forcat më të kualifikuara të punës në Shqipëri. Metropoli shqiptar është qyteti me numrin më të madh të shkollave të të gjitha niveleve dhe llojeve. Për shkak të pozicionit të saj gjeografik si dhe aksesit të favorshëm ndaj tregut europian. Në Tiranë operojnë aktualisht rreth 21,000 biznese të vegjël të mëdhenj, dhe VIP, vendas dhe të huaj.

20 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›