E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti: Dërgesat e emigrantëve kanë rënë me 6.6 për qind në 6 muaj

Rreth 70% e dërgesave gjatë një viti përdoret për konsum

Ervin KOÇI

Dërgesat në para të emigrantëve shqiptarë gjatë 6 muajve të parë të këtij viti janë prekur në mënyrë të ndjeshme nga kriza ekonomike, megjithatë ato nuk kanë rënë aq sa ishin parashikimet fillestare. Të dhëna zyrtare të Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se dërgesat e emigrantëve kanë rënë me rreth 6.6 për qind në këta gjashtë muaj dhe kjo për shkak të krizës ekonomike që ka kapluar vendet ku jetojnë dhe punojnë emigrantët. Fakti që dërgesat e emigrantëve nuk kanë rënë në një vlerë shumë më të madhe, aq sa pritej në fakt, është një lajm i mirë për ekonominë shqiptare, por në anën tjetër kjo e dhënë dëshmon se ekonomia shqiptare është dëmtuar më shumë nga vetë ecuria e brendshme se sa nga elementë si dërgesat. Dërgesat e emigrantëve llogaritet se janë një prej stimuluesve kryesorë të konsumit në vend, ç’ka bën që shitjet të jenë në një nivel të mirë dhe për më tepër në kah rritës. Rënia e konsumit dhe sidomos rënia e madhe e shitjeve gjatë pjesës së parë të këtij viti në ekonominë tonë u mendua se kishte lidhje të drejtpërdrejtë me rënien e dërgesave të emigrantëve. Fillimisht dërgesat e emigrantëve llogaritej se do të binin me rreth 20 për qind dhe kjo llogari çoi në vlerësimin se rënia e konsumit dhe e shitjeve ishte më së tepërmi pasojë e uljes së dërgesave. Në të vërtetë ekonomia shqiptare i ka ulur shitjet për shkak të ngadalësimit të ekonomisë, mungesës së likuiditetit në treg, i cili ka vënë në vështirësi biznesin, uljes së eksporteve, por edhe të importeve, dhe në fund edhe prej remitancave.

Ulja e dërgesave

Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë konfirmojnë një reduktim të mëtejshëm të parave që emigrantët dërgojnë pranë familjeve të tyre në atdhe. Rënia e dërgesave nga emigrantët është pasojë e krizës që ka përfshirë të gjithë globin. Italia dhe Greqi, vende ku jetojnë pjesa dërrmuese e emigrantëve shqiptarë ndodhen në recension dhe po përballen me rritje të papunësisë. Nga ana tjetër pasojat i vuan edhe ekonomia, pasi nëpërmjet këtyre dërgesave financohet një pjesë e deficitit tregtarë. Në fund të vitit që kaloi dërgesat e emigrantëve pësuan një rënie prej rreth 17 për qind, por kjo ka ardhur duke u bërë më e madhe e shkak bazë është kriza ekonomike, të cilën po kalojnë vendet, në të cilat gjenden pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë. Sipas Institutit të Statistikave, rreth 70 për qind e sasisë së dërgesave që emigrantë sjellin në Shqipëri gjatë një viti përdoret për konsum. Gjithashtu, INSTAT-i në një studim të tijin para pak kohësh saktësonte se ndikimi i dërgesave të emigrantëve në shkallën e varfërisë në vend është shumë i madh. Studimi thotë se një ulje e dërgesave të emigrantëve me 50 për qind do të rriste me rreth 30-35 për qind shkallën e varfërisë duke pasur parasysh strukturën aktuale të ekonomisë s vendit. Kjo do të thotë se ulja e dërgesave të emigrantëve është vërtet një problem sot në Shqipëri dhe se ajo realisht ka ndikuar në shkallën e varfërisë. Qeveria shqiptare e ka të pamundur të ndikojë në sasinë e dërgesave të emigrantëve dhe fakti që ato kanë rënë në një nivel të tillë, nuk ka të bëjë aspak me punën e saj

Situata ekonomike

Ekonomia shqiptare është një ekonomi e strukturuar keq dhe është gjithnjë e gatshme të sulmohet në treguesit e saj bazë nga çdo ndryshim në tregun e huaj për shkak të nivelit shumë të lartë të importeve. Veç kësaj, ekonomia shqiptare ende ka një shkallë të vogël të shfrytëzimit të kapaciteteve, ç’ka e bën atë të dobët, ndonëse kriza e këtij viti për shkak të natyrës së saj, që goditi fillimisht sistemin financiar botëror, e ruajti Shqipërinë. Ekonomia shqiptare u shfaq elastike përballë kësaj krize për shkak të nivelit të ulët të pranisë së produkteve bankare në të dhe për shkak të izolimit të saj. Shqipëria, me gjithë ngadalësimin e madh, nuk ra në recesion dhe gjasat janë që ajo të mos bjerë.
Dërgesat e emigrantëve me rënien e tyre, ndonëse jo aq e ashpër, kanë ndikuar në ekonomi dhe më e pakta që ato kanë bërë është se nuk mundën të ndryshonin kahen e monedhës europiane euro. U mendua se gjatë verës, duke qenë se emigrantët vijnë në Shqipëri dhe sjellin valutë, euro do të dobësohej. Kjo nuk ka ndodhur dhe duket se do të vijojë të mos ndodhë edhe në muajt në vijim.

Xhepa: Ja pse u zhvlerësua leku

Zhbalancimi mes kërkesës dhe ofertës i stimuluar nga kriza ndërkombëtare dhe efektet e saj në ekonominë e brendshme janë arsyeja që leku ka pësuar zhvlerësim. Kështu e shpjegon Selami Xhepa, këshilltar i kryeministrit për ekonominë, nivelin e lartë të këmbimit të euros me lekun ndonëse sezoni turistik veror dhe kthimi i emigrantëve duhej të kishin shkaktuar efekt të kundërt. “Oferta valutore ka pësuar një rënie për shkak të reduktimit të të ardhurave nga eksportet dhe njëkohësisht fluksit të të ardhurave nga shërbimet, kryesisht nga aktiviteti turistik, por dhe shërbime të tjera si ato të transportit, të telekomunikacionit, etj. Në përgjithësi nuk kanë përballuar një kërkesë në rritje e cila është stimuluar më shumë nga kërkesa ë turizmit të brendshëm për më shumë mallra dhe shërbime që do të thotë se nga njëra anë kërkesa për importe është rritur, nga ana tjetër oferta monetare ne valutë të huaj për të përballuar këto kërkesa të rritura për importe nuk ka përballuar”- sqaron Xhepa. Por efektet e zhvlerësimit të lekut zoti Xhepa i sheh si sezonale dhe sipas tij pritet të ketë përmirësime të mundshme. Shkëmbimi i euros me rreth 130 lekë është i pazakontë për këtë periudhë të vitit dhe njëkohësisht rëndues për kredimarrësit në këtë valutë.

FMN: Rimëkëmbja ekonomike e botës kërkon kohë

Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaron se bota ka nisur të rimëkëmbet nga recesioni, por një rimëkëmbje e qëndrueshme do të kërkojë ide dhe veprime të reja nga ekonomitë e mëdha. Në një raport të lëshuar nga FMN i cituar dje nga RFE, këshilltari ekonomik në këtë fond, Olivier Blançard, ka thënë se rënia e shpejtë ekonomike, më e keqja në shtatë dekada, ka lënë shenja të “thella” financiare, të cilat do të prekin furnizimet dhe kërkesat për vite. Raporti thotë se rimëkëmbja e qëndrueshme globale do të kërkojë nga ekonomitë, që aktualisht kanë konsumim të madh të prodhimeve, si SHBA-të, të rifokusohen në rritjen e eksporteve të tyre. Ndërsa nga ekonomitë aziatike, si Kina, kërkohet që të ndërmarrin hapa për inkurajimin e qytetarëve, që të shpenzojnë më tepër dhe të rrisin kërkesat për eksport.

20 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›