E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama, gjezdisje në bazë për të shpëtuar fytyrën

Nisja e udhëtimeve cep më cep Shqipërisë nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, bashkë me qepjen e sloganeve të reja oksimore: “liro vizat, hap kutitë, çliro ekonominë” - të pakuptimta për çdo njeri me 12 vjet shkollë - ka për qëllim shpëtimin e fytyrës pas dështimit të aksioneve politike me protesta e greva urie. Këto ekskursione “falenderimi” kanë të vetmin funksion real, atë të narkotizimit të intelektit dhe ofrimin e një cope ose “kauze”, aty ku militantët a njerëzit e thjeshtë mund të ziejnë ujë e harxhojnë energji në debate shterpë mbi kutitë dhe transparencën e cunguar. Gjithsesi kjo teknikë narkotizimi, u pa edhe pas dështimit të grevës së urisë, ku Rama dhe liderë të një pjese të opozitës nxituan që ta paraqitnin mbylljen e grevës si fitore të një kauze që nuk ekzistonte. Sigurisht të gjithë e dimë se greva e urisë për pushtet, jo vetëm dështoi me sukses, por rezultoi bumerang për imazhin e liderit, sepse nuk pati asfarë efekti në tërheqjen e kryeministrit Berisha nga pozicionet që i garantonte Ligja dhe Kushtetuta (apo të ashtuquajturat ultimatume dyjavore të Edvinit).
Madje edhe një e përditshme e majtë shqiptare, analizoi para dy ditësh me një shkrim “ndriçues” se, greva ishte artificiale dhe më shumë erdhi si një tekë e liderit sesa zhvillim logjik i ngjarjeve. Megjithatë ekskursionet të Edi Ramës kanë për qëllim deformimin e realitetit, duke krijuar bombardime mediatike pesimiste që shtojnë frikën dhe ulin konsumin fiks në pragun e hapjes së sezonit turistik, kur arka e shtetit pritet të mbushet me të ardhura, të cilat do të përdoren në investime infrastrukturore.
Sidoqoftë brenda radhëve të bazës socialiste ka prej tyre që po e humbasin durimin nga një Udhëheqës që rreshton vetëm humbje të njëpasnjëshme. Fakti se greva u mbyll me turp, ndriçi edhe më mirë faktin se darka e “Krokodilit” ishte vetëm një darkë private, e stisur prej ndërkombëtarëve për t’i dhënë Edi Ramës një urë shpëtimi me njëfarë dinjiteti politik. Hyrja e tyre në kuvend dhe vetiu në komisionet e ndryshme parlamentare ka rikthyer normalitetin e munguar të jetës institucionale të këtij vendi, pa marrë në këmbim pothuajse asgjë, përpos darkës me kreun e PD-së. Trazimi i ujërave të politikës së re edviniane, tashmë është pranuar zyrtarisht, duke u përshkallëzuar në kërcitje të brendshme, e cila sipas logjikës normale, mbërrin deri te rrëzimi i kultit të biznesmenëve të betonit, por pa ide dhe ideologji në drejtimin e opozitës.
Bile zhgënjimi i radhëve militante ka filluar të alarmojë një pjesë të suflerëve të Ramës në rrethe, të cilët pasi kanë marrë urdhrat nga lart, po bëjnë gati listat e reja të gradimit brenda strukturave. Deri në fund të qershorit duhet të jenë zgjedhur 37 kryetarë rrethesh, të cilët, në bazë të statutit të ri do të hyjnë automatikisht si anëtarë me të drejtë vote në Asamblenë Kombëtare të partisë. Me ndryshimet e pritshme, Edi Rama duket se është kujdesur që të forcojë pozitat e tij si kryetar i PS-së duke parashikuar edhe mundësitë se kur është i detyruar të japë dorëheqjen, penalizimin e zërave kundër (LMN) përmes Komisionit të Disiplinës etj.
Sigurisht fjala “pushtet” nuk do të ekzistonte po mos të kishte për motër e vëlla fjalën “abuzim”. Afërmendsh këto ndryshime Statusore përkthehet në praktike politikës së përditshme në meremetimin e unit të Edi Ramës.
Natyrisht turi i tij në bazën socialiste ka për qëllim mbrojtjen e atij pak kapitali besueshmërie që ka në parti, duke përgatitur një fushatë tjetër “reformash” asgjësuese në strukturat drejtuese, çka përkon me afrimin e zgjedhjeve lokale. Prandaj angazhimi personal i kreut të PS-së në procesin zgjedhor brenda partisë, që paraqitet tejet delikat, për shkak se ai vë në diskutim ekuilibrat e brendshëm që do të duhet të ripërcaktohen pas gati një viti nga humbja e 28 qershorit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›