Edi Rama i dha leje për shesh ndërtimi Dash Pezës, pastaj i fali sheshin-rrugë për ndërtimin e pallatit
Dossier/Në vëmendje edhe të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama
(Vazhdon)
Abuzimi me truallin publik në qendër të kryeqytetit, kur rruga u dha si shesh për ndërtimin e një pallati nga Dash Peza, mbart shumë fakte denoncuese për Edi Ramën. Zanafilla e këtyre abuzimeve, vërehet që me procedurat për dhënien e lejes për shesh ndërtimi, kur ky shesh ende nuk ishte “prone” e “investitorëve” dhe se bashkia, përkundër kompetencave të saj, pretendonte t’ia shiste Dash Pezës. Ai shesh, edhe sot, nuk ju është shitur “investitorëve”, por është gjetur një rrugë “e re”, ju është dhënë me qira..., sigurisht për të ndërtuar një pallat.
Këto shkelje dhe të tjera që kanë pasuar këtë leje ndërtimi, janë pasuar me pezullim punimesh dhe bllokim të tyre, edhe nga qeveritë socialiste të para vitit 2005. Ende sot, punimet në këtë pallat janë të bllokuara, në pritje të një vendimi të Prokurorisë, për “fatin” e mëtejshëm të tij.
Leja për shesh ndërtimi mbi “sheshin” rrugë publike
Historia e abuzimit me pallatin e Dash Pezës, në qendër të kryeqytetit, pikërisht pas Qendrës së Biznesit “Veve” dhe Hotel “Tirana”, daton që në 22 shtator të vitit 2001. Edi Rama kishte vetëm një vit që ishte zgjedhur kryetar bashkie.
Në mbledhjen e saj të datës 22 shtator 2001, Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT) i Bashkisë së Tiranës me vendimin e tij nr. 22, miraton në parim sheshin e ndërtimit për pallatin e Dash Pezës.
Deri këtu, nuk ka asgjë anormale. Pikërisht, pas kësaj fillojnë abuzimet. Sepse kjo leje për shesh ndërtimi, u dha pa pasur realisht një shesh ndërtimi. Dhe për këtë, KRRT-ja e Bashkisë së Tiranës, kishte ofruar” një “zgjidhje origjinale”. Në mungesë të piketave, apo sipërfaqes së sheshit të ndërtimit, në pikën e dytë të Vendimit Nr. 22, të datës 22. 09. 2009, KRRT-ja e Bashkisë së Tiranës, parashikonte që pas lejes së dhënë, t’ia shiste ajo sheshin e ndërtimit “investitorëve”, shesh ndërtimi ky, që nuk ishte asgjë më shumë se rruga “Urani Panio” që kalonte në mes të lagjes dhe që do i “bashkëngjitej”, pronës tokës së Ilir Matas, e vënë në dispozicion për ndërtimin e këtij pallati nga ana e kunatit të tij Dash Peza, mikut të Edi Ramës. “Zbardhja e lejes së sheshit të ndërtimit do të bëhet pasi të ketë bërë një kontratë paraprake më Këshillin Bashkiak, për blerjen e truallit publik që shfrytëzohet për realizimin e këtij projekti, në bazë të çmimit të liberalizimit të tregut, për vetë pozicionin ku ndodhet”, parashikonte KKRT-ja në vendimin e saj, në një kohë që as KRRT-ja, por as Bashkia e Tiranës, nuk ka në kompetencat e saj shitjen e trojeve publike të kryeqytetit.
Leja për ndërtim pallati pa u përcaktuar sheshi
Ndërsa në vendimin e 22 shtatorit 2001, KRRT-ja e Bashkisë së Tiranës vendosi “në parim” për sheshin e ndërtimit, me “kushtin” që ajo ti shiste rrugën Dash Pezës, sërish edhe ky vendim nuk u respektua. Jo vetëm kaq, por, pas pak më shumë se një muaji më pas, KRRT-ja e Bashkisë së Tiranës, i jep lejen e ndërtimit Dash Pezës, end epa u zbardhur leja për shesh ndërtimi.
Me pak fjalë, në datën 27 tetor 2001, KRRT e Bashkisë së Tiranës me vendimin e saj Nr. 28, miratoi lejen e ndërtimit, për kompaninë e Dash Pezës, “T. T. T. ALBA – L.A.M.” sh. p. k. ende pa u përcaktuar sheshi i ndërtimit, biles ende pa u zbardhur leja për shesh ndërtimi që Edi Rama kishte firmosur vetëm pak më shumë se një muaj më parë.
Leja për sheshin e ndërtimit, për të cilin Edi Rama firmosi edhe lejen e ndërtimit, u zbardh vetëm një vit më pas.
Pikërisht, në datën 4 shtator 2002, zbardhet leja e sheshit të ndërtimit (sipas formularit Nr. 2), Në bazë të zbardhjes së kësaj leje për shesh ndërtimi, mësohet se sipërfaqja e sheshit ishte 191.5 m2, ndërsa sipërfaqja e ndërtimit 148.4 m2. Koeficienti i shfrytëzimit 0.77. Afati I kësaj leje ishte deri në datën 22. 03. 2002.
Më pak se 10 ditë pas zbardhjes së lejes së sheshit të ndërtimit, por edhe një vit pas marrjes së lejes së ndërtimit, saktësisht në 13 shtator 2001 (sipas formularit Nr. 4), u zbardh edhe afati i lejes së ndërtimit të dhënë në 27 tetor 2001 nga KRRT-ja e Bashkisë së Tiranës, për Dash Pezën. Afati i kësaj leje është deri në 27. 10. 2004.
(Vijon)
Nesër do të lexoni
Dokumentimi i grabitjes së rrugës
Përpjekjet për hipotekimin e pronës së falur
Shkeljet Ligjit “Për Urbanistikën”
Policia ndërtimore dhe KRrTRSH-ja e drejtuar nga Fatos Nano kishin konstatuar shkelje të mëdha
Punimet e pallatit, të bllokuara që nga koha e qeverisjeve socialiste
Prej muajit shtator 2001 kur mori udhë ky abuzim, pallati i Dash Pezës ende vazhdon të jetë i pa përfunduar, për më tepër edhe i bllokuar. Aktet e pezullimit dhe bllokimit të punimeve për ndërtimin e këtij pallati, kanë filluar që nga koha e qeverisjeve socialiste.
Saga e pezullimeve dhe bllokimeve të punimeve për ndërtimin e këtij pallati në rrugën “Urani Pano”, daton që në 4 dhjetor 2003. Në këtë datë, Drejtoria e Policisë së Ndërtimit, “Tirana-Qytet”, me vendimin Nr. 83, vendos pezullimin e punimeve, pasi ishin konstatuar kundërvajtje të parashikuara nga Neni 4 i Ligjit Nr. 8402, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve”.
Ky vendim i Drejtoria e Policisë së Ndërtimit, “Tirana-Qytet”, u përforcua edhe nga një tjetër vendim i Këshillit të Rregullimit të Territorit (KRRTRSH) të Republikës së Shqipërisë, i drejtuar nga ish-Kryeministri Fatos Nano, i cili në 26 qershor të vitit 2004, vendoste rishikimin e vendimit të KRRT-së Bashkisë së Tiranës, për lejen e ndërtimit, ku i lihet porosi kësaj bashkie të parashikonte lënien e kalimit të rrugës, për këmbësorët publik sipas drejtimit veri-jug.
Edi Rama shpërfill edhe lejen e firmosur prej vetë atij për shesh ndërtimi
Kontrata, Dash Peza paguan vetëm 8 mijë lekë në vit për truallin
Ajo që në vendimin për lejen e sheshit të ndërtimit të datës 22 shtator 2001, u la që Dash Peza ta blinte rrugën, pësoi një fat tjetër. Dash Peza, nuk e bleu rrugën, por e mori me qira dhe nisi ndërtimin e një pallati. Shifrat e qerasë, sa qesharake që janë, aq edhe më shumë hedhin dritë mbi denoncimin e abuzimeve me trojet publike që bënë Edi Rama.
Pikërisht, në kontratën e qirasë mes Bashkisë së Tiranës dhe “investitorit”, është shënuar se, firma e Dash Pezës paguan qira për 51 metra katrorë. Këtë sipërfaqe, Dash Peza, e merr me qira deri në kohën “kur fillon procedura e privatizimit të trojeve shtetërore”, dhe vlera që Dash Peza duhet të paguajë deri në atë moment është vetëm 8 mijë lekë (të reja) në vit (51 m2 X 1600 lekë m2 = 8.160 lekë në vit).
Kontrata i vë kush qiramarrësit dhe e detyron atë që ta paguajë qiranë një herë në 6 muaj.