Edi Rama regjistron dështimin e radhës edhe në Elbasan
Edvini ka dashur që mitingun e Elbasanit ta nisë që tek ullishtat jashtë qytetit, por ai edhe në mes të qytetit, s’ka mundur të mbledhë më shumë se një grusht njerëzish, krejt si tubimet personale të ojq-ve. Edhe në Elbasan, mitingu është mbajtur natën, pasi në errësirë njerëzit nuk dallohen dhe favorizohet montazhi i urdhëruar në televizionet e kontrolluara prej tij
Dështimi i radhës i iniciativës së Edi Ramës, për të ngritur masat e gjëra të popullsisë në betejë kundër institucioneve shtetërore veç se ashtu i intereson atij. Në vijim të protestave me grupe të vogla, krejt njëlloj si tubimet e OJQ-ve (kujtojmë grupthet e Mjaft-it), kur paçka se në numër të pakët lëshohen shpifjet më monstruoze ndaj shtetit shqiptar, të cilat po i pataksin ndërkombëtarët përditë e më tepër, Rama i shoqëruar ngushtësisht nga Erion Veliaj dhe shpura e vet e djelmurçinave (edhe Ngjela gjithashtu), u ndalën në qytetin e Elbasanit, qendër që votoi në masë të gjerë Partinë Demokratike dhe të djathtën politike.
Qysh në fillim, mjaftistët 99-sha dhe Edvini mbetën të pakënaqur, pasi kishin shpresuar që protestën ta nisnin diku jashtë qytetit, tek ullishtet, me “profesionistë”, por elbasanasit e pakët që i prisnin në qendër të qytetit, e mbushën kohën me barcaleta e me postera për ish-mjaftistët, Edvin Ramën dhe “çelnikosjen” e marrëdhënies së tyre.
Të zhgënjyer, Edvini, Veliaj e Ngjela mezi s’pritën që të binte mbrëmja, pasi ky është orari i caktuar i mitingjeve. Mentorët mësohet se i kanë thënë se veç në ato orare mund të shmanget efekti i keq që shkakton pjesëmarrja skandalozisht e pakët, thuajse OJQ-iste në mitingjet e socialistëve. Nata është rast i mirë edhe për të krijuar iluzionet optike të njerëzve, teksa i ngërthen ata në korridore mes dy ndërtesash e më pas lëshon fatëa-t për televizionet nën kontrollin e tij, të cilët nisin montazhet e pamjeve (disa thonë me mitingje ekstremiste nga 1997-a, ëndërr të cilët Edvini e sheh 3 herë në ditë, por në versionin e një Haxhi Qamili modern).
Pasi u zhvillua parada e thirrjeve revolucionare të Leskajt, Ngjelës dhe Veliaj, Edvini ka nisur britmat e tij për pakënaqësinë e humbjes së zgjedhjeve dhe mosshikimin e asnjë drite në fund të tunelit. Rama ngriti rëndom pikëpyetjet-refren, si në të gjitha protestat e zhvilluara deri më tani. Një fatkeqësi e ethshme jo vetëm për opozitën, por për mbarë skenën politike në vend, tregon se këto lëvizje dhe kjo veprimtari e çuditshme e Edi Ramës me servilët e kauzës së interesit personal, orvaten pa produkt dhe pa fijen e ndonjë shprese të ndryshojnë diçka, paçka se institucioni i parlamentit e ka nisur jetën e vet këtu e dy muaj më parë.
Dështimi i djeshëm ishte më flagranti pasi mbahej në një qytet të madh, pati rekuizitën e rëndësishme të Partisë Socialiste, por u shndërrua në një grushtth njerëzish, që kishte performancë të vërtetë OJQ-iste, një performancë minore që e ka nisur dekada më përpara Valentina Leskaj dhe që po përmbyllet me sukses në shndërrimin e PS-së në një G 99 ku “këndon” Erion Veliaj dhe hidhet pupthi Edvini.