E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama i frikësuar dhe nën panik, i fsheh dokumentacionin Komisionit Hetimor

Edi Rama i frikësuar nga hetimet e Komisionit Parlamentar, refuzon të japë dokumentacionin e nevojshëm për këtë komisionin, i cili do të hetojë mbi veprimtarinë dhe lejet e ndërtimit të dhënë nga kjo bashki dhe kryebashkiaku i saj Edi Rama.
Ferdinant Xhaferri, kryetar i Komisionit Parlamentar për Hetimin e Procedurave të Dhënies së Lejeve të Ndërtimit nga bashkia e Tiranës, deklaroi dje se “Shteti ka instrumente që do e detyrojnë Edi Ramën të sjellë informacionin e kërkuar për mbledhjet e KRT-së në bashkinë së Tiranës”.
Gjatë një konference për shtyp, Xhaferri  tha se bashkia e Tiranës nuk i është përgjigjur  kërkesës së komisionit për të marrë një informacion të plotë mbi procesverbalet e mbledhjeve të KRT-së për periudhën nga 1 janari 2007 e në vazhdim.
Sipas Ferdinant Xhaferrit, kryetar të këtij komisioni, afati i fundit në dispozicion të pushtetit vendor për të sjellë dokumentet me të gjitha lejet e ndërtimit që prej 2007 ishte 30 prilli, por pas padisë në Gjykatën Kushtetuese, qëndrimi i kryebashkiakut është i qartë.
 “Megjithëse ka kaluar afati i kësaj kërkese, Edi Rama nuk ka kthyer përgjigje, duke u fshehur pas kërkesës së dërguar në Gjykatë Kushtetuese. Rama po synon të bllokojë hetimin, por nuk do ta bëjë dot, sepse ai nuk mund të veprojë në kundërshtim me ligjin dhe ne nuk do ta lejojmë të veprojë në kundërshtim me ligjin”, theksoi Xhaferri.
Sipas tij, bazuar në ligjin “Për informimin publik”, Rama është i detyruar që vendimet e KRT-së t`ia japë çdo qytetari. Referuar mungesës së transparencës nga Bashkia e Tiranës, lidhur me dokumentacionin, Xhaferri deklaroi se “Frika te Edi Rama, paniku te Edi Rama dhe skandali te Edi Rama është aq i madh sa ai po synon të fshehë informacionin dhe të bllokojë hetimin. Ne nuk i kemi kërkuar korrespondencën e tij private me anëtarët e bandës ‘Hakmarrja për drejtësi’, ne i kemi kërkuar gjënë më normale, procesverbalet e mbledhjeve të KRT. Skandali i tij tashmë ka kaluar çdo masë, duke i dhënë ish-shefit të urbanistikës në bashki, vetëm në mbledhjen e fundit, 19 leje ndërtimi nga 30 gjithsej”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›