Reformat e Berishës shpërblehen me 160 milionë euro ndihma si dhe me vendimin për heqjen e vizave
Zv/presidenti i Komisionit Evropian Zhak Barrot ka konfirmuar dje në Tiranë se Brukseli i kishte akorduar Shqipërisë 160 milionë euro ndihma, për tre vitet në vijim, pasi vendi kishte regjistruar progres domethënës me reformat e Kryeministrit Berisha
Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Jacques Barrot, vlerëson arritjet shumë domethënëse të Shqipërisë në harkun kohor të vetëm 3 viteve. Zv/presidenti i KE-së Barrot, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, katër ditë pasi kryeministri Sali Berisha dorëzoi zyrtarisht kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, në Pragë të Çekisë, vendi që mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, u prit në një takim nga kreu i qeverisë Berisha, me të cilin më pas dha një konferencë të përbashkët për shtyp, ku dhe informuan rreth këtij takimi.
“Ne konstatuam së bashku arritjet shumë domethënëse të Shqipërisë në kohët e fundit. Ju e dini që viti 2009 është një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Ju sapo jeni pranuar në NATO dhe pikërisht në këtë vit, keni bërë edhe kërkesën për kandidimin në bashkimin Evropian dhe keni nënshkruar gjithashtu edhe marrëveshjen me Frontex për rishikimin e kufijve të jashtëm të Shqipërisë dhe sigurimin e tyre. Të gjitha këto janë momente shumë të rëndësishme për bashkëpunimin e Shqipërisë me vendet e BE-së dhe vetë BE-në”, u shpreh Barrot.
Ai iu referua çështjes së lëvizjes së lirë të shqiptarëve, duke konstatuar, se Shqipëria është duke avancuar në këtë drejtim dhe së shpejti do të ketë një rezultat.
“E di shumë mirë, që shqiptarët shpresojnë dhe urojnë që gradualisht dhe progresivisht të shkojnë drejt realizimit të dëshirës së tyre, që është lëvizja e lirë dhe derisa të hiqet përfundimisht viza nga detyrimi për të lëvizur. Unë nuk mund ta them sot se kur do të ndodhë pikërisht kjo gjë, por mund të them sigurisht se Shqipëria është duke avancuar në këtë drejtim dhe duke respektuar axhendës e parashikuar për të arritur në këtë rezultat. Po zbuloj një vend shumë të bukur që nuk e njihja, por që më dha dëshirën të rikthehem sërish”, tha Barrot.
Duke renditur edhe 5 kushtet në këtë drejtim, ai u shpreh se qeveria shqiptare, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, ka arritur rezultate për t’u përshëndetur.
“Është lufta kundër krimit të organizuar dhe sigurisht, dua të falënderoj Shqipërinë, qeverinë shqiptare dhe zotin Berisha, sepse kanë qenë vërtet energjikë në këtë drejtim, në luftën kundër drogës, krimit të organizuar, ku janë bërë vërtet përparime të mëdha, konkretisht me realizimin e disa mandat-arresteve të disa personave të inkriminuar dhe kjo në bashkëpunim të organeve përkatëse shqiptare me ato të vendeve anëtare të BE-së.
“Është lufta kundër korrupsionit. Sigurisht, edhe aty janë bërë arritje dhe një punë e madhe. Ka reforma shumë të rëndësishme, të cilat kanë filluar të japin frytet e tyre, por unë e inkurajova zotin Kryeministër se në këtë drejtim, duhet vazhduar ende lufta me përpjekje të mëdha. Lufta kundër emigracionit klandestin dhe unë këtu, vërtet, dua të falënderoj Shqipërinë që ka bërë një përpjekje shumë të madhe në këtë drejtim dhe dëshmi për këtë janë reagimet e qeverisë italiane dhe autoriteteve greke që e pranojnë një gjë të tillë së fundmi. Qeveria ka pranuar dhe kjo është një tjetër gjë shumë pozitive, të zbatojë marrëveshjen e ripranimit, duke mos kthyer të gjithë emigrantët klandestinë që hyjnë nga Shqipëria. Puna që bëhet me sistemin gjyqësor. Është e vërtetë që për ne kjo ka një rëndësi shumë të madhe. Ne jemi shumë të vëmendshëm ndaj ecurisë në këtë drejtim jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera, të cilat dëshirojnë të bëhen anëtare të BE-së, sepse dëshirojmë fort që drejtësia në të gjitha këto vende të jetë një shtyllë e fortë, jo vetëm e pavarur, por edhe e paanshme dhe e ndershme dhe për këtë ne falënderojmë Shqipërinë për përpjekjet që bën dhe them se ne e mbështesim shumë, shumë fort këtë lloj prirjeje. Ne kemi thënë që duhet të ketë një sistem shumë të mirë sigurie dhe këtu është rasti që t’i them bravo, bravo Shqipërisë për realizimin e pasaportave biometrike, të cilat sigurisht do të premtojnë dhe do të bëjnë të mundur që të ecet më shpejt drejt liberalizimit të vizave”, u shpreh Barrot.
Ai shtoi më tej se BE do të vazhdojë ta ndihmojë dhe ta mbështesë Shqipërinë në rrugën që ka nisur, sepse është në rrugë të mbarë.
“Në tre vitet në vazhdim, 160 milion euro, që nuk janë pak, do të jenë jo vetëm një ndihmë financiare, por do të vazhdojë me ndihmën teknike dhe mbështetjen. Në fakt, vizita ime këtë ka për qëllim, që t’ju shprehë juve mbështetjen e BE-së, për ta mbështetur Shqipërinë në rrugën e modernizimit, që një ditë do ta çojë në Evropë”, tha Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Jacques Barrot.