E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama i fsheh Komisionit Hetimor dosjet e korrupsionit të Bashkisë

Xhaferri: Do e detyrojmë Ramën të sjellë informacionin për mbledhjet e KRT
Komisioni hetimor Rama 2, i kërkon kryebashkiakut të Tiranës, dokumentacionin si dhe të jap informacione për dosjet e procesverbalet e KRT-së, së Bashkisë së Tiranës. Në bazë të ngritjes së këtij komisioni, Edi Rama e ka detyrim ligjor dorëzimin e këtij dokumentacioni, por mosdorëzimi tregon frikën e tij ndaj korrupsionit, duke u fshehur në këtë mënyrë ndaj hetimeve. Afati i fundit të dorëzimit të këtij informacioni për dosjet e Bashkisë së Tiranës nga ana e kryebashkiakut Rama ka qenë ditën e enjte, por Bashkia e Tiranës nuk i është përgjigjur kërkesës së komisionit hetimor të ngritur ndaj kryetarit të saj, për marrjen e informacionit të plotë për mbledhjet e KRT-së për periudhën nga 1 janari 2007 e në vazhdim. Ferdinand Xhaferri, deputet i Partisë Demokratike dhe kryetar i komisionit hetimor ndaj kryebashkiakut, Edi Rama ka akuzuar këtë të fundit se po tenton të bllokojë në mënyrë të paligjshme hetimin ndaj tij. Ndaj, puna në komisionin hetimor Rama2 është bllokuar për shkak se bashkia e kryeqytetit refuzon të japë informacionin e kërkuar nga kuvendi. Sipas Ferdinand Xhaferrit, kryetar të komisionit, afati i fundit në dispozicion të pushtetit vendor për të sjellë dokumentet me të gjitha lejet e ndërtimit që prej 2007 ishte 30 prilli, por pas padisë në Gjykatën Kushtetuese, qëndrimi i kryebashkiakut është i qartë. Frika tek zoti Edi Rama, paniku tek Edi Rama dhe skandali tek Edi Rama është aq i madh sa i po synon të fshehë informacioni, po kërkon të bllokojë hetimin. Ne nuk i kemi kërkuar Edi Ramës korrespondencën e tij private me anëtarët e bandës Hakmarrja për drejtësi, ne i kemi kërkuar gjënë më normale, procesverbalet e mbledhjeve të KRT, është shprehur Xhaferri. Nëse heshtja e bashkisë vazhdon, Xhaferri deklaron se shteti do ta detyrojë Edi Ramën të sjellë informacionin e kërkuar për mbledhjet e KRT-së. Shteti ka instrumente që do ta detyrojë Edi Ramën të japë informacionin. Ajo që ne po kërkojmë është gjëja më normale e mundshme, ka sqaruar Xhaferri. Sipas tij, në këtë mënyrë, Rama kërkon të fshihet pas kërkesës së dërguar në Gjykatë. Megjithëse ka kaluar afati i kësaj kërkese (dita e enjte, 30 prill ), Edi Rama nuk ka kthyer përgjigje, duke u fshehur pas kërkesës së dërguar në Gjykatë Kushtetuese. Rama po synon të bllokojë hetimin, por nuk do ta bëjë dot, sepse ai nuk mund të veprojë në kundërshtim me ligjin dhe ne nuk do ta lejojmë të bëjë diçka të tillë, sqaroi ai. Duke përmendur ligjin Për informimin publik, Xhaferri veçoi se në bazë të këtij ligji kryebashkiaku Rama është i detyruar që vendimet e KRT-së t'ia japë çdo qytetari. Skandali i Edi Ramës është aq i madh, sa ai po synon të fshehë informacionin dhe të bllokojë hetimin. Ne nuk i kemi kërkuar korrespondencën e tij private, por  procesverbalet e mbledhjeve të KRT-së. Rama do ta japë informacionin, pasi shteti ka instrumente të tjerë që e detyrojnë atë ta sjellë këtë informacion. Skandali i tij tashmë ka kaluar çdo masë, duke i dhënë ish-shefit të urbanistikës në bashki, vetëm në mbledhjen e fundit, 19 leje ndërtimi nga 30 gjithsej, vijoi Xhaferri. Të njëjtën linjë ka përdorur edhe anëtari i këtij komisioni, deputeti tjetër demokrat Edi Paloka, sipas së cilit ka asnjë predispozitë ligjore që të ndalojë funksionimin e këtij komisioni, dhe arsyet që nxjerr Rama sipas tij janë pretekste për të shmangur hetimin. Ndër të tjera, deputeti demokrat theksoi se pas punës trejavore të komisionit, në bazë të rezultateve të tij, do të ndiqet dhe ana ligjore duke i çuar dosjet në Prokurori. Komisioni hetimor ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama do të hetojë procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë krejtësisht abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në Bashkinë e Tiranës, duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi, bllokimin dhe mosdërgimin e planit të ri Rregullues të Bashkisë së Tiranës për miratim, sipas ligjit, dhe abuzimet me dhënien e lejeve të ndërtimit në mungesë të këtij Plani Rregullues. Ndërsa para disa ditësh, Edi Rama dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për pezullimin e veprimtarisë së komisionit hetimor parlamentar lidhur me procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku ka parashtruar një kërkesë me dy pika pranë kësaj gjykate. Pikërisht pezullimin e veprimit të ligjit të miratuar në parlament për ngritjen e komisionit hetimorë parlamentarë për lejet e ndërtimit si dhe zgjidhen e konfliktit të kompetencave mes pushteteve.

Last Updated on Saturday, 02 May 2009 11:49

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›