E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani pret Jacques Barrot

Tiranë - Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, priti në një takim Zv. Presidentin e Komisionit Evropian, Jacques Barrot, i cili është përgjegjës edhe për çështjet e drejtësisë dhe sigurisë në Bashkimin Evropian. Ministri Nishani njohu fillimisht Zv. Presidentin Barrot me arritjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme e korrupsionit.

Ministri i Brendshëm informoi mbi goditjen e të gjitha grupeve kriminale dhe vënien e rreth 900 anëtarëve të tyre para drejtësisë, ekstradimin dhe vënien para drejtësisë të rreth 250 personave, goditjen e vazhdueshme dhe uljen e ndjeshme të trafiqeve të drogës dhe qenieve njerëzore, goditjen e korrupsionit, ku tre vitet e fundit numërohen afro 200 të arrestuar, mes tyre edhe të niveleve të larta të shtetit dhe administratës, e po kështu edhe në radhët e policisë, ku numërohen rreth 115 të arrestuar për korrupsion.

Ministri i Brendshëm shpjegoi edhe procedurat e sigurta të kontrollit në pikat e kalimit kufitar ku sistemet e informacionit të instaluara mundësojnë identifikimin e personave në kërkim, dokumenteve të falsifikuara etj.

“Duke gjykuar se duhet bashkëpunim për të qenë të suksesshëm, marrëveshjen strategjike me EUROPOL-in dëshirojmë ta pasojmë edhe me marrëveshje operacionale”, deklaroi ministri Nishani.

“Ju përgëzoj për këtë veprimtari dhe punë të madhe dhe ju inkurajoj për vazhdimin e saj. Ju keni një rol historik Zoti Ministër sepse puna juaj ka të bëjë me imazhin e Shqipërisë, të një Shqipërie që po ndryshon. Konstatoj me kënaqësi se keni kryer një punë të madhe, keni rezultate pozitive dhe i keni gjërat në dorë. Nga ana tjetër rezultatet tuaja përbëjnë edhe argumente të rëndësishme për të mbërritur tek heqja e vizave për qytetarët shqiptarë. Është e rëndësishme gjithashtu t’u shpjegoni shqiptarëve se jeni treguar të rreptë e të ashpër me të gjitha format e kriminalitetit, për të realizuar objektivin për t’i futur në Evropë”, deklaroi në fjalën e tij Zv. Presidenti i Komisionit Evropian, Z. Jacques Barrot.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›