Paloka: Arsyet që nxjerr Rama, pretekste për të shmangur hetimin
Deputeti demokrat, Edi Paloka, njëkohësisht anëtar i komisionit parlamentar për hetimin e procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit nga bashkia e Tiranës, ka deklaruar se nuk ka asnjë predispozitë ligjore që të ndalojë funksionimin e këtij komisioni. Një ditë pasi Bashkia e Tiranës dërgoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen e hetimit parlamentar ndaj këtij institucioni, anëtari i komisionit Paloka pohoi për mediat se pavarësisht ankimimit, hetimi mund të vijojë normalisht. Kryebashkiaku Rama i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e komisionit të dytë hetimor ndaj tij.
Në padinë e depozituar pasditen e të mërkurës nga drejtoria juridike e bashkisë së Tiranës, përveç ndërprerjes së veprimtarisë së komisionit kërkohet dhe zgjidhja e konfliktit të kompetencave mes pushtit vendor dhe atij legjislativ. Por, pavarësisht padisë për maxhorancën nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore që të pengojë hetimin parlamentar të numrit një të bashkisë së kryeqytetit. Misioni vazhdon dhe ai është vetëm një pretekst që Rama, si në shumë raste të tjera jep për të shmangur hetimin që i bëhet atij dhe vartësve të tij në bashki. Nuk ka asnjë predispozitë ligjore që të ndalojë komisionin parlamentar të funksionojë. Arsyet që nxjerr Rama janë të pabaza dhe janë thjesht pretekste për shmangien e hetimit, deklaroi Paloka. Ndër të tjera, deputeti demokrat theksoi se pas punës trejavore të komisionit, në bazë të rezultateve të tij, do të ndiqet dhe ana ligjore duke i çuar dosjet në Prokurori. Sipas tij të djathtët do të kërkojnë që Prokuroria e Përgjithshme të marrë në shqyrtim përveç dosjes së këtij komisioni, dosjen e atij pararendës, dhe padinë e ish ministres Esmeralda Uruçi, kur Rama ishte ministër kulture. Ne do të ndjekim dhe anën ligjore, dërgimin e dosjes në prokurori duke i shtuar dhe dosje të komisionit hetimor të parë dhe këto që do të çojmë ne, vërtet bëhet një stiv i madh dosjesh për Edi Ramën, që fatkeqësisht vazhdojnë të mbeten stivë aty. Urojmë që këto dosje të mos kenë fatin e të parave, vijoi Paloka.