E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK i merr PD kryetarin e Këshillit Bashkiak të Lezhës

Këshilltari demokristian Frano Kulli, është emëruar kryetar i Këshillit Bashkiak të Lezhës, vend i cili deri pak ditë më parë mbahej nga Roza Hila, përfaqësuese e PD-së. Në mbledhjen e fundit, të zhvilluar ditën e mërkurë, Këshilli Bashkiak i qytetit të Lezhës ka shkarkuar nga posti i kryetares Roza Hilën, përfaqësuese e PD-së dhe ka zgjedhur në vend të saj, këshilltarin demokristian Frano Kulli. Gjatë kësaj mbledhjeje pas shumë debateve, grupi i këshilltareve të Polit të Lirisë, të cilit i janë bashkuar dhe këshilltari i PR-së dhe ai i PAA-së kanë paraqitur një mocion për shkarkimin e kryetares së Këshillit Bashkiak, Rosa Hila përfaqësuese e Partisë Demokratike. Mocionin shkarkimin e kishin nënshkruar 9 anëtarë të Këshillit Bashkiak, nga të cilët pesë këshilltarë të djathtë dhe një këshilltar i pavarur. Sipas rregullores, mocioni për shkarkimin e kryetares së Këshillit Bashkiak, përfaqësuese të PD-së, është futur në procesin e votimit. Këshilli Bashkiak ka shkarkuar me shumicë votash kryetaren e këshillit, përfaqësuese e PD-së dhe menjëherë ka filluar procedurat për zgjedhjen e kreut të ri, të Këshillit Bashkiak të Qytetit të Lezhës. Pas numërimit të votave, ka rezultuar se kandidatura e Frano Kullit, e propozuar nga këshilltarët e djathtë ka marrë 14 vota. Me votat e këshilltarëve të partive pjesëmarrëse në Polin e Lirisë janë bashkuar edhe votat e këshilltarit të partisë Republikane dhe vota e këshilltarit të partisë Agrare Ambientaliste, parti këto në koalicion me PD-në si dhe vota e kandidatit të pavarur. Frano Kulli, kryetari i ri, i Këshillit Bashkiak të Lezhës, është një nga personalitetet e njohur publikë në këtë qytet. Ai ka qenë për pesë vjet anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH-së, dhe në korrik të vitit 2006 u zgjodh anëtar i KKRT-së dhe nënkryetar i këtij këshilli. Frano Kulli u largua nga KKRT nëpërmjet një votimi në parlament të urdhëruar nga PD-ja sepse disa herë kishte kundërshtuar gjobat politike ndaj disa televizioneve opozitarë me qeverinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›