E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi mbyll dyert më 11 maj, socialistët akuzojnë Topallin

Kuvendi në 11 maj zhvillon seancën e fundit të tij, përfshihen 15 pika në rendin e ditës
Kuvendi i Shqipërisë zhvillon në datën 11 maj seancën e fundit të sesionit të 8-të, të Legjislaturës së tetë parlamentare. Kalendari zyrtar i punimeve parlamentare për periudhën trejavore (23 prill-14 maj) ka parashikuar mbledhjen e Kuvendit në muajin maj në vetëm një seancë, atë të datës 11 maj. Axhenda e parlamentit për këtë mbledhje të fundit të tij është planifikuar shumë e ngjeshur, me një rend dite që përfshin rreth 15 pika. Ndaj nisur nga ky fakt, të gjithë deputetët që do të jenë të pranishëm në këtë seancë, ku disa prej tyre do të ulen për herë të fundit në ato karrige, duhet të shfrytëzojnë çdo minutë për të shfaqur shqetësimet e tyre. Ndonëse punimet e Kuvendi mbyllen rreth mesit të majit për t'ia lënë vendin fushatës elektorale të 28 qershorit, për zgjedhjen e parlamentit të ri, sipas Kushtetutës mandati zyrtar i institucionit më të rëndësishëm legjislativ në vend përfundon në të njëjtën datë, të të njëjtit muaj të vitit të katërt, nga data e mbledhjes së parë. Sipas nenit 65 të Kushtetutës, bëhet e ditur se Kuvendi zgjidhet në çdo 4 vjet dhe mandati i tij fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj, të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur. Nga ana tjetër, Kodi zgjedhor, (neni 9 pika 2) thotë se me vendim të Kuvendit, mbyllja e legjislaturës ose shpërndarja e tij, bëhen jo më shpejt se 45 ditë para datës së caktuar për zgjedhjet dhe jo më vonë se 30 ditë para kësaj date. Ndërkohë që nënkryetari i kuvendit, Neritan Ceka ka konfirmuar se marrëveshja me Greqinë për kufirin detar, është shtyrë për në parlamentin e ri, duke e argumentuar me faktin se një marrëveshje e kësaj rëndësie kërkon kohë të konsiderueshme për tu shqyrtuar nga administrata e kuvendit, ndërkohë që ka mbetur vetëm një seancë plenare. Është një marrëveshje që do të kalojë në komisionet përkatëse. Nuk është në planin e parlamentit për komisionet, kështu që është një procedurë e gjatë. Çdo marrëveshje që kalon nga qeveria do të kalojë nga parlamenti shprehet Ceka.
Braçe sulmon Topallin
Duke parë se seanca tjetër parlamentare është parashikuar për në datën 11 maj, nënkryetari i grupit parlamentar socialist Erjon Braçe ka reaguar menjëherë duke kundërshtuar këtë deklaratë, duke u nisur nga fakti se nuk ka më kohë për shqyrtimin e marrëveshjes së nënshkruar me Greqinë për kufijtë detarë. Gjatë një konference, për shtyp deputeti socialist nuk ka lënë pas as ironizimet e tij ndaj kryetares së parlamentit, duke e lidhur mungesën e zhvillimit të seancës së djeshme plenare me turet e saj jashtë Shqipërisë. Duke u ndaluar më konkretisht tek akuzat e drejtpërdrejta ndaj kryetares Topalli, ai ka përmendur moszhvillmin e seancës së djeshme parlamentare, e cila në fakt sipas tij duhet të ishte zhvillua. Edhe sot (dje), duhet të ishte zhvilluar një seancë kuvendore. Sipas rregullores së kuvendit të Shqipërisë, parlamenti sot (dje), duhet ta kishte ditë pune, por përsëri e ka ditë pushimi dhe për fat të keq parlamenti po shkon gjatë mandatit të tij këto dy muajt e fundit me vetëm 2 seanca parlamentare. E fundit na pret në datë 11 maj sepse edhe të hënën, nuk do të ketë seancë parlamentare. Besoj se turi I love mammy nga Shqipëria, tashmë po eksportohet jashtë Shqipërisë në termat mami je e madhe , ka deklaruar Braçe. Në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë nuk ka asnjë dokument të tillë. Në momentin që ky dokument do të vijë në parlamentin e Shqipërisë do të duhet ti nënshtrohet të gjitha procedurave parlamentare që parashikon rregullorja e Kuvendit dhe në rast se do të respektohen procedurat parlamentare atëherë nuk ka më kohë për ta shqyrtuar këtë marrëveshje nga kjo trupë parlamentare, është shprehur Braçe. Dështimi i seancës së djeshme është përfolur edhe nga deputeti i LSI, Pëllumb Xhufi. Me mos zhvillimin e seancës maxhoranca ka dashur të evitojë debatin për këtë problem. Që është çështje e ditës dhe që preokupon më shumë shqiptarët. Është lënë vetëm një herë të mblidhet kuvendi dhe natyrisht dy marrëveshjet e kufirit dhe e varrezave do i lënë të ngelen parlamentit të ardhshëm, është shprehur Xhufi, sipas të cilit këtu ka një llogari tinëzare të keqe të bërë nga Berisha, i cili do të përdorë këto dy marrëveshje si hartuan për të mos kompremtuar fushatën elektorale dhe, me shpresën se në rast se do të fitojë atëherë mund të justifikohet ne faktin që populli na e dha votën.
Janë llogari të zgjuara që Berisha i bën me mendjen e vet por jo me partnerët e tjerë,  ka thënë Xhufi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›