E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK: Presidenti të mbledhë Këshillin e Sigurimit për marrëveshjen me Greqinë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, duhet që të mbledhë në mënyrë urgjente Këshillin e Sigurimit për të marrë në shqyrtim marrëveshjen e ujërave territoriale që qeveria shqiptare ka nënshkruar në mënyrë të fshehtë me atë greke. Këtë thirrje ia ka drejtuar  publikisht kreut të shtetit, Partia Demokristiane, e drejtuar nga Nard Ndoka, sipas së cilës, kjo marrëveshje nuk duhet të kalojë në heshtje, për të gjetur miratim në momentin e fundit në seancë plenare nga deputetët. PDK i kërkon presidentit si garant i Kushtetutës  të mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për të marrë në analizë marrëveshjen e nënshkruar me Greqinë dhe të shqyrtojë ligjshmërinë e saj, si dhe të verifikojë nëse është në përputhje me Kushtetutën Shqipërisë, është shprehur për mediat, nënkryetari i kësaj partie, Vladimir Beja. Ndër të tjera ai ka theksuar se kjo marrëveshje nuk duhej nënshkruar, përpara se ajo të bëhej transparente në detajet e saj kryesore. Ajo duhej të shqyrtohej në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, ku të raportohej me hollësi nga Komisioni i Ekspertëve, për metodologjinë e zgjedhur, hartat dhe teknologjinë e përdorur, për matjet e kryera si dhe elemente të tjerë të eksperiencës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare, nënvizoi Beja. PDK, dënon çdo përpjekje për të bërë politike dhe për të nxjerrë përfitime politike të ditës, në dëm të interesave kombëtare. Sipas tyre, askush nuk duhet dhe nuk mund të bëjë karrierë në Shqipëri, duke bërë pazare me interesat jetike të vendit, aq me tepër duke nxjerrë në pazar, territore të Shqipërisë. Pakti me Greqinë për ujërat territoriale nuk duhet që të miratohet në asnjë mënyrë nga Kuvendi, pasi ai vë në pikëpyetje integritetin territorial të vendit tonë, është shprehur Beja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›