E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fehmi Abditë dhe PS-ja na servirin sërish si alternativë luftën e klasave”

Ish-të përndjekurit, padisin në Strasburg vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e lustracionit

“Ditën e premte më datën 20 shkurt, e cila është dita historike e tërheqjes zvarrë të bustit të diktatorit, në orën 12.00, ftohen të gjithë ish-të përndjekurit politikë dhe qytetarët e Tiranës të bashkohen për të protestuar në mënyrë paqësore para Gjykatës Kushtetuese kundër vendimeve klasore të atyre që i lejojnë vetes të drejtën të gjykojnë sërish sot 18 vjet pas rrëzimit të diktaturës dhe vendimeve çnjerëzore që kanë dhënë gjatë atij regjimi”

TIRANE - Ish-të Përndjekurit Politik i janë drejtuar Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg për të kërkuar të drejtat e tyre legjitime, të cenuara pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që pezulloi ligjin e lustracionit. Ish-të përndjekurit kanë njoftuar se një grup avokatësh, ndër më të njohurit në vend, po përgatisin padinë që do të ngrihet në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, pasi, sipas tyre me të drejtat legjitime të ish-të përndjekurve nuk mund të tallet më as Fehmi Abdiu dhe as Partia Socialiste, trashëgimtarja e Partisë së Punës.
Ish-i përndjekuri dhe vëllai i poetit të pushkatuar nga barbaria komuniste, Bedri Blloshmi bëri të ditur deklaratën e përbashkët të shoqatave të ish të përndjekurve politikë, duke shprehur zhgënjim dhe irritim nga vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese.
“Ne ish-të përndjekurit politikë jemi thellësisht të zhgënjyer dhe të irrituar nga vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese, e cila vendosi për pezullimin e ligjit ‘Për Verifikimin e Figurës së Zyrtarëve të Lartë’. Pas këtij vendimi ne mbetemi i vetmi vend në Evropë, i cili nuk është ndarë ende nga krimet barbare të diktaturës komuniste dhe nuk ka hapur dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit”, tha ai.
Ish-të përndjekurit theksojnë se gjatë këtyre 18 viteve është pritur reagimi i institucioneve të shtetit për të kontribuar në vendosjen e paqes sociale në vend dhe për të kuruar plagët e së shkuarës duke mos i lënë vend aspak revanshit dhe vazhdimit të diskriminimit të të drejtave të tyre.
“Ne i njohim persekutorët tanë, ne i dimë krimet që ata kanë kryer, sepse jemi ende gjallë, dhe asnjë vendim i standardeve të sigurimit të shtetit nuk do të na ndalë ne të bëjmë zbardhjen e krimeve të tyre. Ky është misioni ynë historik para vendit dhe shoqërisë. Gjyqtarë kriminelë që duhet të ishin para drejtësisë për krimet e kryera ndaj njerëzve të pafajshëm nuk e kanë vendin në Gjykatën Kushtetuese. Prokurorë që kanë dhënë pretenca me pushkatim, varje në litar, burgosje politike apo internime në gulakët e diktaturës për disidentët e atij regjimi nuk kanë vend në institucionet e shtetit të së drejtës. Ne nuk do të tërhiqemi nga përballja jonë me mbeturinat e atij sistemi sikurse nuk jemi tërhequr për asnjë moment edhe kur diktatura na vriste, burgoste dhe internonte”, u shpreh ish i përndjekurit politik Bedri Blloshmi.
Ai theksoi se “ne deklarojmë solemnisht para të gjithë opinionit se do ta vazhdojmë betejën tonë për të dënuar krimet e komunizmit dhe ndarjen nga trashëgimia e saj. Një grup avokatësh ndër më të njohurit në vend po përgatisin padinë që ne do të ngremë Gjykatën e të Drejtave të njeriut në Strasburg për të kërkuar të drejtat legjitime tonat me të cilat nuk mund të tallen më as Fehmi Abditë dhe as trashëgimtarja e PPSH sot PS që po na servir sërish si alternativë të saj politike luftën e harruar të klasave. Ne deklarojmë se do të përshkallëzojmë qëndrimet tona. Ndjehemi më të fuqishëm se kurrë dhe më të bashkuar se kurrë për t’i treguar mbeturinave të diktaturës se nuk mund të luajnë më me ne”, tha më tej ai.
Blloshmi tha gjithashtu se “ditën e premte më datën 20 shkurt, e cila është dita historike e tërheqjes zvarrë të bustit të diktatorit, në orën 12.00, ftohen të gjithë ish-të përndjekurit politikë dhe qytetarët e Tiranës të bashkohen për të protestuar në mënyrë paqësore para Gjykatës Kushtetuese kundër vendimeve klasore të atyre që i lejojnë vetes të drejtën të gjykojnë sërish sot 18 vjet pas rrëzimit të diktaturës dhe vendimeve çnjerëzore që kanë dhënë gjatë atij regjimi”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›