Shqipëria e ka detyrim të përballet edhe me çështjen e zgjidhjes së dosjeve të Sigurimit
Xhejms Dobins, Drejtor i Qendrës për Sigurimin Ndërkombëtar dhe Politikat e Mbrojtjes në korporatën RAND, komenton për “Zëri i Amerikës”
TIRANE - Në muajin prill Shqipëria pritet të anëtarësohet në NATO. Anëtarësimi në aleancën euro-atlantike, ka qenë një nga synimet kryesore të politikës së jashtme të Shqipërisë. Por me gjithë përparimet që çuan në anëtarësimin në NATO, Shqipëria ende ndeshet me sfida të mëdha, siç është korrupsioni apo reformimi i sistemit të drejtësisë. Xhejms Dobins, Drejtor i Qendrës për Sigurimin Ndërkombëtar dhe Politikat e Mbrojtjes në korporatën RAND, thotë për “Zërin e Amerikës” se është me rëndësi që Shqipëria të analizojë se si janë zgjidhur çështje të ngjashme në vende të tjera të Evropës, të nxjerrë konkluzionet e saj nga këto përvoja dhe t’i zbatojë ato në kushtet e saj.
Vendet anëtare të NATO-s përfunduan procesin e ratifikimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut Verior, me votimin dy net më parë në Parlamentin e Greqisë.
Xhejms Dobins, Drejtor i Qendrës për Sigurimin Ndërkombëtar dhe Politikat e Mbrojtjes në korporatën RAND, thotë se kjo megjithëse një ngjarje e pritshme, shënon një sukses shumë të madh për Shqipërinë, që në më pak se dy dekada më parë doli nga regjimi më i egër komunist në Evropën Lindor.
“Është me shumë rëndësi të vihet në dukje se sa përpara ka ecur vendi. Në fakt unë shoqëroja Sekretarin e Shtetit, Xhejms Bejkër në vizitën e tij historike në Shqipëri në qershor të vitit 1991, i pari udhëheqës perëndimor që vizitonte vendin në 30-40 vjet. Ky padyshim ishte një rast historik, por nga ana tjetër na dha rastin të shikonin se sa e varfër dhe sa e shtypur kishte qenë Shqipëria”.
Që prej atëherë, thotë Dobins, Shqipëria ka hyrë në rrugën e rindërtimit dhe integrimit në strukturat euro-atlantike. Ajo njihet si pjesëmarrëse e plotë në diplomacinë evropiane, ajo luajti një rol shumë të rëndësishëm gjatë krizës në Kosovë, gjatë të cilës Shtetet e Bashkuara bashkëpunuan ngushtë me Shqipërinë. Megjithëse Shqipëria mbetet ndër vendet më pak të zhvilluara në Evropë, thotë analisti i korporatës RAND, ajo po ecën gradualisht përpara. Por ajo, është e detyruar të përballet e të zgjidhë çështje të tilla si e drejta e pronës, çështja e dosjeve sekrete, e të tjera. Është me rëndësi thotë ai, që Shqipëria të analizojë se si janë zgjidhur çështje të ngjashme në vende të tjera të Evropës, të nxjerrë konkluzionet e saj nga këto përvoja dhe t’i zbatojë ato në kushtet e saj, pasi këto janë probleme tejet të rëndësishme që kërkojnë një vemendje të posaçme dhe angazhim serioz.