E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në NATO, e hapur edhe për instalimin e sistemit të raketave

Kryeministri Sali Berisha përshëndet përfundimin e procesit të Ratifikimit të Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe premton përmbushjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha përshëndeti ratifikimin në kohë rekord të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke e konsideruar si aktin më madhor në fushën e sigurisë së këtij vendit që përbën edhe ngjarjen më madhore pas pavarësisë.
Në një hark kohor rekord të shkurtër, nga data 9 korrik deri në datën 17 shkurt, pra në 6 muaj dhe 10 ditë, 26 vendet anëtare të NATO-s ratifikuan në Parlamentet, Senatet, qeveritë e tyre Protokollin e Anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO.
“Ratifikimi i Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe përfundimi i këtij procesi në një kohë rekord dëshmon për një nivel të paprecedent të besimit dhe të vlerësimit të Shqipërisë nga vendet më të fuqishme dhe më të zhvilluara të planetit. Finalizimi i ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në një hark kohor prej 6 muaj dhe 10 ditë, është dëshmi e vlerësimit të madh të përpjekjeve të Shqipërisë për të ndërtuar shtetin ligjor dhe ekonominë e tregut, vlerësim i rolit të saj për paqen, stabilitetin në rajon dhe në botë, është vlerësimi i bashkëpunimit të saj luajal me Aleancën e Atlantikut të Veriut”, tha kryeministri.

Reformat përshpejtuan anëtarësimin në NATO
Kreu i qeverisë theksoi se në vitin 2005, nuk ka pasur parashikues edhe ndër më optimistët, që të parashikonin se Shqipëria brenda mandatit të parë të qeverisjes së PD, do të përfundonte përfundimin e Protokollit të Anëtarësimit.
“Unë, që jam sot para jush në programin tim elektoral para shqiptarëve, premtova anëtarësimin në NATO, por jo finalizimin e procesit, sepse të tilla ishin mundet që ishin ngritur dhe që pengonin këtë proces për Shqipërinë. Nuk kam dyshim se ky proces do të ishte tërësisht i pamundur pa përshëndetjen e jashtëzakonshme që Presidenti Xhorxh Bush dhe qeveria e SHBA, Senati dhe Kongresi i vendit të madh të lirisë, i dhanë shqiptarëve mbështetjen, besimin e vendeve të tjera aleate të NATO-s. Por, nuk ka asnjë dyshim se ky proces ratifikimi i shpejtë do të ishte tërësisht i pamundur pa kursin dhe suksesin e reformave që ndërmori qeveria ime në të gjitha fushat”, theksoi Berisha.
Kryeministri iu referuar progresit të gjerë reformator në vend, i cili sipas tij bëri të mundur marrjen e ftesës për anëtarësim dhe finalizimin e ratifikimit të Protokollit të Shqipërisë në NATO.
“Suksesi i këtyre reformave e bëri të mundur shembjen nëpërmjet një lufte me zero tolerance të krimit të organizuar, e bëri të mundur shembja nëpërmjet një lufte pa kompromis dhe të vendosur të sistemit të kleptokracisë, e bëri të mundur fryma e bashkëpunimit luajal me opozitën dhe respektimi ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri, e bëri të mundur ndryshimi tërësor i Shqipërisë”, nënvizoi më tej kreu i ekzekutivit.
Për sa i takon reformimit të forcave të Armatosura, Berisha shprehu zotimin e tij në këtë proces dhe theksoi zgjerimin e bashkëpunimit rajonal si faktor i jashtëzakonshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, për të marrë pjesë në të gjitha operacionet e nevojshme të NATO dhe për të përmbushur me dinjitet detyrimet që rrjedhin nga ky anëtarësim.
Berisha falënderoi me mirënjohje të gjitha vendet anëtare, Aleancën Atlantike të Veriut, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Scheffer, të gjithë ato ekipe që me përkushtim të madh ndihmuan Shqipërinë në reformat e thella për të përmbyllur këtë akt madhor.
 
Shqipëria, partnere serioze e Aleancës
Në përgjigje të interesimit të gazetarëve, kreu i Qeverisë Sali Berisha e konsideroi të vonuar procesin e anëtarësimit të vendit në NATO, si pasojë e pengesës madhore që i shkaktoi aspiratës për integrim, rebelimi komunist i ’97-ës. Berisha tha se në radhë të parë kam ndjenjën e madhe të kënaqësisë që ata që e nisën po ata e sosën. “Angazhimi i Partisë Demokratike për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të integruar, u shfaq që në fillim të viteve ’90-të, kur ne u shfaqëm si parti e parë opozitare dhe aq më tepër kur PD erdhi në pushtet, duke rrëzuar diktaturën. Por duhet thënë se rebelimi komunist i ’97-s e ktheu Shqipërinë vite pas dhe larg çdo ambicie për integrim të strukturat euro-atlantike. E rëndësishme është që shqiptarët e ruajtën dashurinë, pasionin, për projektin e tyre ëndërr, anëtarësimin në NATO, gjatë gjithë këtyre viteve. Sot 96 për qind e tyre e mbështesin anëtarësimin. Ditën e ftesës disa thoshin se s’po jepet ftesa, ditë pas ftesës dilnin nëpër sheshe, këto janë pjesë e shoqërisë së lirë. Shqipëria duhet ta kishte festuar këtë datë vite më parë”, u shpreh kryeministri, duke akuzuar drejtpërsëdrejti shkaktarët majtistë të gjakderdhjes së vitit 1997”, u shpreh Kryeministri. 
Kryeministri Sali Berisha ju përgjigj gazetarëve dje, lidhur me mundësinë e parashtrimit të një kërkesë nga ana e qeverisë Amerikane, për vendosjen në Shqipëri të një sistemi raketor, duke theksuar se një kërkesë e tillë ende nuk është parashtruar, por se vendi është i obliguar të përmbushë çdo detyrim të Aleancës.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për vendosje të sistemit raketor. Më duhet të qartësoj pozicionin e Shqipërisë. Si anëtare e ardhshme e NATO-s Shqipëria do të përmbushë çdo detyrim të Aleancës. Shqipëria shqyrton dhe do të shqyrtojë me seriozitetin më të madhe çdo kërkesë të këtij vendi mik (SHBA), i cili punon për paqen dhe sigurinë në botë. Nuk mund të ketë mëdyshje, marrëdhëniet tona me SHBA-të, janë parësore në çdo fushë”, u shpreh kryeministri.
Pas vendimit të administratës “Obama”, për të shtuar numrin trupave amerikane në Afganistan, kryeministri Sali Berisha tha se edhe Shqipëria është e gatshme të dërgojë atje një kontingjent shtesë. Sipas kryeministrit do të diskutohet fillimisht me NATO-n dhe menjëherë më pas do të dërgohet një kompani shtesë.
“Unë e sigurova sekretaren e shtetit, Klinton, se Shqipëria është e gatshme të kontribuojë me shtimin e trupave në Afganistan. Gjithashtu mund të them se edhe në konceptin e ri të presidentit Obama, të kontribuojmë jo vetëm ushtarakisht, në mënyrë modeste dhe proporcionale në këtë vend. Paqja, stabiliteti i të cilit ka një rëndësi për botën, ka një rëndësi madhore për të gjithë, dhe ne jemi të gatshëm që në mënyrë modeste të japim kontributin tonë”, u shpreh Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›