E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin punimet për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare

Berisha: Po jetësojmë Korridorin e Kombit. Thaçi&Sejdiu: Projekti dëshmon forcën e shqiptarëve për ndërtimin e të ardhmes evropiane

Kanë startuar dje punimet për ndërtimin e autostradës Morinë-Vermicë-Merdare, pjesë e boshtit të kombit, Durrës-Kukës-Morinë, në anën tjetër, në atë të shtetit të Kosovës. Përmes një ceremonie që qeveria e Kosovës organizoi në nisjen e punimeve të kësaj autostrade nga Vërnica, autoritetet kosovare por edhe shqiptare shprehen rëndësinë e padiskutueshme të këtij projekti madhor për popujt tanë.
Në fjalën e tij, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe ai i Kosovës Hashim Thaçi e vunë theksin tek vlerat e mëdha patriotike të kësaj rruge. Për kreun e qeverisë së Kosovës, kostoja e kësaj rruge është plot 1 shekull pritje.
Ndërkaq, kryeministri shqiptar Sali Berisha në fjalën e tij tha se kjo rrugë është jetësimi i ëndrrës shekullore të dy vendeve.
Kreu i qeverisë Berisha premtoi një tjetër projekt po kaq madhor mes Tiranës dhe Prishtinës dhe që ishte ngritja e hekurudhës mes dy vendeve.
Sipas tij qeveria e Kosovës edhe njëherë i faktuan kombit se ata janë të vendosur për çdo vendim në interesin kombëtar dhe se në interes të kombit nuk njohin çmim.
Berisha tha se qeveria e Kosovës edhe njëherë i faktuan kombit se ata janë të vendosur për çdo vendim në interesin kombëtar dhe se në interes të kombit nuk njohin çmim.
Shefi i ekzekutivit shqiptar, Sali Berisha, mori pjesë në ceremoninë e nisjes së punimeve me ftesë të Kryeministri të Kosovës Hashim Thaçi.
Në ceremoninë e rastit, morën pjesë autoritetet më të të larta të Republikës së Kosovës, Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi, ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit Fatmir Limaj, ministri i Punëve Publike dhe Transportit të Shqipërisë Sokol Olldashi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Christofer Dell, atij të Turqisë Metin Hüsrev Ünler dhe ambasadorëve të tjerë akredituar në Kosovë, si dhe mes entuziazmit të mijëra qytetarëve të Kosovës.
Autostrada Morinë-Vermicë-Prizren-Merdare është cilësuar si projekt madhor nga autoritetet në Kosovë dhe Shqipërisë. Projekti, i cili kushton 700 milionë euro është nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës dhe konsorciumit amerikano turk “Bechtel & Enka”, kompani e cila ka ndërtuar edhe durrës-morinë.
Ndërtimi i saj pritet të zgjasë 3 vjet, dhe pritet të punësohet një numër i konsiderueshëm i kosovarëve. Autostrada parashikohet të jetë e gjerë 28 metra, me 4 shirita qarkullues.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dhe anëtarë të kabinetit qeveritar të Shqipërisë dhe Kosovës, si ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, ai i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit të Kosovës, Fatmir Limaj, deputetë të Kuvendit të Kosovës, ministra dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të komunave dhe ata të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.

Projekti dëshmon forcën e shqiptarëve për ndërtimin e të ardhmes evropiane
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, u shpreh dje në ceremoninë e rastit në Vermicë, se ndërtimi i një projekti të tillë, është dëshmia më e fortë për ndërtimin e të ardhmes së përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës së integruar në BE. Duke e cilësuar si korridorin e kombit, vazhdimin e autostradës në pjesën e territorit të Kosovës, Berisha tha se do t’i shërbejë paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.
“Inaugurimi i korridorit të kombit, vetëm pak më shumë se dy vjet Kosovë e pavarur, dëshmon se çfarë mund të bëjnë shqiptarët e lirë, dëshmon forcën magjike të lirisë, vullnetin e hekurt të shqiptarëve për të kapur kohën e humbur, për të ndërtuar të ardhmen që meritojnë. Korridori i kombit e bën Prishtinën një nga kryeqytetet më të afërta me detin, në rajon. Korridori i kombi i hap Tiranës rrugën më të shkurtër drejt rajonit dhe Europës Qendrore. Por ky korridor është gjithashtu një përpjekje e madhe e shqiptarëve për të ndërtuar idealin e tyre europian. Korridori, së shpejti, do të jetë korridor bashkëpunimi dhe miqësie mes vendeve të rajonit. Unë kam bindjen më të madhe se nuk do të jetë e largët dita, kur nga ky korridor do të përfitojnë Serbia, jo më pak se Shqipëria, Maqedonia, jo më pak se Kosova. Me këtë korridor, gjithashtu, qeveria e Kosovës, autoritetet e Kosovës bëjnë një hap të madh drejt krijimit të një infrastrukture të një shteti europian. Pra, edhe në këtë sens, korridori është korridori i integrimit të Kosovës drejt rajonit dhe Europës”, tha kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë tha se vendimi që qeveria dhe autoritetet e Kosovës kanë marrë për ndërtimin e këtij korridori është vendimi i tyre më i rëndësishëm, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Por, tha Berisha, projektet e përbashkëta madhore, nuk do të ndalen me kaq.
Berisha bëri të ditur se shumë shpejt, do të nisë nga puna ndërtimi i hekurudhës që do të lidhë Tiranën me Prishtinën. “Do ta mbyll fjalën time, duke u zotuar para jush se inaugurimi i këtij korridori do të vazhdohet me inaugurimin e fillimit të punimeve të hekurudhës që do të lidhë Tiranën me Prishtinën dhe se Shqipëria është e vendosur të krijojë me të gjithë vendet përreth infrastrukturën më moderne, të krijojë me Kosovën infrastrukturën më intensive”, deklaroi ndër të tjera, kryeministri Berisha, në ceremoninë për nisjen e punimeve për autostradën Morinë-Merdare.

Autostrada, nis jeta e një ëndrre të hershme për Kosovën
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu deklaroi gjatë ceremonisë së inaugurimit të autostradës Vermicë-Merdare se me ndërtimin e kësaj rruge po nis jeta e një ëndrre të hershme të Kosovës.
Sipas tij kjo rrugë ka domethënie pasi shënon përfundimin e ndarjes së imponuar duke shtuar se me autostradën, përmes Kosovës do tu japim mundësi qytetarëve të shijojnë bregdetin e Adriatikut dhe e anasjellta do shkurtojnë largësinë e Shqipërisë nga Prizreni. “Kosova do të afrohet me detin ndërsa Shqipëria do të ketë mundësi më shumë për lidhje me Ballkanin perëndimor”, u shpreh Sejdiu duke shtuar se ata që kanë kundërshtuar lidhjen e dy vendeve për shkak të kostos së lartë të autostradës do të binden për të kundërtën nisur nga përfitimet.
“Më lejoni të përgëzoj qeverinë e Shqipërisë dhe qeverinë e Kosovës që nuk u lëkundën për asnjë çast nga misioni për ta bërë të mundur këtë rrugë”- deklaroi ndër të tjera Sejdiu.

Rruga do të afrojë gjithnjë e më shumë shqiptarët
Në fjalën e tij gjatë inaugurimit të punimeve për rrugën që do të afrojë më shumë Shqipërinë me Kosovën, kryeministri Hashim Thaci u shpreh se ky segment do afrojë edhe më shumë shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë.
“Sot po fillojmë rrugën e munguar për Kosovën dhe rajonin. ëndrrën po e bëjmë realitet dhe vizionin e qytetarëve të Kosovës po e jetësojmë. Këtë rrugë ua dedikojmë heronjve të rënë e të gjallë. Kjo rrugë do t’i bëjë më të forta familjet e tyre. Ua dedikojmë mësuesve, mjekëve, pensionistëve e komunitetit të biznesit”, u shpreh kryeministri Thaçi.
Kreu i qeverisë së Prishtinës shtoi se rruga u dedikohet gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Të ardhmen tonë e nisim me rrugën që do na lidhë me Europën. Kjo rrugë do jetë shtysë e zhvillimeve të shumë anshme në shtetin tonë të ri. Nuk ka pengesë që te na ndajë por vetëm rrugët që do na bashkojnë. Sot secili nga ne ndihet krenar me Kosovën”, deklaroi Hashim Thaçi.
Ministri i transporteve të Kosovës Fatmir Limaj u shpreh në ceremoninë e inaugurimit të punimeve të autostradës Vernicë-Merdarë se ndërtimi i autostradës do të tregojë drejtimet nëpër të cilat do të ecë Kosova. “Kjo autostradë do të jetë një projekt madhor për Kosovën dhe do të tregojë rrugën që vendi ynë do të bëjë drejt së ardhmes”, tha Limaj.
Kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti, vlerësoi fillimin e punimeve në autostradën Morinë - Prizren - Prishtinë- Merdare si të një rëndësi të jashtëzakonshme për lidhjen e të gjithë shqiptarëve. I pranishëm në ceremoninë e fillimit të punimeve Ahmeti u shpreh se “jam i lumtur që ndodhem në ceremoninë e fillimit të punimeve të kësaj vepre që i jep konturet e plota krijimit të korridorit të kombit”. Kjo autostradë, veç lidhjes me bregdetin dhe daljen në ujërat e Adriatikut, vlerësohet se do të ketë efekte të jashtëzakonshme në plan afatshkurtër dhe afatgjatë për Kosovën, por edhe për rajonin.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›