Emiratet e Bashkuara do financojnë tunelin e autostradës Tiranë-Elbasan

Do hapet për herë të parë, përfaqësia e vendit arab në Tiranë
Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe ka vendosur të financojë ndërtimin e tunelit të rrugës Tiranë-Elbasan.
Fakti është konfirmuar nga shefi i diplomacisë së Abu Dabit, sheiku Abdullah bin Zaied gjatë një një takimi që ai pati me ministrin e Jashtëm Ilir Meta në Estoni.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Jashtme mësohet se gjatë takimit të dy homologëve është vlerësuar rritja e marrëdhënieve gjatë viteve të fundit dhe u diskutua mbi zgjerimin e bashkëpunimit në nivelin politik dhe atë ekonomik.
Meta shprehu kënaqësinë e tij për hapjen së shpejti të Ambasadës shqiptare në Abu Dabi, ndërsa Sheiku Abdullah bin Zayed shprehu bindjen se edhe Emiratet e Bashkuara do të hapin Ambasadën e tyre së shpejti në Tiranë.
“Dua gjithashtu të falënderoj Ministrin e Jashtëm të EBA për vendimin e marrë nga Qeveria e tij si dhe nga Fondi i Abu Dabit, për të ndihmuar në hapjen e tunelit që do të lidhë Tiranën me Elbasanin, gjë që është shumë e rëndësishme dhe strategjike për ne. Ju falënderoj”, tha Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta.
Ai vuri në dukje gjithashtu se autoritetet shqiptare kanë marrë vendimin për t’i vënë emrin e Sheikh Zayed, aeroportit të Kukësit, gjë që dëshmon mirënjohjen e thellë të popullit shqiptar për ndihmën dhe bujarinë e madhe që Sheikh Zayed dhe Emiratet e Bashkuara treguan gjatë krizës së Kosovës, duke strehuar në Kukës rreth 10,000 shqiptarë të Kosovës, por gjithashtu duke ndërtuar një aeroport të standardeve ndërkombëtare dhe jemi të nderuar që ky aeroport të mbajë emrin Sheikh Zayed përgjithmonë, i cili është një personalitet botëror, duke pasur parasysh se ç’ka bërë ai për vendin e vet si dhe për paqen dhe stabilitetin në atë rajon.