E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti: Prej 2005-s, 200 mijë persona janë çliruar nga skema e varfërisë në Shqipëri

Banka Botërore dhe PNUD çertifikojnë suksesin e praktikave të qeverisë “Berisha” për rritjen ekonomike dhe uljen e nivelit të varfërisë. Drejtori i PNUD-it në Shqipëri, Norimasa Shimomura: “Rezultatet e anketës tregojnë një ulje të ndjeshme të varfërisë në zonat rurale me rreth 47 %”


Reformave fiskale të cilat iu kanë ardhur në ndihëm biznesit i cili ka mundur të shtojnë numrin e të punësuarve dhe rrisë pagat si dhe vet masat e qeverisë çdo vit në rritjen e pagave dhe pensioneve gjë e cila është shoqëruar me reduktim të varfërisë e cila në zonat rurale ka rënë me rreth 47%. Prej vitit 2005, në Shqipëri ka pasur një ulje të ndjeshme të varfërisë. Statistikat e një studimi të kryer nga INSTAT, Banka Botërore dhe PNUD flasin qartë për një reduktim të fenomenit. Një meritë e tillë nuk ka se si të mos e ketë qeveria Berisha kur kemi parasysh reformat e thella të kryera nga mazhoranca sidomos ato fiskale të cilat i kanë krijuar bizneseve për të hapur me mijëra vende pune si dhe rritur fitimet e tyre fal uljes së ndjeshme të taksave. Përveç politikës konkrete për uljen e varfërisë nuk mund të lihet pa u përmendur as fakti se po qeveria Berisha në fund të mandatit po shkon drejt dyfishimit të pagave dhe pensioneve. Studimi tregon qartë se rritja e pagave dhe pensioneve është shoqëruar me reduktim të varfërisë e cila në zonat rurale ka rënë me rreth 47 %. Një studim i kryer nga një grup specialistësh të INSTAT-it, PNUD-it dhe Bankës Botërore tregon se Shqipëria vazhdon të provojë ulje të ndjeshme të varfërisë në periudhën 2005-2008. Studimi bazohet në të dhënat e mbledhura nëpërmjet Anketës për Matjen e Nivelit të Jetesës, nga një kampion familjesh përfaqësuese për të gjithë popullsinë. Në anketat e kryera në periudhat prill-qershor të vitit 2002, maj-qershor të vitit 2005 dhe qershor-gusht 2008, u intervistuan afërsisht 3600 familje. Gjithashtu, u kryen intervista pranë familjeve që merren me bujqësi, në Tetor 2005 dhe Nëntor 2008. Rezultatet që u prezantuan dje në një takim në nivel ekspertësh në ambientet e Hotel Tirana, tregonin se gjatë vitit 2008 12.4% e popullsisë ishte e varfër kundrejt 18.5% në 2005, dhe 25.4% në 2002. Kjo tregon se rreth 200,000 persona nga rreth 575,000 që ishin të varfër në 2005 kanë dalë nga varfëria vetëm gjatë periudhës 2005- 2008. Varfëria është përkufizuar si pamundësia e personave për të shpenzuar të paktën 5722 Lekë në muaj për frymë në 2008 (ose 4891 Lekë për frymë në muaj në 2002). Në këtë takim u evidentua fakti se niveli i lartë i rritjes ekonomike që ka përjetuar Shqipëria në 11 vitet e fundit - mesatarisht 7.1 për qind rritje në vit nga 1998, së bashku me një rritje mesatare të pagave (në terma reale) prej 36.5 për qind në vitet 2005-2008, dhe të pensioneve me 17.4 përqind në vitet 2005-2007, ka kontribuar në rritjen nivelit mesatar për frymë në terma reale me 7.0 përqind nga 2005. Drejtori i Zyrës së PNUD-it në Shqipëri, Norimasa Shimomura, në fjalën e mbajtur në këtë takim tha se, rezultatet e anketës tregojnë një ulje të ndjeshme të varfërisë në zonat rurale në periudhën 2005-2008. Duke iu referuar treguesve Shimomura u shpreh se zvogëlimi i shpejtë i varfërisë në zonat rurale nënkupton që varfëria mund të mos përbëjë më një problem kryesisht rural. Në këtë takim ku ishin të pranishëm përfaqësuesja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Camille Nuamah, Drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, u nënvizua roli i rëndësishëm i rritjes së qëndrueshme dhe reformave ekonomike, që kanë çuar në qëndrueshmërinë makroekonomike, qeverisjen e përmirësuar, zhvillimin e investimeve në sektorin privat, përftimin e shërbimeve sociale publike (arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale). Njëkohësisht, ekspertët u shprehën se duke i drejtuar përpjekjet në zgjidhjen e problemeve të Zonës Malore, do të arrihet një ulje më e shpejtë e varfërisë në të ardhmen. Ulja e ndjeshme e varfërisë midis rajoneve është shoqëruar me një rënie më të shpejtë të shkallës së varfërisë rurale. Anketimi i kryer së fundmi nga një grup i përbashkët ekspertësh të INSTAT, PNUD dhe Bankës Botërore, tregon se ndërsa varfëria rurale për periudhën 2005-2008 ka rënë me rreth 47%, varfëria urbane është ulur me 1.2%. Raporti evidenton se edhe brenda zonave rurale, shkalla e reduktimit të varfërisë është më e dukshme në Rajonin Qendror krahasuar me zonat rurale të rajoneve të tjera, përkundër një reduktimi të ndjeshëm të varfërisë në zonat rurale në përgjithësi, ku të varfrit janë ende të përqendruar në zonat rurale të Rajonit Malor. Ekspertët shprehen optimistë për treguesit në rritje të nivelit të jetesës në zonat rurale të vendit, duke e argumentuar këtë fakt me numrin më të lartë të popullsisë që jeton në këto zona. Rritja e pagave dhe pensioneve është shoqëruar nga një reduktim i mëtejshëm i varfërisë në vendin tonë. Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, Ines Nurja, duke argumentuar rezultatet e studimit të anketës së Matjes së Nivelit të Jetesës në Shqipëri në vitet 2005-2008, e publikuara dje në Tiranë, u shpreh se "rritja ekonomike e vendit është një nga treguesit kryesorë që ka ndikuar në rënien e ndjeshme të nivelit të varfërisë në vendin tonë". Sipas saj, pjesa e popullsisë, konsumi mujor real për frymë i të cilës është nën 4891 Lekë (me çmimet e 2002) ka rënë nga 25.4% në 2002 në 18.5% në 2005 dhe në 12.4% në 2008 . Kjo do të thotë, shpjegoi ajo, se rreth 200 000 nga 575 000 të varfër në vitin 2005 kanë dalë nga varfëria. Ndërsa popullsia ekstremisht e varfër, e përcaktuar si personat që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore, është ulur nga 5% në 2002 në 3.5% në 2005, në 1.2% në 2008. Për Institutin tonë, tha znj.Nurja, anketa e Matjes së Nivelit të Jetesës është një nga momentet më të rëndësishme, për vetë ndikimin që ka në vlerësimin dhe ndërhyrjen me politika të përshtatshme në zhvillimin e vendit. Në këtë kontekst, theksoi ajo, duke qenë indikatori më i rëndësishëm social, edhe periodiciteti i kësaj ankete është thelbësor, jo thjesht për të treguar ndryshimin e përqindjes së të varfërve, por edhe për të monitoruar dhe politikat e periudhave afatgjata.


Janë rritur shpenzimet për arsimin


Përqindja që zënë shpenzimet për arsim ndaj totalit të konsumit real për frymë tregon për një rritje më të madhe që nga viti 2005 krahasuar me zërat e tjerë. Në raportin e publikuar nga INSTAT mbi "Anketën e Matjes së Nivelit të Jetesës" në vendin tonë, vihet re se shpenzimet për arsim dhe përqindja e tij ndaj totalit në 2008, janë rritur përkatësisht me rreth 57% dhe 53% që nga viti 2005. Sipas INSTAT, shpenzimet për frymë të konsumit për ushqim në terma realë në 2008 (llogaritur me çmimet e 2002) janë rritur nga 9105 lekë në vitin 2005 në 9731 lekë në vitin 2008. Ndërsa, konsideruar si përqindje ndaj totalit të konsumit për frymë, përqindja e konsumit për ushqim ka rënë me 2.2% në periudhën 2005-2008. Duke iu referuar treguesve, ekspertët shprehen se "rritja në shpenzimet e arsimit dhe në përqindjen që zënë ndaj konsumit real për frymë në 2008 dhe ulja në shpenzimet për ushqim ndaj këtij totali, tregojnë një cilësi më të lartë të nivelit të jetesës në Shqipëri". Parimisht, kur arrihen nivele të kënaqshme të konsumit, përqindja që i dedikohet ushqimit ndaj konsumit total shfaq një tendencë rënieje, meqenëse kur individët arrijnë të kënaqin kërkesat ushqimore, i përdorin të ardhurat shtesë për veprimtari të tjera. Në 2008, kjo dukuri duket se është drejtuar ndaj investimeve më të larta në arsim. Në fakt, në periudhën 2005-2008, numri i nxënësve dhe studentëve ka pasur një rritje të ndjeshme në Shqipëri. Gjithashtu, është verifikuar një rritje e konsiderueshme e shkollave private në vend, si dhe një rritje në numrin e studentëve që studiojnë jashtë vendit. Këta faktorë përputhen me rritjen e shpenzimeve për arsim si dhe të përqindjes që zë ai ndaj totalit të konsumit real për frymë.


Ndihma ekonomike ka sot fondin më të lartë prej 5.3 miliardë lekë


Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta synon kalimin e skemës së Ndihmës Ekonomike nga një skemë familjare në një skemë në funksion të individit. Zv/ministri i Punës, Kastriot Sulka, tha se “kalimi nga një skemë për familjen në një skemë për individin është një skemë moderne, që do të bëjë vlerësimin individual të atyre personave që kanë nevojë për ndihmë”. Në lidhje me eficencën aktuale të ndihmës ekonomike, Sulka tha se skema ka sot fondin më të lartë prej 5.3 miliardë lekë. “Është një trend pa shumë komente, sepse për herë të parë janë vënë në dispozicion fonde të tilla”, vlerësoi Sulka, duke shtuar se masa e këtij financimi ka bërë që ndihma ekonomike mesatare të 2-fishohet. Sipas tij, përgjatë katër viteve skema e ndihma ekonomike i është nënshtruar edhe reduktimit të numrit të familjeve abuzuese. Sulka bëri të ditur se që në vitin 2005 u bë një studim serioz në lidhje me Ndihmën Ekonomike, i sponsorizuar nga Banka Botërore, i cili konkudoi se rreth 40% e fondit të ndihmës ishte abuziv, çka nënkuptonte se fondin e përfitonin njerëz që nuk e meritonin, pra nuk kishin kriteret e përcaktuara. “Si rrjedhojë për katër vjet ne morëm masat dhe politikat e nevojshme për të ndërtuar një skemë që luftonte abuzivitetin. Dhe puna nisi me reduktimin e familjeve abuzive nga skema e ndihmës ekonomike”, tha Sulka, sipas të cilit nga 120 mijë familje përfituese, sot numërohen 93 mijë të tilla. Por deri në fund të vitit Ministria e Punës synon që reduktimi i përfituesve të arrijë deri në 85 mijë familje. Një mënyrë tjetër e marrjes së ndihmës ekonomike është edhe ajo me punë komunitare. “Është futur në mënyrë të detyrueshme që dhënia e ndihmës ekonomike të jepet me punë komunitare”, tha Sulka, pasi kjo mënyrë do të bëjë eliminimin e atyre familjeve, të cilët duke mos pranuar që të marrin pjesë në punë komuniteti tregojnë që nuk kanë nevojë për ndihmën ekonomike. Skema do të përfshijë shumë shpejt edhe kategori të tjera familjesh në nevojë. Përfitimi i kësaj skeme nuk do të ketë më vetëm kriterin ekonomik. Ndryshimet e propozuara në skemë, vijoi Sulka, do të zgjerojnë kategoritë e përfituesve, kjo pasi në praktikë u vërejt se kishte lindur nevoja e garantimit të përfshirjes së disa grupeve të papërfshira në skemë. Këto kategori, sipas Sulkës, do të përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave, kur familjet në nevojë kanë si kryefamiljar njërin nga fëmijët për arsye të vdekjes së prindërve, ose kur njëri prej prindërve është dënuar, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton. Po ashtu, parashikohet të përfshihen ato familje që kanë si kryefamiljar një person me aftësi të kufizuara fizike e mendore, paraplegjik dhe tetraplegjik ose invalid pune, familjet që kanë si kryefamiljare nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; si kryefamiljar një individ që është mbi moshë pune dhe që nuk përfiton pension, si dhe kur anëtarët e familjes së tij janë mbi dhe nën moshë pune, të cilët nuk përfitojnë pension. Tre muaj më parë, me urdhër të Kryeministrit Berisha, filloi nga puna grupi ndërministror, i drejtuar nga ministri i Punës, për të marrë në shqyrtim dhe për të propozuar ndryshimet përkatëse në Ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, me qëllim reflektimin e nevojës për garantimin e përfshirjes së disa grupeve si përfitues të ndihmës ekonomike. Grupi ndërministror është mbledhur disa herë dhe tashmë ka përfunduar draftin paraprak për ndryshimet e ligjit. Drafti, pas konsultimit me ministritë e linjës, është paraqitur për miratim në Këshillin e Ministrave.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›