“Edi Rama lexon arkivat e enverizmit, flet për sovranitet ushqimor”

Për programin e PS-së
TIRANE - Partia Socialiste prezantoi dje një pseudo program elektoral, ku Edi Rama, citonte vazhdimisht një frazë si “sovraniteti ushqimor”. Nisur nga kjo frazë e vjetër dhe tërësisht e dyshimtë për mënyrën se si prezantohet para opinionit publik, kryeministri Sali Berisha deklaroi se atë frazë ai e ka marrë nga gjysmë daja i tij. “Të gjitha programet meritojnë të shqyrtohen, por ajo çka dëgjova unë pothuaj nuk u besova veshëve të mi. A e dëgjuat ju z. Rama të flasë për sovranitet ushqimor. Nga e mori, absolutisht nga gjysmë daja i tij që na solli nga Meksika çmimin e ushqimit, ku deklaroi atje se Shqipëria ka garantuar sovranitetin ushqimor, në një kohë kur këtu vdisnin urie njerëzit. Çmimi për sovranitetin ushqimor i është dhënë Shqipërisë në Meksikë aty nga viti ‘83-’84, imagjinoni gjysma e vendit ishte e rrënuar. Unë s’kam program të atillë, ky u kthye në origjinë. Se nga e gjeti sovranitetin ushqimor, veçse arkivave. Megjithatë unë shpresoj që tre muaj para ai, sovranitetin ushqimor ta çojë atje ku e mori”, tha Berisha.