U çaktivizuan pretendimet socialiste për zgjedhjet lokale
Bombëvënësve të PS-së iu çaktivizua bomba në dorë. Edi Rma priste të ndizte fitilin e gjëmës sapo të dilte raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR, që sipas parashikimeve të orakujve do të ishte i zi. Mirëpo raporti jo vetëm që kishte një ngjyrë të kundërt me ç’ka fallxhorët e Ramës parashikonin në horoskop, por s’i asnjëherë tjetër vlerësohet se zgjedhjet që u zhvilluan më 8 maj në Shqipëri ishin konkurruese dhe transparente.
Kësisoj procesi, sipas OSBE-ODIHR, ishte pozitiv në përgjithësi, dhe këtë e kishim kuptuar të gjithë. Sigurisht që kishte probleme: një fenomen që ndikoi negativisht, polarizimi dhe zgjatja e numërimit të votave në kryeqytet. Natyrisht polarizimi filloi shumë përpara fillimit të fushatës zgjedhore, dhe e ka zanafillën në 21 janar. Këtë e pohon edhe raporti “zgjedhjet lokale u mbajtën në një mjedis politik pas krizës dhe përleshjet e dhunshme të 21 Janarit që rezultuan me 4 vdekje”. Ai që krijoi 21 janarin, sigurisht që filloi edhe polarizimin. Ai, Edi Rana që më 20 janar tha se nuk do të kapërcehen të vdekurit, kur të vdekurit do të ishin ditën e nesërme, me 21 janar, kur hordhia barbare e stërvitur posaçërisht sulmoi rendin Kushtetues, për të marrë pushtetin.
Më tej ky raport hedh poshtë një fakt të pamohueshëm, që nuk pati “abuzime me resurset administrative për qëllime fushate sesa në zgjedhjet e kaluara”. Ndërsa Edi Rama thoshte një gënjeshtër “Saliu lëviz me helikopter”, pasi kalëronte brenda ditës mijëra kilometra dhe dhjetëra mitingjet, nga ana tjetër raporti i djeshëm dëshmon një të vërtetë: resurset e administratës janë përdorur shumë pak në këtë zgjedhje. I vetmi resurs që është përdor është ai i lejueshëm, intelekti dhe forca për t’u ofruar qytetarëve një model zhvillimi dhe drejtësie. Kryeministri Berisha konstatoi se raporti ishte objektiv, dhe një frymëzim për zgjedhjet e ardhshme. Ky këndvështrim është i saktë, dhe është koherent me të gjithë rekomandimet e ndërkombëtarëve. Ky frymëzim ka nevojë për bashkëpunim. Janë 27 rekomandime që kërkojnë një përgjigje në reformën e ardhshme elektorale. Dhe OSBE/ODIHR rekomandon kryerjen e Reformës Elektorale përpara zgjedhjeve të ardhshme. Prandaj diskutimet për këtë duhet të përfshijnë jo vetëm partitë politike por edhe KQZ, e grupet e vëzhguesve. Reforma mund të kryet vetëm me përmirësimin e Kodit Zgjedhor, sigurisht duke shkruar parimin e pranuar nga të gjithë të leximit të të gjitha votave, përpos atyre jashtë çdo norme dhe kusht ligjor.
Sidoqoftë leximi që do t’i bëjë Partia Socialiste, apo pjesëza të opozitës, ky raport shuan pretendimet opozitare për pavlefshmëri, dhe i jep një shuplakë të fortë Ramës. Vlerësimi pozitiv për zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri, cka u pasqyruan edhe në faqet e raportit është meritë e sistemit tonë, jo pa defekte, por më i miri që kemi pasur ndonjëherë. E mira s’ka fund, prandaj duhet shumë punë dhe një reformë konstruktive dhe një besim reciprok për të kapur normalitetin, ku të diskutohet për meritat dhe defekte e kandidatëve, dhe jo meritat dhe defektet e Partive politike.