Sfida e socialdemokracisë
Me rastin e njëzetvjetorit të Partisë Socialdemokrate të Kosovës, u organizua një konferencë nga Friedrich Ebert Stiftung (FES), “Socialdemokracia - qendër: konceptualizimi dhe implikimet për shoqërinë kosovare”, ku morën pjesë përfaqësues të partive socialdemokrate nga rajoni.
Në këtë tryezë, partitë socialdemokrate të vendeve të rajonit kanë vlerësuar se duhet të rritet bashkëpunimi ndërmjet tyre.
Përfaqësuesi i Partisë Socialdemokrate të Kroacisë, Anton Vujic, tha se partitë socialdemokrate po fitojnë vetëm në vendet e zhvilluara dhe asnjëherë nuk po arrihet sukses në vendet e pazhvilluara.
“Është interesant që kudo që kemi një mjedis më të zhvilluar, socialdemokracia rregullisht fiton në zgjedhje. Kudo që socialdemokracia është më pak e përparuar dhe është më pak rurale, në ato mjedise socialdemokracia humb”, tha Vujic.
Ndërsa në anën tjetër, përfaqësuesi i PSD’së nga Serbia, Dusan Janjic, ka thënë se sikur pajtimi franzezo-gjerman, duhet të ndodhë edhe pajtimi shqiptaro-serb.
“Që ky pajtim të ndodhë, duhet të punohet më seriozisht dhe me përgjegjësi. PSD e Serbisë prioritet e ka të ketë sa më shumë serbë në Kosovë të kënaqshëm dhe të suksesshëm, sepse derisa ka serbë të kënaqshëm, do të ketë përmes kujt të bashkëpunohet”, tha Janjic.
Ndërsa Kryetari i PSD’së në Kosovë, Agim Çeku, ka thënë se PSD’ja, njëzetvjetorin ka vendosur ta festojë duke punuar.
“PSD’ja nuk është formuar si tranisicion ose si transformim i partisë apo Lidhjes Komuniste, e cila atëherë veç ishte e shpërndarë dhe gjithë anëtarët pothuajse në mënyrë demonstrative i dorëzuan librezat, por është formuar si parti e sistemit pluralist, ndërtimit të pluralizmit, ndërtimit të parlamentarizmit në linjë me idenë dhe programin social të demokracisë europiane”, tha Çeku.