“Edi Rama, mos kini fobi nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme”

Kryetarja e Kuvendit i përgjigjet shqetësimit të kreut të opozitës
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e ftuar në konferencën e “NATO-60 vjet në të mirë të sigurisë ndërkombëtare”, i është përgjigjur shqetësimit të kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili ka pohuar dje gjatë punimeve të kësaj konference se procesi zgjedhor në Shqipëri është i rrezikuar. Kryetarja e Kuvendit u shpreh se “unë nuk mendoj që ata që drejtojnë partitë duhet të kenë frikë nga zgjedhjet, nuk mendoj që ata duhet të kenë fobi nga zgjedhjet, siç ndodh me disa”, tha kryetarja e Kuvendit, duke pasur parasysh në këtë rast, kryetarin e opozitës.
“Ajo ditë duhet të jetë ditë feste dhe unë jam shumë e sigurt që dita e zgjedhjeve do të jetë ditë feste”, tha kryetarja e Kuvendit. Duke u kujtuar kryetarëve të partive që të mos kenë frikë të shkojnë në zgjedhjen, Topalli u shpreh se “unë jam shumë e kënaqur që pas 18 vitesh si asnjë herë tjetër, në zgjedhjet e ardhshme ne do shkojmë me infrastrukturën më moderne”.
“Unë uroj që politikanë që drejtojnë partitë, ditën e zgjedhjeve ta shohin si një ditë feste”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.
Sa i përket anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kryetarja e Kuvendit u shpreh se “anëtarësimi në NATO nuk do të arrihej pa një lidership të fortë. Liderët a fortë kanë kurajo, guxuan të shohin Shqipërinë në NATO, dhe ja dolëm të fitojmë NATO-n. Liderët e fortë natyrisht shohin me optimizëm përpara”.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se “pas anëtarësimit në NATO, ne do kemi zgjedhjet. Unë jam shumë e lumtur që procesi i shpërndarjes së Kartave të Identitetit po ecën shumë normalisht”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.