E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha vlerësohet në Gjermani si “babai i historisë moderne të Shqipërisë”

Kreu i qeverisë prezanton para sipërmarrjeve të fuqishme gjermane potencialet që ofron Shqipëria për investime

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha u prit në Essen të Gjermanisë nga një grup investitorësh të fuqishëm të kësaj zone të rëndësishme për ekonominë gjermane në një aktivitet të organizuar nga Komisioni i Ekonomisë së Gjermanisë për Lindjen. Në këtë takim merrnin pjesë drejtues dhe përfaqësues të kompanive të mëdha të autotransporteve, infrastrukturës, industrisë agro-ushqimore, industrisë së përpunimit të mineraleve, industrisë metalurgjike, si dhe përfaqësues të kompanive më të mëdha të organeve të medias. Në këtë takim merrte pjesë edhe kompania që ka kryer punimet për modernizimin e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Shefi i qeverisë shqiptare u përshëndet nga Bodo Hombah, Anëtar i Kryesisë së Komisionit të Lindjes të Ekonomisë gjermane, Kryetar i Grupit mediatik ËAZ.
Hombah falënderoi kryeministrin Berisha për këtë vizitë dhe shprehu kënaqësinë e tij që përfaqësuesit  e biznesit gjerman takohen me kryeministrin Berisha, të cilin ai e vlerësoi si “babanë historisë moderne të Shqipërisë”.
Nga ana e tij Berisha falënderoi Hombah dhe përfaqësuesit e biznesit gjerman për këtë pritje të ngrohtë dhe për interesin e veçantë të dëshmuar për Shqipërinë dhe potencialet e saj. “Dua të shpreh mirënjohjen time për ndihmën jashtëzakonisht të çmuar që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në këto 17 vite. Përgjatë kësaj periudhe vendi dhe kombi juaj e ka ndihmuar Shqipërinë me mbi 860 milionë euro, dhe kjo është ndihma më e madhe për frymë popullsie. Për këtë unë, qeveria ime dhe populli shqiptar ju shprehin mirënjohjen më të madhe”, u shpreh kryeministri Berisha.
Berisha u ndal në një nga qëllimet kryesore të qeverisë së kryesuar prej tij; lehtësimin sa më të madh të klimës së biznesit në Shqipëri.
Duke iu referuar pengesave për mungesën e investimeve të huaja deri katër vite më parë në Shqipëri, kreu i qeverisë theksoi se dy mure të mëdha pengonin sipërmarrjet ndërkombëtare të interesoheshin për shfrytëzimin e potencialeve të mëdha në Shqipëri.
“Ka pasur dy mure të rëndësishme që pengonin investimet; krimi i organizuar ndaj të cilit qeveria ime ka aplikuar zero tolerancë duke shkatërruar 206 grupe kriminale dhe kemi vënë përpara ligjit në 18 muaj 1 mijë drejtues dhe anëtarë të bandave kriminale. Indeksi i kriminalitetit në Shqipëri është nën mesataren e vendeve evropiane. Dhe kjo ka bërë që Shqipëria të jetë një vend i sigurt. Muri i dytë ishte korrupsioni, i cili ishte kthyer në sistem, ndaj të cilit është bërë një luftë e vendosur me konsekuencë”, vlerësoi Berisha.
Në këtë kontekst kryeministri tha se lufta kundër korrupsionit ka dhënë rezultatet e saj duke veçuar nxjerrjen e administratës publike nga konflikti i interesit, uljen e shpenzimeve operative nga 3 për qind në 2 për qind të GDP-së, mbledhjen e 3.2 miliardë dollarëve më shumë se qeveria e mëparshme dhe kursimin e gjysmë miliardë euro nga prokurimet si dhe rritjen e përvitshme të të ardhurave me 22 % pavarësisht uljes drastike të taksave. “Në rast se para katër vitesh ishim në 24 vendet më të korruptuara të globit këtë vit sipas Transparency International kemi lënë 95 vende të botës pas në luftën ndaj korrupsionit. Kriteri i parë për mua dhe për qeverinë time në çdo praktikë pune është antikorrupsioni”, tha kreu i qeverisë.
Më tej kryeministri theksoi se rritja e të ardhurave i ka dhënë mundësi qeverisë që të përqendrohet në investimet në infrastrukturën e vendit, e cila po ndërtohet nga e para dhe brenda katër viteve Shqipëria do të ketë një rrjet rrugor tërësisht të ri. Berisha vlerësoi se investimet në Shqipëri janë me interes të madh pasi përfundimi i rrugës Durrës-Kukës do të ndryshojë tërësisht tregun rajonal duke bërë që prodhimet në Shqipëri të hyjnë në një treg akoma dhe më të gjerë.
Në përfundim kryeministri Berisha ftoi biznesin gjerman të investojë në Shqipëri, duke i garantuar ata për transparencë të plotë dhe duke nënvizuar se çdo investim i tyre në Shqipëri do të shndërrohet në një histori suksesi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›