E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Ministrave hap siparin e transformimeve të mëdha për Tiranën

22-05-2013 / Gazeta 55

Berisha: Edi Rama, qaramani që shpërdoroi fondet e Bashkisë. Për Tiranën nisim një epokë të re

Qeveria përcakton autoritetin kontraktues për zbatimin e projekteve të rëndësishme për kryeqytetin, siç është bulevardi verior i Tiranës, transferimi i stacionit të trenit dhe ndërtimi i terminalit të trenit të pasagjerëve. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë Berisha tha se “me këtë vendim qeveria hap siparin e transformimeve të mëdha për Tiranën”

“Në një hark kohor ndër më të shkurtrit bashkëpunimi bashki e kryeqytetit me qeverinë, fryma e këtij bashkëpunimi bëri të mundur hapjen e projekteve të cilat firmosin Tiranën e shekullit të 21”. Kështu u shpreh sot kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ndërsa veçoi nga rendi i ditës vendimin “Për përcaktimin e autoritetit kontratues dhe zbatues të projektit të bulevardit verior dhe të rehabilimit të lumit të Tiranës, të financuar nga Fondi për Zhvillim Abu Dhabi”. Duke folur mbi këtë vendim, kryeministri u shpreh se qeveria vendos të hapë siparin e transformimeve të mëdha në kryeqytetin e vendit dhe kjo është një datë e shënuar në historinë e Tiranës.
Kryeministri tha se për Tiranën fillon një epokë e re të cilën qytetarët e meritojnë plotësisht, e cila lë pas periudhën kur fondet e dhëna nga qeveria u përdorën nga ish kryetari i bashkisë për shndërrimin e saj në sipërmarrjen e Partisë Socialiste. “Në një hark kohor, ndër më të shkurtrit, bashkëpunimi bashki e kryeqytetit me qeverinë, fryma e këtij bashkëpunimi, bëri të mundur hapjen e projekteve, të cilat firmosin Tiranën e shekullit të 21. Për hir të së vërtetës duhet të them se projekti i bulevardit është merita  e atij urbanisti të madh që projektoi Tiranën, por që natyrisht u arkivua për dekada nga regjimi komunist, u arkivua për 11 vite nga ish kryetari i bashkisë së Tiranës, i cili ka përfunduar tani, që të vjen keq, tek e dëgjoje kur thoshte se qeveria nuk e ndihmonte, si një qaraman i vërtet, në një kohë kur qeveria, jo vetëm po e ndihmonte, por qeveria mori kredi sovrane për unazën e kryeqytetit dhe Banka evropiane kërkoi që për pjesën jashtë territorit të bashkisë të kishte një bashkëpunim qeveri-bashki dhe që Koçoja nuk e lejoi ndonjëherë. Natyrisht po të krijohej ndonjë komision i përbashkët, tenderi nuk i jepej dot Koços. Jo se ne kishim ndonjë problem personal me njeri – tjetrin, por  rrugëve të kryeqytetit u kishte dalë boja dhe asfalti, aty ku kishte punuar Kristaqi. Më famoze ishin tabelat që fillonte në prill dhe mbaron muajin tjetër dhe kaluan tre vjet me rradhë dhe tabela mbeti aty. Tani unaza po përfundon. Qaramani iu ankua qytetarëve se qeveria nuk i dha fonde dhe unë dua ti informoj qytetarët se qeveria i dha fonde tre herë më shumë, se qeveria e tij dhe këtë  e bëmë për Tiranën se ishte normale që duhet ta bënim. Po ku shkuan fondet? Fondet u përdorën për shndërrimin e bashkisë në sipërmarrjen e partisë. Aty u punësuan 5 mijë vetë, fondet u bënë rroga, u bënë firma të paguara nga ai famozi nënkryetar që firmoste nga nënkryetar bashkie në emër të PS, pagesa për firma të ndryshme të marrëdhënieve publike të zotit Rama dhe rrugët nuk u rregulluan. E dorëzoi bashkinë me 250 kilometra rrugë dhe rrugica balte, mund të jenë dhe më shumë, por këtu janë ato që nuk kanë parë asfalt ndonjëherë, se atëherë asfalti vetëm sa hidhej sipër. Pra, për Tiranën fillon një epokë e re të cilën qytetarët e meritojnë plotësisht. Tirana duhet të jetë simboli më i arrirë për të gjitha qytetet e kombit tonë. Ajo është por duhet të behet e tillë në të gjitha aspektet. Ajo është qendra, zemra, truri i Shqipërisë. Me këto tre projekte të mëdha, ndërtohet dhe lumi, është projekti për trajtimin e lumit të Tiranës, një lum shumë i bukur. Të gjithë këto krijojnë mijëra vende pune. Këto vende pune janë jo vetëm për ato që punojnë aty. Janë dhjetëra mijëra të tjera që krijohen me gjithçka, ku ndërtohet e krijohet në këto zona. Absolutisht gjysma  e paralizuar e Tiranës merr jetë, se gjysma nga pikëpamja e zhvillimit urban, ajo gjysmë është si e ndarë me thikë, pra gjysma tjetër bëhet e gjallë, rivalizon me këtë gjysëm. Do të krijohet zona e re rektreative e lumit. Nga një rezervuar plehrash që ishte shndërruar më parë do të jetë një nga zonat më të bukura të qyteti”- u shpreh Berisha.
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kryeministri kërkoi gjithashtu përgjysmim e të gjitha detyrimeve fiskalë të industrisë turistike. Duke e vlerësuar atë si një degë kryesore të ekonomisë, kryeministri theksoi duhet bërë gjithçka për nxitjen, inkurajimin e tij gjithnjë e më të madh. “Përgjysmimi i çdo detyrimi fiskal  në industrinë turistike, do të jetë një nga masat e fuqishme nxitëse për këtë industri dhe për zhvillimin e mëtejshëm.” u shpreh kryeministri.
Kryeministri gjithashtu veçoi nga rendi i ditës disa vendime për dhënien me koncesion të disa HEC-ve si dhe vendimin “Për ngritjen e memorialit “Ushtarët amerikanë të rënë në luftë” në Republikën e Shqipërisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›