Takimi, masa në shkolla kundër gripit të derrave
Që me nisjen e vitit të ri shkollor do të merren një sërë masash për të parandaluar gripin e derrave. Do të shpërndahen udhëzues për mësuesit e nxënësit, në mënyrë që të jenë të përgatitur për një epidemi të mundshme. Në këto konkluzione arritën dje përfaqësues së Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës gjatë një takimi të mbajtur posaçërisht për situatën e gripit në vend. Duke u nisur nga të dhënat epidemiologjike, gjatë këtij takimi u vendos se, nuk ka asnjë arsye për të shtyrë fillimin në datën e caktuar të vitit të ri shkollor. "Ministria e Shëndetësisë, do të jetë në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm me strukturat e Ministrisë së Arsimit për zbatimin në praktikë të masave të domosdoshme për parandalimin e këtij virusi", thanë dje përfaqësuesit. Gjithashtu, caktuan dje pikat e kontaktit të përbashkët, të cilat do të monitorojnë situatën ditë pas dite. Në këtë kuadër, javën e ardhshme do të organizohen takime me mjeket e shkollave dhe drejtoritë arsimore rajonale. Sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik ambientet shkollore kanë risk shumë të lartë për të krijuar vatra epidemike.