E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëzimi, nis mësimi që 5 vjeç

 

zirina llambro

Nxënësit e arsimit parauniversitar kanë edhe një javë kohë për t'u regjistruar në shkolla. Zyrtarisht mësimi do të nisë në 14 shtator. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës publikoi dje udhëzimin e ri me ndryshimet përkatëse në programe e kurrikula. Për herë të parë, në kuadër të zbatimit të projektit "Cilësi dhe barazi në arsim", në të gjithë vendin, do të hapen 50 klasa të reja përgatitore për fëmijët 5-6-vjeçarë, pranë shkollave të Ciklit të Ulët. Në mënyrë fakultative ato do të ndjekin programe të thjeshtuara mësimore, në qëllim që vitin që vjen të jenë të përgatitur për klasën e parë. Ky projekt pritet që në vijim të shtrihet në të gjithë vendin dhe të bëhet i detyrueshëm.
Një risi tjetër do të këtë edhe për nxënësit e klasave të VI-ta. Përveç gjuhës së huaj të parë të detyruar, ata do të kenë mundësi të mësojnë edhe një gjuhë të huaj të dytë fakultative (jo me detyrim). Mësimi do të zhvillohet mbi bazën e orëve ekstrakurrikulare. "Synimi i kësaj politike arsimore është shumëgjuhësia në shkollat e arsimit parauniversitar, mundësimi i mësimit të një gjuhe të huaj që në moshë sa më të vogël,( klasa III e CU) vijimësia e gjuhës ( klasa VI ) dhe  mundësia e gjuhës së dytë në ciklet pasardhëse", sqaron Ministria e Arsimit. Në këtë vit arsimor, në të gjithë shkollat 9-vjeçare do të mundësohet mësimdhënia e lëndës së informatikës.
Gjimnazet
Për herë të parë këtë vit në gjimnaze do të ketë lëndë me zgjedhje. Është strukturuar tërësisht kurrikula, programet dhe standardet lëndore. Struktura e re kurrikulare e gjimnazit e do të jetë e përbërë nga dy pjesë kryesore, kurrikula bërthamë dhe kurrikula me zgjedhje te detyruar dhe të lirë. "Kjo kurrikul sjell një konceptim të ri të procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies, duke synuar që sistemi arsimor shqiptar të përafrohet me atë ndërkombëtar në formë dhe përmbajtje", sqarojnë specialistët e MASH. Sipas tyre, kurrikula me zgjedhje përfshin kurrikulën me zgjedhje të detyruar dhe kurrikulën me zgjedhje të lirë. Kurrikula me zgjedhje, në vitin e parë të gjimnazit do të përfshijë 9 lëndë. Ato janë përkatësisht Matematikë e avancuar, Letërsi e avancuar, Informatikë e avancuar, Trashëgimia jonë kulturore, Gjuhë e huaj (Anglisht, Frëngjisht, Italisht, Gjermanisht dhe Spanjisht) Lëndë me zgjedhje të lirë janë përforcimi në matematikë, letërsi, fizikë dhe biologji. Ndërkaq, nga sa bën me dije Ministria e Arsimit janë shtypur dhe po shpërndahen tekstet e reja shkollore për arsimin parauniversitar.

Udhëzimi

Gjuha e huaj e nisur në klasën III, të vijojë të mësohet detyrimisht në klasën VI.
Klasa e VI është niveli i dytë i fillimit të mësimit të një gjuhe të huaj tjetër, si:
a. Gjuhë e huaj e parë e detyruar për nxënësit që nuk e kanë filluar mësimin e saj në klasat e fillores;
b. Si gjuhë e huaj e dytë fakultative për nxënësit, të cilët e kanë filluar mësimin e gjuhës së huaj të parë në klasat e fillores dhe dëshirojnë të mësojnë një gjuhë të dytë ose kur shkolla dëshiron të alternojë gjuhët e huaja.

Programet e reja në gjimnaz
Lënda Arte (muzika, vallëzimi, teatri, arti pamor)
Lënda:  Edukimi Fizik dhe Sportet
Lënda: Gjuhë e huaj Anglisht, Frëngjisht dhe Italisht
Lënda:  Gjuha shqipe dhe letërsi
Lënda:  Edukimi për karrierën dhe aftësimi për jetën do të punohet me programin e ri, të miratuar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës ,datë 04.03.2009,për vitin shkollor 2009-2010.
Lënda: Matematikë, Kimi, Fizikë, Biologji me programe të përkthye
Lënda: Shkenca e Tokës mjedisit dhe hapësirës
Lënda:  Qytetari Histori,.Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit

Kurrikula me zgjedhje përfshin kurrikulën me zgjedhje të detyruar dhe kurrikulën me zgjedhje të lirë. Kurrikula me zgjedhje, në klasën e 10 gjimnaz do të përfshijë lëndët: Matematikë e avancuar, Letërsi e avancuar, Informatikë e avancuar, Trashëgimia jonë kulturore, Gjuhë e huaj (Anglisht, Frëngjisht, Italisht, Gjermanisht dhe Spanjisht) të cilat do të zhvillohen me programe të miratuara nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, si dhe tekstet përkatës, që parashikohen në katalogun e ALTERTEKST-it i vitit 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›