“Edi Rama nuk e mbajti premtimin, i humbi zgjedhjet, të mos rikandidojë”

Deklaron Andi Harasni, një nga firmëtarët për mbledhjen e kryesisë
TIRANE – Andis Harasani anëtari i Kryesisë së PS-ës, dhe një nga firmëtarët e kërkesës i drejtuar Sekretariatit të kësaj partie për mbledhjen e kryesisë së PS, shprehet kundër rikandidimit të Edi Ramës për kryetar të PS-ës.
Kreu i PS-ës, sipas Harasanit, është një ndër shkaqet e humbjes së kësaj partie në zgjedhjet e me 28 qershorit. Për këtë shkak ai i kërkon hapur Edi Ramës të lërë në gare vetëm Arben Malajn dhe Ben Blushin e të mos konkurrojë vetë.
“Personalisht mendoj se zoti Rama nuk duhet të kandidojë pasi nuk arriti atë premtim që i dha PS për ta sjellë PS në pushtet. Për sa kohë nuk u realizua ky objektiv nuk mendoj se Edi Rama duhet të kandidojë. Rezultati i qershorit të 2009 tregoi që nuk vihet në pushtet dhe teoritë për vjedhjen e votës janë të pamjaftueshme. Për sa kohë që objektivi jonë për të ardhur në pushtet nuk u realizua të tjerat janë vetëm fjalë për të mbushur gazetat”, thekson Harasani.
Duke folur për nevojën e një ridimensionimit të PS-ës , ai shpjegon se kjo do të thotë zbehje e kompetencave të kryetarit të partisë.
Katër ditë përpara Kongresit të Jashtëzakonshme, dhe disa orë pas dorëzimit të kërkesës për thirrjen e mbledhjes së Kryesisë, Harasani shpjegon se mbledhja është thirrur në përputhje dhe sipas Statusit të PS-ës. Sipas tij, kjo mbledhje duhet të analizojë situatën post zgjedhore të humbjes së PS-ës, si dhe duhet të nisë menjëherë punën me grupin e ri parlamentar.
“Kërkesa jonë është një kërkesë e domosdoshme dhe e nevojshme për tu mbledhur kryesia e Partisë Socialiste. Janë pesë pika të cilat kemi kërkuar. Pika e parë është formatimi i grupit parlamentar i partisë socialiste i cili në 7 shtator fillon sezoni i ri në Parlament. Kjo është detyrë e kryesisë së Partisë Socialiste. Kemi kërkuar, në kushtet kur kryetari ka dhënë dorëheqjen, se është detyrë ë kryesisë që të mbledhë një ose formatojë një grup për të formuar kryetarin e ri parlamentar”, shpjegon Harasani disa nga pikat e kërkesës për mbledhjen e Kryesisë së PS-ës.
Harasani flet edhe për propozimet për ndryshimet në Statusin e PS-ës.
Ai vë në dukje se ndryshimet e Statutit të socialistëve duhet të bëhen ashtu siç ndodhën edhe në vitin 2005 me mbështetjen e vetë Edi Rames.
“Ky është një kongres i jashtëzakonshëm. Edhe në vitin 2005 ishte një kongres i jashtëzakonshëm. U fut një platformë në 2005. Ishte platforma ‘Ruçi’ e propozuar nga Ruçi dhe Rama për ndryshime në Statut. Pati rezultat. Përsëri kërkohet ndryshim në Statut. Nuk ka asgjë që Statuti ta pengojë për ndryshime statuore”, thotë Harasani.
Një kërkesë legjitime ku firmëtarët kanë vënë në shkresën e tyre është edhe garantimi i transparencës së plotë në Kongres dhe jo si ndodhi në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme Kombëtare të PS-ës, e cila u zhvillua pa praninë e medias dhe kjo për shkak të zërave kundër rezolutës Rama paraqitur në këtë asamblenë.
Lidhur me këtë argument, Harasani sqaron se, “humbëm zgjedhjet e 28 qershorit por, në fund të fundit gjithmonë një parti politike vjen në pushtet. Për sa kohë që ne nuk arritëm të realizojmë këtë konkretisht për shkak se në disa zona nuk arritëm objektivin elektoral, përsëri është përgjegjësia jonë. Në këto kushte mendoj se do jetë e domosdoshme që Kongresi të jetë sa më transparent, Kongresi duhet të jetë i gjithi i hapur për mediat, duhet të jenë të ftuar nga të gjitha partitë politike, ambasadat, në mënyrë që të jetë një Kongres sa më transparent, që ti tregojmë qoftë votueseve të majtë, por edhe të djathtës, që ne dimë të ndryshojmë. Nuk kemi pse të kemi frikë nga mediat. Kjo ka qenë dhe një nga kërkesat që Edi Rama ka pasur në 2005. Një nga premtimet në 2005 që të gjitha mbledhjet do të jenë të hapura. Duhet të kemi parasysh se kemi të bëjmë me një opozitë që në numër është më e madhe se 2005 - 2009. Duke pasur parasysh këto duam që ky Kongres të jetë sa më transparent, të arrijmë atë që për mua është kryesorja se Partia Socialiste është në opozitë për shkak të përçarjes. Dhe ajo që ka nevojë është të kemi durimin të kemi inteligjencën që të dëgjojmë njëri-tjetrin, që të mos kemi më përçarje në PS”.