“Zgjedhjet s’arritën standardet, sepse nuk i fitoi Edi Rama”

Deputetja edviniste Vasilika Hysi publikon raportin për zgjedhjet në emër të Komitetit të Helsinkit
Momenti publikimit të këtij raporti, rreth tri-katër ditë para Kongresit të jashtëzakonshëm të PS-ës, tingëllon më tepër si një argument më shumë që Vasilika Hysi i jep në dorë Edi Ramës, për ta përdorur në kongres, në tentativën për t’i mbushur mendjen delegatëve se ai duhet të rikandidojë për kryetar, sepse edhe sipas Vasilikës së KSHH-ës, zgjedhjet u manipuluan dhe ju vodhën atij.
TIRANE – Vasilika Hysi, deputetja e PS-ës e cila kryesoi listën e kandidatëve të kësaj partie për deputetë në Qarkun e Tiranës, ka publikuar një raport, të pretenduar përfundimtar për zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Sikurse pritej, megjithëse nën emrin dhe logon e Komitetit Shqiptar i Helsinkit (KSHH), Vasilika Hysi, deputetja e PS-ës, e cila “parte time’ bën edhe detyrën e drejtores Ekzekutive të KSHH, nuk ka kursyer dozat e kritikës për shkeljet e pretenduara në zgjedhje, dhe për mosarritje standardesh, të cilat nuk ndryshojnë nga shkeljet e pretenduara që ka evidentuar prej rreth dy muajsh edhe vetë PS. Momenti publikimit të këtij raporti, rreth tri-katër ditë para Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS-ës, tingëllon më tepër si një argument më shumë që Vasilika Hysi i jep në dorë Edi Ramës, për ta përdorur në kongres, në tentativën për t’i mbushur mendjen delegatëve se ai duhet të rikandidojë për kryetar, sepse edhe sipas Vasilikës së KSHH-ës, zgjedhjet u manipuluan dhe ju vodhën atij, Edi Ramës.
Në raportin e djeshëm, i cili besohet se është i fundit që publikon për këto zgjedhje Vasilika Hysi e KSHH-ës, ishte bërë kujdes që nga hartuesit e tij, që ti mëshohej vetëm procesit të numërimit të votave, sepse edhe vetë Edi Rama i PS-ës, i cili në 29 qershor besonte se kishte fituar, kur mori vesh që nuk i dilnin hesapet e mandateve, sigurisht gjatë numërimit të votave, filloi të nxijë, pikërisht këtë pjesë ët gjithë procesit zgjedhor.
Vasilika Hysi e KSHH-ës, kishte dhe një arsye tjetër që ti mëshonte më tepër nxirjes së procesit të numërimit të votave, sepse në raportin e saj paraprak, të datës 29 qershor 2009, kur Edi Rama besonte se i kishte fituar zgjedhjet, ajo e ngrinte lart procesin e votimit, duke numëruar arritje të pafundme, lidhur me procedurat për hapjen e qendrës së votimit, lidhur me procedurat e votimit, apo edhe lidhur me procedurat e mbylljes së votimit dhe numërimit të votave.
Ndërsa në raportin e djeshëm Vasilika Hysi e KSHH-ës, i kishte harruar këto pjesë të procesit zgjedhor dhe vërtitej e vërtitej, dhe nuk largohej më shumë se KQZ-ja, e për ët cilën Vasilika Hysit të KSHH-ës, kishte vërejtur se, “gjatë procesit u paraqitën fakte shqetësuese, qëndrime të njëanshme dhe të politizuara të KQZ-së, presione dhe ndërhyrje në veprimtarinë e komisioneve zgjedhore, vlerësime negative sidomos gjatë fazës së numërimit të votave”.
Sjellja më e fundit e Vasilika Hysit, megjithëse tani ka edhe mandatin e deputetes në xhep, nuk ndryshon shumë nga sjellja e saj, përgjatë fushatës elektorale, kur ajo, megjithëse kryesonte listën e kandidatëve për deputetët të PS-ës në Qarkun e Tiranës gjente kohë edhe të publikonte raporte në emër të KSHH-ës.
Një raport i tillë i cili daton diçka më shumë se tri javë para zgjedhjeve, kritikonte vonesat e pretenduara në shpalljen e listave përfundimtare të zgjedhësve pranë çdo qendre votimi.
Duke e pasur si metodë pune, veçanërisht para datës së zgjedhjeve, përgjatë fushatës elektorale, disa herë, kandidatë për deputetët të PS-ës, publikonin raporte të OJF-ëve të tyre, që “i shisnin për ndërkombëtare”.
Janë të njohura në këtë drejtim, abuzimet e Ditmir Bushatit, i cili spekuloi mbi raportin e Komisionit Evropian për sa i përket përmbushjes së standardeve për liberalizimin e vizave. Pas këtij spekulimi, sikurse u mësua dhe denoncua menjëherë, mësohej se ishte “Lëvizja Evropiane në Shqipëri” (“European Movement in Albania” - EMA), e drejtuar prej Ditmir Bushatit. Spekulimi i Bushatit, tashmë deputet, u përsërit edhe në një tjetër rast, kur Geldis Gjipalit, të birit të Saemira Pinos, anëtares së kryesisë së PS-ës, paraqiti “Monitorimin e procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimin elektronik”, këtë herë duke abuzuar edhe me emrin e Ambasadës amerikane në Tiranë dhe financimin e saj, duke publikuar një sërë pretendimesh, që nuk ishin asgjë më shumë se zmadhimi i të gjitha pretendimeve të njëpasnjëshme të PS-së. Pas këtij mashtrimi, ende mbahet mend reagimi i Ambasadës amerikane në Tiranë, që mohoi të kishte lidhje me këtë raport të pretenduar të Ditmir Bushatit.