“Marrëveshja PD-LSI është e pakthyeshme dhe e patjetërsueshme”
Deklaron Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili
“Komente që nuk kanë të bëjnë me ndonjë thelb politik, por që janë thjesht komente të nivelit të zëdhënësve të bashkisë së Edi Ramës, nuk janë në interesin politik madhor ku ndodhet vendi dhe LSI-ja për tu marrë me ta”
TIRANE – Sekretarit të Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili e ka quajtur të patjetërsueshme dhe të pakthyeshme marrëveshjen për bashkëqeverisje mes LSI-së dhe PD-ës.
“Marrëveshja PD-LSI është një vendim madhor dhe historik i Konventës së LSI-së, që është dhe forumi më i lartë i LSI-së, dhe ky vendim jo vetëm që është i patjetërsueshëm dhe i pakthyeshëm, por është dhe obligim madhor i LSI-së që nga Kryetari i saj dhe deri tek anëtari i thjeshtë. Procesi i negocimit është në fazën e tij përgatitore, qoftë në mënyrë të planit programor, e cila përbën dhe sfidën dhe risinë e re. Sepse kjo është një marrëveshje historike që nuk ka vënë asnjëherë në balancë interesat partiake, por ka vënë në radhë të parë dhe kjo është lehtësisht e lexueshme për këdo njeri normal dhe për mijëra qytetarë që e mendojnë kështu, pra ka vënë në plan të parë integrimin, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e vendit”, u shpreh dje Vasili në një konferencë shtypi ëpr gazetarët.
Ai i ka vlerësuar më tej si shumë pozitive ecurinë e hartimit të një programi e platforme të përbashkët qeverisë, brenda afateve kushtetuese.
“Po punohet në pjesën programore, në këtë platformë e cila përbën thelbin dhe zemrën e kësaj marrëveshje, e cila në përputhje me afatet kushtetuese dhe jo më parë, do të konkludohet në ditët e para të Shtatorit. Kështu që mendoj se kjo ecuri shumë pozitive, dhe kjo qetësi dhe stabilitet i krijuar në vend, është falë këtij bashkëpunimi historik të LSI-së. Dhe kjo është një ëndërr jo vetëm për mijëra shqiptarë, por edhe për shumë dhe shumë të tjerë që kanë sakrifikuar edhe para viteve ‘90 për një Shqipëri të hapur dhe jo të izoluar, një Shqipëri në stabilitet dhe jo në kaos, një Shqipëri të qetë, dhe jo një Shqipëri të turbulluar”, sqaroi më tej Vasili.
Në përgjigje të interesimit të gazetarëve, Vasili i ka quajtur si deklarime të nivelit të zëdhënësve të bashkisë, reagimet e disa ditëve më parë të 5 anëtarëve të kryesisë që kërkojnë distancimin e LSI-së nga kjo marrëveshje me PD-në.
“Komente që nuk kanë të bëjnë me ndonjë thelb politik, por që janë thjesht komente të nivelit të zëdhënësve të bashkisë së Edi Ramës, nuk janë në interesin politik madhor ku ndodhet vendi dhe LSI-ja për tu marrë me ta”, u shpreh dje midis të tjerave Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili në konferencën e shtypit për gazetarët.
Vasili shfrytëzoi konferencën e djeshme për shtyp edhe për të artikuluar në emër të LSI-së, një mesazh mbështetës për Policinë e Shtetit.
“Ne shprehim mbështetjen tonë për të qenë pjesë solidare me Policinë e Shtetit në betejën e saj për të fituar qoftë me krimin ordiner apo dhe me atë të organizuar”, deklaroi Vasili.