E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti, ja kushtet e socialistëve

 

Aristir Lumezi

Bojkoti i socialistëve do të përfundojë vetëm nëse plotësohen kushtet që ata do t’i paraqesin Kuvendit dhe maxhorancës. Përmes një liste kushtesh, një grup pune do të punojë këto ditë për të përcaktuar se cilat prej tyre do të jenë emergjente në plotësim nga ana e maxhorancës, dhe cilat do t’i përkasin një kohe të mëvonshme. Këtë mision ka marrë një grup pune që u propozua dje nga Rama si strukturë, por që nuk u përmend asnjë emër që do të jetë në përbërje të tij. Kushti i parë i socialistëve është zbardhja e krimit elektoral, siç e quajnë ata votimin dhe administrimin e votës së 28 qershorit. Për këtë qëllim ata kërkojnë një hetim parlamentar, ku maxhoranca të mos përfshihet në miratimin e këtij komisioni. Socialistët këmbëngulin në hapjen e kutive të Beratit, Shkodrës dhe Tiranës, ku kanë dyshime se mund të kenë vota të tyre që nuk janë numëruar mirë. Gjithashtu, një tjetër kusht i socialistëve përballë maxhorancës, është dhe verifikimin e të gjithë atyre drejtuesve të institucioneve të maxhorancës që kanë vënë në funksion të fushatës dhe votimit asetet publike për të favorizuar PD-në dhe aleatët e saj në fushatën elektorale që sapo u mbyll. Socialistët kanë shtuar dhe një kush të ri, me të cilin kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme, siç është marrëdhënia e tyre me Televizionin Publik. Sipas tyre, Parlamenti duhet të përgatitet konsensualisht për miratim brenda muajit shtator për ndryshimet përkatëse në ligjet që rregullojnë mirëfunksionimin e Radio Televizionit Publik Shqiptar dhe KKRT. Por në mënyrë të papritur, socialistët kanë vendosur dhe një kusht që nuk është aspak elektoral dhe nuk lidhet me fushatën zgjedhore apo parregullsitë e procesit të 28 qershorit. Socialistët i kërkojnë maxhorancës dhe Parlamentit zbardhjen e vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi, duke i kërkuar qeverisë të garantojë transparencë të plotë për procesin hetimor të vrasjes së tij dhe nxjerrjen e autorëve përpara drejtësisë.
Në listën e gjatë të kushteve të socialistëve, me plotësimin e të cilave ata premtojnë rikthim në Kuvend, është dhe nxjerrja e përgjegjësive ndaj atyre që dhanë leje dalje të burgosurve me shumë vite heqje lirie, të cilët më pas u angazhuan në fushatë duke bërë kërcënime dhe presione zgjedhësve dhe komisionerëve. Një nga pasojat e fushatës, siç është largimi i komisionerëve apo militantëve të PS-së që punuan gjatë fushatës, kërkohet që të zgjidhet nga kërkesa e deputetëve. Ata kërkojnë rikthim të menjëhershëm të të gjithë atyre që u hoqën nga puna pas 28 qershorit për shkak se kontribuuan për PS në këto zgjedhje. Të gjitha këto propozime do t’i paraqiten Kuvendit dhe në varësi të plotësimit të tyre dhe kohës kur do të plotësohen, do të vijë dhe vendimi i socialistëve për t’u rikthyer në Kuvend.

Kushtet e PS për bojkotin

• Të garantojë kryerjen e një hetimi parlamentar, të pakushtëzuar nga votat e shumicës parlamentare, të aspekteve të ndryshme të procesit zgjedhor të 28 qershorit 2009
• Të nisë në mënyrë të menjëhershme përcaktimin, identifikimin dhe analizimin e përgjegjësive të qarta institucionale e administrative, ndaj të gjithë atyre drejtuesve të institucioneve shtetërore, të cilët kanë përdorur asetet publike në funksion të fushatës elektorale të PD
• Të përgatiten konsensualisht për miratim brenda muajit shtator  ndryshimet përkatëse në ligjet që rregullojnë mirëfunksionimin e Radio Televizionit Publik Shqiptar dhe KKRT
• Të analizojë dhe të përcaktojë në mënyrë të menjëhershme përgjegjësitë e qarta institucionale, administrative e penale, shoqëruar me masat përkatëse individuale ndaj drejtuesve   politikë e administrativë të Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve në varësi të saj, të cilët kanë shkelur ligjin lidhur me trajtimin e shtetasve të dënuar me heqje lirie gjatë procesit zgjedhor
• Të evidentohen përmes një komisioni të posaçëm shtetëror të gjitha rastet e largimit nga puna të të gjithë personave të larguar nga puna për shkak të angazhimit në fushatën elektorale apo mosbindjes personale për zhvillimin e angazhimit politik në funksion të interesave të një partie politike, duke garantuar që brenda 30 ditësh, secili nga ata të rikthehet në detyrën e mëparshme si dhe të ndëshkohen me masa administrative të gjithë ata drejtues që kanë shkaktuar pasoja të tilla
• Të rinxisë qeverinë që të garantojë transparencë të plotë për procesin hetimor të vrasjes së deputetit të PS, Fatmir Xhindi, për zbardhjen përfundimtare të së vërtetës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›