Bojkoti, debate të ashpra në mbledhjen e grupit socialist
Aristir Lumezi
Pozicionet pro qëndrimit të Ramës dhe kundër tij të deputetëve, çuan në mbledhjen e djeshme në debate që kaluan deri në kërcënime nga ana e kryetarit në detyrë. Pas një debati mes Ben Blushit dhe Rudina Seserit, Rama ka kërcënuar Blushin se do ta përjashtojë nga mbledhja, ndërsa tonet janë ngritur dhe acaruar duke çuar në mbylljen me urgjencë të mbledhjes nga ana e Ramës, pas votimit të propozimit të tij, për të mos shkuar në seancën e ditës së hënë të Kuvendit. Mbledhja e djeshme tregoi se, kryesisht deputetët e rinj, por dhe disa të vjetër, janë vënë në mbrojtje të qëndrimit të kryetarit për raportin e PS-së me Parlamentin dhe pse disa u shprehën se ata duhet të konfirmojnë më parë mandatin e tyre të marrë nga vota e popullit. Madje mbrojtja me fanatizëm e këtij qëndrimi dje ka treguar dhe thirrje për mohim të deklaratave të ndërkombëtarëve, si Olli Rehn apo raporteve të vëzhguesve. Ashtu siç dhe pritej, qëndrimi i kryetarit të detyrë Edi Rama ishte pro bojkotit të Kuvendit nga ana e deputetëve socialistë dhe këtë qëndrim të tij është munduar t’ua transmetojë dhe deputetëve, kryesisht atyre të rinj. Mbledhja e parë e 65 deputetëve socialistë u zhvillua në ambientet e hotel “Tirana” paraditen e djeshme, ndërsa asnjë nga deputetët e zgjedhur nuk ka munguar në të, ndërsa media nuk është lejuar të jetë në ambientet e brendshme të këtij hoteli. Ashtu si dhe në mbledhjen e kryesisë socialiste të një nate më parë, u vunë re dy qëndrime, ai i kryetarit që kërkonte bojkotin, dhe ai i një grupi deputetësh që ishin kundër bojkotit. Që në fillim të mbledhjes, Rama ka parashtruar filozofinë e tij rreth bojkotit, të cilin e ka cilësuar qëndrim të kushtëzuar të deputetëve dhe PS me Kuvendin. “Qëndrimi është i prerë, PS-ja nuk hyn në Parlament, sepse e konsideron institucion me legjitimet të cunguar”, mësohet të jetë shprehur kreu në detyrë i selisë rozë. Madje ai i ka kërkuar deputetëve të punojnë në zonat e tyre me strukturat dhe zgjedhësit për të sqaruar këtë pozicion të Partisë Socialiste. Ai ka mundur të bindë përkrahësit e tij, të cilët në përgjithësi kërkonin konfirmimin e mandatit të tyre, por i qëndronin pozitës së bojkotit të Parlamentit duke vendosur disa kushte. Por i këtij qëndrimi nuk kanë qenë deputetët Arben Malaj, Marko Bello që arritën të flisnin në mbledhjen e djeshme, pasi deputetët e tjerë Blushi, Islami dhe Harasani që janë kundër bojkotit, nuk arritën të merrnin fjalën për shkak se kryetari e mbylli mbledhjen pas një debati me tone të larta, akuza dhe kërcënime. Malaj është shprehur kundër bojkotit pasi, sipas tij, lufta politike dhe objektivi që kërkon PS-ja të arrijë, mund të realizohet vetëm në Parlament. Marko Bello i ka kërkuar kryetarit socialist një qëndrim të prerë dhe të qartë nëse është për bojkot apo jo. Balla, Braçe dhe Vasilika Hysi kërkuan konfirmimin e mandateve të deputetëve për t’i bërë ato juridikë e më pas të kalohet në fazën e braktisjes së Kuvendit. Kryetari në detyrë i PS-së, Edi Rama, propozoi ngritjen e një grupi pune, emrat e të cilit nuk u diskutuan në mbledhjen e djeshme, i cili do të përcaktojë modalitetet dhe afatet mbi të cilat do të vendoset bojkoti i socialistëve me Kuvendin.
Debati në mbledhjen e grupit socialist
Rama: Të vendosim një marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin deri sa të bëhet zbardhja e plotë e krimit elektoral. Deputetët të kontaktojnë bazën e tyre dhe të evidentojnë dhe sensibilizojnë bashkë me strukturat e partisë elektoratin për atë që ka ndodhur.
Malaj: Përsa i përket veprimit politik, mendimi ndryshe, do të theksojë se PS-ja mund ta maksimizojë eficencën e saj brenda në parlament. Jo bojkot të parlamentit, por bërje të një opozite efikase në institucione.
Marko Bello: Ti zoti kryetar fol hapur dhe jo me doreza. Jemi apo nuk jemi për bojkot dhe të mos fshihemi pas frazave të “kushtëzuara”. Unë nuk jam dakord me bojkotin, sepse kështu PS-ja do pësonte një goditje të rëndë nga ndërkombëtarët, opinioni dhe do humbej besimi tek elektorati. Ti thua të shkojmë në bazë si Qatipi i “Portokallisë” e t’i qahemi njerëzve se na mundi Saliu.
Ditmir Bushati: Nuk na duhet se çfarë thotë Olli Rehn, sepse Europa edhe në ‘96 ka qenë kundër nesh.
Ilir Beqja: Duhet të punojmë pak me të huajt. Unë kam tentuar t’ia mbush mendjen ndërkombëtarëve se ne kemi të drejtë dhe nuk duhet të tërhiqemi. Edhe ambasadorja angleze mban qëndrimin tonë në një intervistë dhënë një reviste.
Sadri Abazi: Nuk na duhet fare se çfarë thonë ndërkombëtarët.
Fidel Ylli: Unë përkrah mendimin ndryshe se kjo e bën PS-në ndryshe nga partia e Saliut. Unë them të mos futemi ditën e parë, se nuk kemi nevojë për rrogën. Kjo qeveri 3 muaj jetë ka apo nuk ka dhe dita jonë do vijë shumë shpejt.
Erion Braçe: Ne duhet të shkojmë për betimin se nuk është çështje rroge.
Taulant Balla: Të shkojmë një ditë, e më pas ta bojkotojmë. Pa plotësimin e kushteve që ne kërkojmë është e kotë të hyjmë në sallë.
Shega Ligori: Unë e njoh mirë PD-në dhe e di se çfarë ka bërë kundër nesh. Këtë ma kanë thënë gjyqtarët, të cilëve i kanë bërë presion të madh.
Vasilika Hysi: Duhet ta bëjmë betimin, se ndryshe nuk quhemi deputetë.
Seseri-Blushi-Rama
Para se të niste mbledhja, Blushi i drejtohet Rudina Seserit: Paske ardhur nga Amerika?
Seseri: Unë jam për bojkot të plotë të parlamentit pa asnjë ekuivok, sepse e di që zgjedhjet janë e drejta themelore e një populli për t’u përfaqësuar në qeverisje. Ata që bëjnë aludime me Floridën e kanë gabim, sepse atje nuk u frikësua administrata. Po Ben, është e vërtetë që unë vij nga Amerika...
Blushi: Për kë Ben e ke fjalën?
Seseri: Me ty zoti Blushi.
Blushi: Ti e do bojkotin që të shkosh prapë në Amerikë. Mos guxo më të lakosh emrin tim. Po s’ke faj ti. Fajin e ka ky (Edi Rama) që e mbushi partinë me të tillë si puna jote.
Seseri: Nuk më komplekson dot. Mos më fyej zotëri, unë jam duke thënë mendimin tim, nuk të kam ndërprerë kur ke dhënë mendimin tënd, ti duhet të flasësh për ato 35 vota që more në kongres.
Rama: Mos e fyej Rudinën, Blush.
Blushi: Ti ndërprit atë dhe jo mua, se ajo më provokoi duke më përmendur emrin. Nuk e kuptoj përse ti ndërhyn?
Rama: Mos e ngacmo Rudinën të thashë edhe njëherë.
Blushi: Kjo ndodh se ti ke humbur zgjedhjet dhe ti je problemi, prandaj këta sillen kështu.
Rama: Unë nuk të lejoj të fyesh deputeten e as deputetë të tjerë të partisë. Më kuptove?
Blushi: Ti je humbësi, prandaj ti je problemi.
Rama: Do e mbyll mbledhjen dhe do të përjashtoj.
Blushi: Ti nuk më përjashton dot nga kjo parti.
Në sallë nisin sharjet dhe hilariteti mes palëve. Ndërhyn Majko.
Majko: O zotërinj! Mos bëni kështu se nuk i ka hije askujt. Mos u merrni me gjëra personale. Jemi mbledhur për tjetër gjë. Zoti kryetar, bëjmë më mire 5 minuta pushim.
Gjatë pushimit Rama ka ndenjur brenda në sallë nën shoqërinë e Pandeli Majkos dhe Gramoz Ruçit.
Pas pushimit Rama kthehet dhe kërkon mbylljen e diskutimeve.
Rama: Kush është dakord të mbyllen diskutimet?
Islami: Po nuk kemi folur ende?!!
Rama: I mbyllëm diskutimet. Kush është që të mos shkojë të hënën në parlament dhe për ngritjen e një grupi pune që do të përgatisë modalitetet për kushtet që do i paraqesim Kuvendit?
Rama: Miratohet, mbledhja mbyllet!