Malaj: Mbledhja nuk unifikoi veprimin politik
Anëtari i kryesisë socialiste dhe një nga përfaqësuesit e mendimit ndryshe sot në PS, Arben Malaj, tha dje pas mbledhjes së grupit parlamentar socialist se mbledhja e parë e grupit të deputetëve nuk arriti të unifikonte veprimin politik që ky grup do ndërmarrë. “I gjithë grupi i PS-së është unik në vlerësimin që i bëjmë zgjedhjeve të 28 qershorit. I konsiderojmë zgjedhje me standarde të cunguara. Mendimi i një pjese të anëtarëve të grupit parlamentar është jo bojkot të institucioneve. Do të respektojmë një qëndrim të kushtëzuar ndaj Parlamentit, i cili nuk u arrit të unifikohet në mbledhjen e grupit dhe presim të shikojmë veprimet konkrete për qëndrimin politik”, deklaroi deputeti socialist Arben Malaj, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së grupit PS. Malaj, i cili përfaqëson mendimin ndryshe, beson se PS-ja mund ta maksimizojë eficencën e saj brenda në Parlament, por shton se do respektohet vendimi i shumicës brenda PS-së. “Jo bojkotit, por një opozitë efikase në institucionet e shtetit. Brenda një force politike do respektojmë qëndrimet e shumicës politike”, vazhdoi më tej Malaj.