E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, përgjigje ordinere konsensusit për Kodin Zgjedhor

Reagon zëdhënësi i PD-së Gerti Bogdani

TIRANE - Kryesocialisti Edi Rama ka reaguar dje me një gjuhë të ashpër dhe tërësisht ordinere ndaj thirrjes publike të kryeministrit Sali Berisha drejtuar PS dhe LSI për konsensusin që duhet t’i japin njëra-tjetrës për çështjen e Kodit Zgjedhor.
Partia Demokratike reagoi dje nëpërmjet zëdhënësit Gerti Bogdani, duke dënuar vulgaritetin dhe hipokrizinë e Ramës. 
“Edi Rama nxori zëdhënësen e tij me shumë emra, me një gjuhë ordinere ndaj kryeministrit të vendit, deklaratë në të cilën ai përsëriti, ndaj reagimit të kryeministrit për Kodin Zgjedhor, të gjitha fjalët e ulëta të deklaratës së një dite më parë. Tani ne duhet t’i themi Kryetarit të Partisë Socialiste që ka për tipar kryesor pafytyrësinë, të përdorë kamerat dhe televizionet me gjuhën e një ordineri, se në qëndrimin e kryeministrit ndaj Kodit nuk ka asgjë tjetër veçse vazhdimësinë e përpjekjeve që Kodi Zgjedhor të jetë sa më përfshirës”, u shpreh Bogdani.
Zëdhënësi i selisë blu theksoi më tej se “një ditë më parë Edi Rama, me fjalorin e një ordineri, në vend që t’u kërkonte të falur familjeve të viktimave, për ekzekutimin e të cilave ka votuar dhe firmosur i ati i tij, akuzoi kryeministrin se po merret me familjen e tij. Duke harruar se vetëm me rrogën e njërit prej fëmijëve të kryeministrit, të firmosur në bordero të institucioneve ndërkombëtare, Edi Rama është marrë 6 muaj rresht duke u servirur shqiptarëve trillimet më të ulëta. Por është e kuptueshme që Rama di vetëm të trillojë, sidomos kur bëhet fjalë për familje, vlerë të cilën ai vete nuk e njeh dhe e ka shkelmuar”, nënvizoi zëdhënësi Gerti Bogdani.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›