E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shakaja e radhës e hajdutit Fazlliç

Nga Mon Zhubi

Lexova gazetën “TemA” sot dhe mësova që hajduti ndërkombëtar Fazlliç ka vendosur të paditë botuesin e saj, z. Mero Baze, për shpifje. Kjo ishte diçka e re për mua, sepse pas luftës në Bosnjë shtypi është marrë edhe më parë në mënyrë intensive me Damir Fazlliçin, për mashtrimet e vogla dhe të mëdha që ka bërë gjithandej në botë, por, me sa e di unë, ai kurrë nuk e ka çarë kokën për shtypin dhe nuk është marrë me të si këtë radhë në Shqipëri.

Së pari, atij iu dha mundësia që përmes një televizioni të shfajësohet, gjë që e bëri pa sukses. E tash, me ndihmën e miqve të tij në pushtet, vendosi të ngrejë padi dhe i sigurt se do të fitojë, ka vendosur që paratë t’i dhurojë për fëmijët e Srebrenicës, të cilët i kanë masakruar shokët e tij. Hipokrizi e radhës e hajdutit Fazlliç.

Mashtruesi Fazlliç me këtë padi po dëshmon se ndihet i fortë dhe se me ndihmën e politikës dhe politikë-bërësve është mbi shtetin dhe ligjin, duke i dëshmuar edhe njëherë opinionit shqiptar se punët e tij të pista në Shqipëri nuk mund të realizohen pa ndihmën e njerëzve në pushtet.

Politika aktuale, si duket përmes padisë së hajdutit Damir Fazlliç, kërkon, si në kohën e diktaturës, që mediat të mos informojnë, por të prodhojnë opinion në favor të tyre si agjitropet e dikurshme.

Nga praktika dimë se shoku dhe miku, për ndryshim nga familja, mund të zgjidhet. Besoj se këtë fakt e di edhe kryeministri Berisha

Është absurde që shokut të tij, hajdutit Damir Fazlliç, kryeministri Shqipërisë i vë në dispozicion gjykatat shqiptare dhe mjetet e tjera që disponon shteti, vetëm e vetëm që ta shfajësojë hajdutin para popullit shqiptar, kur ai njeri është modeli perfekt i së keqes, dhe akuzon një njeri, i cili, pa marrë parasysh pasojat, është dëshmuar si luftëtar parimor i së keqes.

Shenjtëria e familjes edhe te morali i kontestuar shqiptar është diçka që për të cilën duhet luftuar, por si t’i shpjegohen opinionit shqiptar gjithë ato mashtrime që, së bashku me familjarët e pushtetarëve të sotëm, u ka bërë hajduti Fazlliç shqiptarëve dhe Shqipërisë?

Unë ndihem i fyer, sepse, duke njohur personalisht këtë hajdut, e di se ai askund gjer më sot nuk është ndier më rehat se në Shqipëri.

Dihet mirëfilli nga praktika e shteteve me përvojë, që shteti gjithmonë (kur do), është më i fortë se mafia dhe gjithçka varet nga vullneti.

Fatkeqësisht, Shqipëria, sidomos në rastin e hajdutit Fazlliç, po dëshmon se shteti aktual shqiptar nuk ka ndërmend që ta bëjë këtë luftë dhe i mbetet opinionit që me presion të gjerë publik ta detyrojë shtetin të luftojë Fazlliçët.

Sipas logjikës dhe natyrës së gjërave, nga praktika e shteteve të tjera, dihet fakti se shteti, kur duhet bërë zgjedhja, më me dëshirë sakrifikon mafien se veten. Mirëpo, për ta bërë këtë i duhet opinionit shqiptar që në rastin e Mero Bazes të reagojë me të gjitha mjetet dhe të kërkojë nga shteti që të luftojë keqbërësin e jo denoncuesin e së keqes.

Si duket, vetëdija ende e pazhvilluar qytetare e shoqërisë shqiptare, kështu siç është, nuk e nxit shtetin në asgjë. E thënë ndryshe, nuk e nxit shtetin në aksion kundër krimit.

Është tragjike që edhe sot qytetarët shqiptarë të pajtohen të jetojnë akoma bashkë me krimin dhe mos të rreshtohen në luftë kundër tij. Në atë mënyrë ata bëhen bashkëfajtorë.

Qytetarët shqiptarë, duke mbrojtur z. Mero Baze sot dhe duke u rreshtuar në ushtarë të luftës kundër së keqes, mbrojnë të nesërmen e fëmijëve të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›