“Tani që po i afrohemi vitit elektoral, Kodi Zgjedhor duhet të finalizohet”
Ambasadori i Komisionit Evropian, Helmut Lohan u bën apel partive politike të përfundojnë sa më parë Kodin Zgjedhor.
TIRANE - Komisioni Evropian vlerëson se duhet të fillojë puna për procesin e ardhshëm zgjedhor. Në këtë drejtim, Kreu i Komisionit evropian në Tiranë Helmuth Lohan kritikoi vonesat në miratimin e kodit zgjedhor dhe deklaroi se ndryshimet duhen bërë urgjente pasi po rrezikohen zgjedhjet e ardhshme kuvendore.
Kur kodi elektoral u rikthye sërish në tryezën e diskutimit të komisionit të reformë zgjedhore dhe bashkë me të debatet partiake, ambasadori i Komisionit Evropian, Helmut Lohan, i kërkon politikës shqiptare që të fillojë seriozisht nga puna.
Gjatë një prononcimi për mediat Lohan i bën thirrje deputetëve të përshpejtojnë ritmet që ligjit zgjedhor t’i jepet fund pa rrezikuar zgjedhjet e ardhshme.
“Komisioni Evropian ka nënvizuar në shumë raste, 6 muajt e fundit që Kodi Elektoral duhej të përshtatej shumë më përpara për zgjedhjet e qershorit 2009. Por tani që po i afrohemi fundit të 2008, reformat bëhen dhe më urgjente dhe Kodi duhet të finalizohet”, tha Lohan.
Komisioni i reformës iu rikthye një ditë më parë punës ku ende nuk e kanë bërë të qartë nëse objekt i amendimit do të jetë vetëm afati për shpalljen e datës zgjedhjeve apo dhe pjesë të tjera të kodit. Por kësaj radhe kanë qenë socialistët ata të cilët nisur nga mënyra si po menaxhohet situata akuzuan kreun e shtetit se po fut në ngërç tërë sistemin.
Ndërkombëtarët iu referuan edhe reformës në drejtësi ku theksuan se kërkohet ekspertizë ndërkombëtare. Lohan tha se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të përmirësojnë marrëdhëniet mes tyre.